Kanos me armë një familje, autori ende në kërkim
Kanos me armë automatike një familje të tërë, policia ende në kërkim të autorit. Ngjarja ka ndodhur tre net më parë, por agresori, një 24-vjeçar, vazhdon të jetë i lirë. Burime zyrtare nga policia e Elbasanit bëjnë të ditur se ka qenë ora 03:40 e të martës, kur një familje e tërë në lagjen "Dyle Haxhire" të qytetit të Elbasanit është terrorizuar nga breshëritë e armëve që u janë drejtuar. Policia pohon se autori është Taulant Muharrem Beti, 24 vjeç, lindur dhe banues në lagjen "Vullnetari" Elbasan. Ai ka gjuajtur me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Gentian Myrtezai, 28 vjeç, lindur dhe banues në lagjen "Dyle Haxhire" Elbasan. Policia e ka konsideruar si konflikt për motive të dobëta, ndërkohë që burime konfidenciale bëjnë të ditur për "Shqip" se konflikti mes Myrtezait dhe Betit duhet të ketë lidhje me pretendimet e dy familjeve për prona në ullishtë që prej katër vjetësh. Nga ana e policisë po vazhdojnë hetimet duke marrë në pyetje të dyja palët, sikurse po vazhdon puna për kapjen e Betit, që kërcënoi me breshëri automatiku familjen Myrtezai.