E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjaken sërish rrugët, tre të vdekur në Durrës e Shkodër

Shtohet bilanci i viktimave nga aksidentet rrugore. Tre të vdekur dhe një i plagosur rëndë kanë qenë pasojat e tre aksidenteve të ndodhura në harkun kohor të 24 orëve. Viktima e parë është shënuar në Shkodër, ku një i moshuar ka gjetur vdekjen në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes, pas përplasjes që pësoi nga një automjet në rrugën Velipojë-Shkodër. Mësohet se viktima është Martin Vushaj, 77 vjeç, banor i fshatit Mali Kolaj në Komunën Velipojë të Rrethit Shkodër dhe burri ka qenë duke ecur në rrugë kur është përplasur nga një automjet "Benz", i drejtuar nga Gjergj Gramshi. I moshuari është dërguar me urgjencë për në spitalin rajonal të Shkodrës, por pa mundur të mbijetojë nga përplasja që rezultoi fatale për të. Vetëm pak orë më pas, një tjetër aksident tragjik është shënuar në superstradën Tiranë-Durrës. Si pasojë e shpejtësisë së madhe në drejtimin e automjetit, kanë humbur jetën bashkëshortët Dervishi. Ngjarja e rëndë rrugore ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes, ndërsa kanë qenë duke u kthyer nga Tirana për në banesën e tyre. Ngjarja ndodhi në superstradën Tiranë-Durrës, pranë mbikalimit të Shënavlashit. Viktimat janë Altin dhe Valmira Dervishi, përkatësisht 33 dhe 25 vjeç, nga fshati Goxhas i Rrethit të Durrësit. Dy bashkëshortët po ktheheshin nga Tirana me automjetin tip "Honda", me targa BV334GZ, kur Altini e ka humbur kontrollin mbi mjetin, duke dalë nga rruga. Përplasja ka qenë fatale dhe ka çuar në vdekjen e menjëhershme të dy të rinjve, trupat e të cilëve janë nxjerrë me vështirësi nga mjeti i dëmtuar rëndë. Burime të policisë bënë të ditur se automjeti i viktimave është diktuar nga shërbimet e qarkullimit rrugor të vendosura përgjatë superstradës dhe patrulla e parë i ka dhënë shenjë ndalimi mjetit të drejtuar nga 33-vjeçari Altin Dervishi, por ai nuk ka qëndruar. Patrulla e parë ka sinjalizuar të dytën, e cila ndodhej në një distancë prej pak kilometrash larg saj. Edhe këtë herë mjetit i është bërë shenjë për të ndaluar nga ana e këtij shërbimi, por pa rezultat. Si pasojë e shpejtësisë së madhe, mjeti ka dalë nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e dy bashkëshortëve Dervishi. Viktimat ishin prindër të një fëmije të vogël, i cili ngeli jetim në këtë fatkeqësi rrugore ku u përfshinë Altini dhe Valmira në orët e vona të natës. Ndërkohë, në Kavajë, një kalimtar 73-vjeçar është përplasur nga një automjet tip "Volsvagen Golf", me targa EYX4548, në aksin rrugor Rrogozhinë-Kavajë, në fshatin Gosë. I lënduari, Rexhep Rexhepi, 73 vjeç, lindur dhe banues në Gosë, ka qenë duke kaluar nga njëri krah i rrugës në krahun tjetër, kur është përplasur nga automjeti që drejtohej prej 26-vjeçarit Aleksandër Malaj. I aksidentuari është dërguar menjëherë për në spitalin e Durrësit, në gjendje të rëndë për jetën. Ndërkohë që mësohet se uniformat blu kanë prangosur autorin e aksidentit të Shkodrës dhe atë të Kavajës. Burime nga organi blu shkodran bëjnë të ditur se autori i aksidentit të 77-vjeçarit, Gjergj Gramshi, nga fshati Dajç i Shkodrës, është shoqëruar për në polici. Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes ka rezultuar se drejtuesi i automjetit, ashtu si dhe këmbësori, nuk janë treguar të kujdesshëm gjatë lëvizjes së tyre në rrugë, duke provokuar aksidentin. Ndërkohë që forcat e policisë së Kavajës kanë arrestuar në flagrancë 26-vjeçarin Malaj, lindur në Berat dhe banues në Golem, si autor i aksidentit rrugor të ndodhur në Kavajë. Për të dy këta persona rëndon akuza "shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor".

Berat

Furgoni përplaset me urbanin,

nuk ka të lënduar

Furgoni përplaset me autobusin e linjës urbane të qytetit, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Ngjarja rrugore ndodhi mesditën e djeshme, kur një furgon me targa të qytetit të Fierit, që udhëtonte drejt Beratit, është përplasur rëndë me autobusin urban, ndërkohë që fati i ka dy ndihmuar dy pasagjerët, të cilit ishin ulur në sediljet e pasme të furgonit. Aksidenti ka ndodhur në hyrje të qytetit të Beratit, në vendin e quajtur "Kombinat" dhe është shkaktuar gjatë tentativës së fugonit për të parakaluar autobusin urban. Si pasojë e përplasjes me autobusin urban, mjeti tip furgon është shkatërruar në pjesën e parme, por fatmirësisht dy pasagjerët e vetëm nuk janë dëmtuar, pasi ndodheshin të ulur në pjesën e pasme të furgonit. Ky është aksidenti i dytë i ndodhur brenda pak ditësh në rrugën e re hyrëse të qytetit të Beratit, ku ende mungon sinjalistika.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›