Kosova nuk humb asgjë t’i thotë “Jo!” planit prej gjashtë pikash
Qeveria e Kosovës ka të drejtë ta kundërshtojë planin prej gjashtë pikash, i cili e anulon planin e Ahtisaarit dhe tërësisht e përmbys Pavarësinë e Kosovës.
Nënshkrimi i planit prej gjashtë pikash, i përpiluar nga OKB dhe Beogradi, ashtu siç po i bën presion BE presidentit Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi, është një e ide e keqe. Ata duhet t’i rezistojnë këtij presioni.
Kjo marrëveshje do të ratifikonte ndarjen e Kosovës dhe do të legalizonte përfundimisht ushtrimin e sovranitetit të Beogradit mbi këtë pjesë të Kosovës. Kjo do të zyrtarizonte mashtrimin e politikës historikisht raciste të Serbisë mbi Kosovën, e cila vazhdimisht e ka suprimuar pjesëmarrjen e lidershipit kosovar në vendimet rreth problemeve të brendshme të Kosovës. Do të përforconte tërheqjen e Evropës nga përkrahja për planin e Ahtisaarit.
Plani prej gjashtë pikash është krejtësisht kundër Kushtetutës së Kosovës dhe statusit të saj si një shtet i pavarur. Ky plan është edhe më i keq se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB duke u përqendruar në aspektin e saj për “status neutral”; ndryshe nga Rezoluta 1244, e cila nuk e thotë as formalisht që Kosova është sovrane mbi të gjithë territorin e Kosovës.
Nuk ka asnjë lloj humbje reale që përfundimisht të refuzohet kjo marrëveshje. EULEX ekziston vetëm për të implementuar planin e Ahtisaarit. Plani prej gjashtë pikash e shkatërron planin e Ahtisaarit.
Refuzimi i kësaj marrëveshjeje do të mobilizonte guximin e Bashkimit Evropian që ta shtrijë EULEX në bazë të planit të Ahtisaarit, të cilën e ka adaptuar BE. Do ta shpinte UNMIK në vendin e vet mbarues, legalisht dhe politikisht: si një ndërhyrës në çështjet e sovranitetit të një shteti pa aprovimin e tij.
Pa planin e Ahtisaarit, Kosova mbetet de facto e ndarë. Ka qenë e ndarë që nga viti 1999. Por, plani prej gjashtë pikash do ta forconte dhe legalizonte ndarjen dhe do ta bënte të pamundshme zhbërjen e saj.
Në një mënyrë apo tjetrën, Beogradi dhe Moska do t'i vazhdojnë përpjekjet e tyre që ta ndalojnë pavarësinë e Kosovës të bëhet e suksesshme dhe të sabotojnë çdo përpjekje ndërkombëtare që çon në një drejtim konstruktiv. Ata do të vazhdojnë të provojnë t'i frikësojnë serbët e Kosovës të marrin vendime në bazë të interesave të tyre dhe të kërkojnë të integrohen në jetën politike të Kosovës.
Plani prej gjashtë pikash thjesht i legalizon të gjitha këto përpjekje joligjore. Nëse plani nuk nënshkruhet, qeveria e Kosovës do të këtë më shumë fleksibilitet që të punojë gjatë kohës që ta integrojë minoritetin serb në Kosovë në çështjet politike dhe legale të shtetit të ri.
Qeveria e Kosovës ka bërë gjithçka që duhet që të implementojë planin e Ahtisaarit; dhe që plani nuk është tërësisht i implementuar, është krejtësisht si pasojë e mosdëshirës së Serbisë që të punojë sipas rregullave të shteteve civile në sistemin ndërkombëtar.
Refuzimi për ta nënshkruar planin prej gjashtë pikash do të lejojë që realiteti i politikës serbe të shihet nga bota, duke përfshirë edhe ata që duhet të shqetësohen për sjelljet e Serbisë, në rast se ajo bëhet anëtare e BE.
Serbia e ka humbur sovranitetin mbi Kosovën gjatë periudhës prej 1989-‘99, kur ajo në mënyrë sistematike ua hoqi shqiptarëve të Kosovës të drejtat politike dhe ekonomike mbi baza krejtësisht etnike, dhe kur solli armët dhe tanket mbi popullatën e pafajshme shqiptare të Kosovës për t'i përzënë nga shtëpitë e tyre. Prej vitit 1999-2008, Serbia nuk i ka ushtruar atributet e sovranitetit mbi Kosovën, dhe kjo është një nga rregullat për sovranitet në bazë të ligjit ndërkombëtar. Pa marrë parasysh motivet e këtyre argumenteve ligjore, megjithatë, Kosova e ka arritur statusin e një shteti sovran me Deklaratën e Pavarësisë në shkurt të këtij viti që ka pasuar me njohjen e saj nga mbi 50 shtete. Duke marrë parasysh fitoren e pavarësisë ende te re, qeveria e Kosovës nuk duhet të dorëzohet aq herët nga presioni për të pranuar planin prej gjashtë pikash. Marrëveshja e tillë është një plan për të rishpallur de jure sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën. Ndoshta një ditë mund të vijë dita, kur Kosova mund të pajtohet për ndryshim të kufijve, por, nëse kjo ndodh ndonjë ditë, atëherë duhet të jetë si rezultat i negociatave, në cilat qeveria e saj ka marrë pjesë në mënyrë aktive dhe duhet të përfitojë diçka në pajtim. Asnjëra nga këto nuk është vërtet në planin prej gjashtë pikash.
Mënyra se si po i thuhet Kosovës që ta pranojë këtë plan është një përshkrim i trishtuar i paaftësisë së Evropës që të qëndrojë me vendime të politikës së shëndoshë. Shkurti ishte një cak kulmor i përmbushjes të premtimeve të BE dhe OKB rreth statusit të Kosovës, ata kanë filluar të tërhiqen që prej atij momenti. Qeveria e Kosovës nuk duhet t'i ndihmojë këtij dështimi diplomatik më tej.
Qëndroni fuqishëm pranë pikëpamjeve tuaja z. Sejdiu dhe z. Thaçi!
Autori është profesor i Drejtësisë në Kolegjin e Drejtësisë, Chicago