Kërcënon me armë familjen, prangoset burri i dehur
Një konflikt banal brenda familjes për pak sa nuk ka përfunduar me gjuhën e armëve. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, në fshatin Postrrib të Shkodrës. Ka qenë ora 21:30 kur, Shaqir Rekaj, sapo është kthyer në banesë, ka nisur të debatojë me gruan dhe fëmijët. Sipas policisë, konflikti ka pasur origjinë tërësisht banale, pasi Rekaj kishte shkuar i pirë në banesën e tij. Në grindje e sipër ai ka rrëmbyer armën dhe ka kërcënuar të gjithë familjarët. Këta të fundit, duke e parë vetën të kërcënuar me jetë, kanë lajmëruar menjëherë sallën operative të Shkodrës. Drejt vendit të ngjarjes është nisur një grup i gatshëm, ku është ndërhyrë menjëherë në banesën e Rekajve, duke bërë të mundur neutralizimin e të zotit të shtëpisë, i cili u është dorëzuar pa rezistencë forcave të policisë. Në të njëjtën kohë policia ka sekuestruar dhe një armë zjarri automatik dhe një krehër me fishekë që shtetasi Shaqir Rekaj mbante pa leje. Ndërsa familjarët më pas kanë bërë kallëzimin në polici për kërcënimet e bëra nga kryefamiljari i tyre i dehur, i cili përfundoi në prangat e policisë.