E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Mjekut: Spitalet periferike janë pa mjekë

Autori i Lajmit: red.
Spitalet e zonës së veriut prej vitesh vuajnë mungesën e mjekëve. Presidenti i Urdhërit të mjekut Din Abazaj thotë se janë evidentuar shumë raste në rrethet e veriut madje dhe në jug të vendit, ku mungojnë mjekët kryesorë si ata reanimator e deri tek mjekët e urgjencave, apo të familjes. "Në shume zona të vendit tonë, në periferi shërbimet mjekësore janë boshatisur nga mjekët. Jo vetëm nga specialistët janë boshatisur, por mungojnë edhe mjekët e familjes, mjekët e përgjithshëm. Janë shumë zona duke filluar që nga Tropoja, Kukësi, Peshkopia, Puka, veçanërisht këto zona periferike në veri, por dhe në jug e njëjta gjë ndodh, në Skrapar dhe në këto zonat e thella ku s ka mjekë. Disa zona janë mbyllur, sepse për disa operacione u mungon reaminatori, apo u mungon kirurgu", tha Din Abazaj. Presidenti i Urdhrit të mjekut shprehet se edhe aty ku nuk mungojnë mjekët specialistë, standardet e punës që ata ofrojnë lënë ende për të dëshiruar. "Ka mangësi dhe prandaj ne po iniciojmë edukimin e vazhdueshëm profesional, që mjekët ti arrijnë këto standarde dhe ti afrohen sa më shume standardeve të mjekësise evropiane", vijoi ai. Dy ditë më parë në parlament në fjalën e saj ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, pranoi faktin e mungesës së mjekëve specialistë, ndërkohë që lançoi nismat më të reja, si dyfishimi i pagës për mjekët në rrethe, apo penalizmi për mjekët që prishin kontratat me rrethet.
Ky lajm është publikuar: 24/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›