E Diel, 1 Nëntor 2026

Testimi,mësuesit 5 ditë afat për ankimimin



Dy ditë më parë, rreth 2500 mësues iu nënshtruan testimit për të përfituar shtesën në pagë. Brenda pesë ditëve nga data e provimit, ata do të kenë të drejtë të ankohen zyrtarisht në Drejtoritë Arsimore Rajonale përkatëse. Këtë ankesë, mësuesit mund ta bëjnë për parregullsi në procedurat e zhvillimit të provimit; ndëshkimet që mund të ketë pësuar nga administratori ose përgjegjësi i administrimit të provimit. Drejtori i DAR-së, të cilit i është drejtuar ankesa, i dorëzon ankuesit përgjigjen zyrtare brenda pesë ditëve nga data e dorëzimit të ankesës. Nëse mësuesi nuk e merr përgjigjen brenda afatit ose gjykon që përgjigja është e pamjaftueshme për të, ka të drejtë t’i drejtohet zyrtarisht drejtorit të IKT-së, brenda pesë ditëve nga përgjigja e marrë nga DAR. Drejtori i IKT-së duhet t’i nisë përgjigjen ankuesit brenda 10 ditëve nga data e marrjes në dorëzim të ankesës. Nëse një pjesëmarrës në provim nuk e pranon rezultatin e provimit, i nis drejtorit të IKT-së kërkesën për t’u njohur me qortimin e testit të tij. IKT-ja i dorëzon ose i dërgon ankuesit një fotokopje të testit të tij, kundrejt një pagese prej 300 lekësh. Nëse ankesa e pjesëmarrësit në provim gjykohet e drejtë nga vlerësues të ngarkuar nga drejtori i IKT-së, testi i ankuesit rivlerësohet. Nëse një ankues nuk është i kënaqur me përgjigjen përfundimtare të IKT-së, ka të drejtën e ankimimit në DPM në MASH. Sipas kushteve të vendosura nga Ministria e Arsimit, provimit të kualifikimit për vitin 2010, iu nënshtruan të gjithë mësuesit, të cilët kishin plotësuar 5, 10, 20 vite pune në arsim, deri në fund të dhjetorit të vitit 2009. Mësuesit që deri në datën 31 dhjetor 2009, kishin siguruar 5 vite pune si arsimtar aplikuan për shkallën e tretë të kualifikimit. Për shkallën e dytë të kualifikimit, u testuan arsimtarët që kanë punuar 10 vjet në arsim. Edhe më e madhe bëhet vjetërsia e punës në arsim, kur bëhet fjalë për shkallën e parë të kualifikimit, e cila është edhe më e preferuara nga mësuesit. Për t’i dhënë mundësinë vetes që të testohet për të fituar shkallën e parë të kualifikimit, një mësuesi i duhet të ketë punuar plot 20 vjet arsim. Nga vlerësimi sipas meritës, mësuesit do të marrin edhe rritjen mbi pagë, që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›