E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza fianciare dhe Kosova në qendër të punimeve

Autori i Lajmit: red.
Asambleja Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara fillon sesionin e radhës në të cilin pritet të mbizotërojnë kriza financiare globale si dhe shumë vatra të tjera të krizës në botë. Presidenti amerikan Xhorxh Bush do të jetë në mesin e atyre që do të flasin të parët dhe pritet të adresojë trazirat aktuale financiare dhe ndërhyrjen e qeverisë së tij. Rritja e tensionit ndërkombëtar mes Rusisë dhe Perëndimit, rritja e dhunës në Pakistan dhe Afganistan, si dhe kërcënimet nga Koreja e Veriut për riaktivizimin e programit të armëve bërthamore, kanë shtuar një sens të përgjithshëm krize që mbizotëron.
Pritet të debatohet edhe për Kosovën
Ky sesion i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara pritet të deklarohet edhe për kërkesën e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të vlerësojë ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sikundër dihet, qëndrimet e palës shqiptare dhe asaj serbe, por dhe brenda bashkësisë ndërkombëtare, vazhdojnë të jenë të ndara. Në Nju-Jork tashmë ndodhen edhe delegacionet e Kosovës e të Serbisë, të përfaqësuara në nivelin më të lartë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, kanë filluar takimet e tyre me zyrtarë të lartë të një numri shtetesh, në përpjekje për të siguruar njohje të reja për pavarësinë. Presidenti Sejdiu, të hënën, ka marrë pjesë në një takim të përbashkët të presidentëve të shteteve, të cilin e ka organizuar presidenti amerikan Bush, ndërsa ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ka takuar ambasadorin amerikan në OKB, Zalmai Khalilzad. Nga ana tjetër, presidenti serb, Boris Tadiç, pritet që në një fjalim në OKB, të kërkojë mbështetjen e vendeve anëtare për miratimin e një rezolute me të cilën do t i kërkohej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë një mendim juridik mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Tadiç ka deklaruar se epilogu i votimit mbi këtë inicitivë është i pasigurt, por se ai do të përpiqet që në bisedime direkte ta bind shumicën e vendeve anëtare të OKB që ta mbështesin këtë kërkesë të Beogradit. Një korrespondent i BBC-së thotë se çështja e Kosovës do të jetë ndër thekset kryesore në fjalimin që pritet të mbajë në Asamblenë e Përgjithshme edhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Ndërkaq, ish-ministri i Jashtëm shqiptar, Besnik Mustafaj, duke folur në programin e mëngjesit, “BBC sot”, e quajti iniciativën serbe që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të vlerësojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, si një aventurë të dëshpëruar të diplomacisë dhe politikës serbe. Zoti Mustafaj tha se pavarësisht nëse Gjykata Ndërkombëtare do ta quajë legale ose ilegale pavarësinë e Kosovës, mendimi do të ketë vetëm vlerë konsultative, pa asnjë ndikim as mbi të sotmen e as të ardhmen e Kosovës.

Ky lajm është publikuar: 24/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›