E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet në shtëpi, ja si aplikohet nëpërmjet formularit postar

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Rreth 530 mijë pensionistë në të gjithë Shqipërinë kanë aplikuar për shërbimin e pensionit në shtëpi. Ky shërbim i ofruar nga Posta Shqiptare kushton vetëm 50 lekë të reja. Sipas burimeve zyrtare, tashmë kjo procedurë është lehtësuar dhe nuk kalon përmes shumë peripecish si më parë, duke u mundësuar në zyrat postare të të gjithë filialeve të kompanisë së postës në të gjithë vendin. Madje, pensioni iu çohet pensionistëve në shtëpi deri në zonat më të thella rurale, falë infrastrukturës së përmirësuar.
Kostoja
Për të qenë sa më pranë moshës së tretë është ulur edhe kostoja e biletës së shërbimit në shtëpi deri në 500 lekë të vjetra. Për më tepër burime nga Posta Shqiptare konfirmojnë se për të realizuar shërbimin në kohë në shtëpitë e pensionistëve është investuar në kapacitete si; shtim i mjeteve motorike.
Aplikimi
Ndërsa mëyra e aplikimit konsiston në plotësimin e një formulari nën asistencën e një punonjësi të zyrës postare të vënë në dispozicion dhe në muajin pasardhës, pensionisti e ka të sigurt pensionin në shtëpi. Ky shërbim rekomandohet veçanërisht për ata pensionistë, që nuk kanë mundësi të dalin nga shtëpia për të tërhequr pensionin mujor për shkak të pamundësive shëndetësore, apo arsye të tjera. Aktualisht, Posta Shqiptare shpërndan rreth 100 mijë pensione në shtëpi dhe ky numër është me tendencë në rritje në zbatim të strategjisë së zhvillimit të kompanisë nën moton “të çojmë shërbimet aty ku klientët janë”. Këtë vit në kuadrin e strategjisë së zhvillimit kompania synon trefishimin e numrit të pensioneve që postierët do të çojnë në shtëpitë e pensionistëve.
Radhët
Ky proces do të zhvillohet ne bashkëpunim nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore i cili do të ofrojë n mbështetje në kryerjen në kohë të procedurave përkatese. Shpërndarja e pensioneve nëpërmjet Postës synon të shmangë radhët pa fund që krijohen në pikat e shpërndarjes së pensioneve. Burime mga Posta konfirmojnë se shpërndarja e pensioneve në të gjitha zyrat e shërbimit postar bëhet kundrejt rregullave të qarta që favorizojnë klientin. Gjatë viteve 2005-2007, Posta Shqiptare ka investuar duke rikonstruktuar të gjitha zyrat postare. Nga një vëzhgim i bërë në sportelet e zyrave postare në Tiranë vihet re se pensionistët janë të kënaqur nga cilësia e shërbimit si dhe komunikimi që kanë me punonjësit për çdo paqartësi.
Pensionistët
Pensionisti Bajram Mazari i cili e merr pensionin të zyra postare nr.30 në kryeqytet te “Brrylli”, thotë se është i kënaqur nga shërbimi që i ofrohet. “Unë kam datën e caktuar dhe vij e tërheq pensionin, pa ndenjur në radhë. Për fat, tashmë edhe zyrat postare janë bërë nga e para, sepse para dy vitesh këto ambiente që shihnni ishin të rrënuara, madje dhe shiu që binte jashtë, hynte brenda”, përfundon Mazari. Ndërsa një tjetër pensionist Okjan Galanxhi, është i interesuar,që brenda muajit tjetër, pensioni t i shkojë në shtëpi, prandaj dhe gjendet pranë zyrës postare, për të bërë aplikimin. ”Duke parë zhvillimet e Postës Shqiptare, cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve, që kryhen vendosa të mos e marr më pensionin në zyrën postare, por të aplikoj që të më vijë në shtëpi. Një hap të tillë e ndërmora edhe duke parë shokët dhe miqtë e mi, të cilët ishin shumë të kënaqur nga shërbimi dhe sjellja e punonjësve të postës, të cilët ua çonin pensionin në shtëpi” përfundon Galanxhi. Ndërsa Pranvera Daci, e cila e merr pensionin në shtëpi shprehet e kënaqur nga ky shërbim pasi në moshën e saj nuk gjen dot kohë të shkojë pranë zyrës postare.

Si mund të merrni pensionin tuaj në shtëpi

- Drejtohuni në zyrën postare të pagesës së pensionit

- Kontaktoni me punonjësen e shërbimit, e cila do t ju jepë formularin e kërkesës

- Plotësoni saktësisht formularin e kërkesës për pension në shtëpi duke kërkuar edhe ndihmën e punonjëses së shërbimit

- Shkruani qartë adresën e banimit dhe numrin e telefonit

- Pasi e keni plotësuar formularin, dorëzojeni atë në sportelin e shërbimit

- Pensioni vjen në shtëpinë tuaj në muajin pasardhës
Ky lajm është publikuar: 24/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›