E Diel, 1 Nëntor 2026

Informaliteti, 58 % e punonjësve pa arsim të ulët dhe 2 % me arsim të lartë

Autori i Lajmit: red.
Informaliteti në fushën e ndërtimit mbetet një nga problemet më të mëdha që shqetëson sot jo vetëm Qeverinë, por edhe ekonominë shqiptare si dhe grupet e interesit. Kjo ishte tema kryesore e Konferencës Vjetore të Punës, që u organizua dje në Durrësi, nga Ministra e Punës dhe Zyra e ILO-s (Organizata Ndërkombëtare e Punës) në Tiranë. Sipas ministrit Barka, “Qeveria e Shqipërisë e ka vënë në prioritetet e saj luftën kundër informalitetit ekonomik, si burim i shumë e shumë të këqijave për ekonominë dhe punonjësit shqiptarë”. Sipas tij, informaliteti godet fuqishëm buxhetin e shtetit, duke mos futur në të sasi shumë të konsiderueshme të ardhurash, shpërndan paga të vogla, të cilat në çdo rast janë jashtë vëmendjes së shtetit dhe si të tilla, nuk respektojnë kufijtë minimalë të vendosur me ligj, lë jashtë mbulimit me sigurime shoqërore dhe shëndetsore masa të mëdha punonjësish, etj. Sipas Barkës, studimi i kryer nga ekspertë të pavaruar për tipologjinë e fenomenit të informalitetit në ndërtim, bashkë me kontributet e Konferencës, do të jenë një bazë mjaft të mirë për punën e Ministrisë së Punës, në bashkëpunim me Partnerët Socialë për hartimin e programeve të përbashkta, në luftën kundër informalitetit në ndërtim dhe në të gjithë ekonominë. Drejtori i Zyrës së ILO-s në Tiranë, Alfred Topi, u shpreh se, në konsultim me partnerët socialë, për konferencën e sivjetme vjetore të punës, u zgjodh tema e informaliteteit në fushën e ndërtimit, pasi biznesi i ndërtimit është një nga ekonomitë më të zhvilluara në vend, por edhe më problematik, për nivelin ende të lartë të informalitetit në të. Sipas kreut të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikolla, 58% e të punësuarve në informalitet, janë punonjës me nivel të ulët arsimor dhe vetëm 2% me arsim të lartë.

Ky lajm është publikuar: 24/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›