Moska, e kuqe apo blu?
Dash Frashëri
Mançester Junaitid, dy herë fitues i Ligës së Kampioneve dhe Çelsi (për herë të parë në një finale) do të luftojnë “dhëmbë për dhëmbë” për të ngritur trofeun në finalen e parë të gjithën angleze në Ligën e Kampioneve të mërkurën në Moskë. Të dy ekipet kanë në gjirin e tyre disa nga lojtarët më të mirë sulmues, dhe do të jetë e vështirë për mbrojtjet e dy klubeve për të ruajtur të paprekur portën.
MBROJTËSIT
MANÇESTER - United (të identifikuar si ‘djajtë e kuq’) dhe Çelsi (të personifikuar si ‘blutë’) e përfunduan kampionatin anglez në dy vendet e e para, dhe nuk është koincidencë që ishin edhe skuadrat që pësuan më pak gola, duke pasur edhe në vijën e pasme disa nga mbrojtësit më mirë në botë. “Red Devils” (Djajtë e kuq) pësuan vetëm 22 gola në 38 ndeshje dhe ata nxorën nga loja Barcelonën në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve për të mbërritur në Moskë.
Rio Ferdinand, Ues Broun dhe Patrice Evra kanë qenë të fortë gjatë gjithë sezonit, ndërkohë që Ouen Hargreaves mbushi vendin e të dëmtuarit Nemanja Vidic. Edvin Van der Sar ishte solid në portë dhe veterani bëri një tjetër sezon të shkëlqyer, pa y shqetësuar shumë nga presioni i ndeshjeve të mëdha. Ferdinand ishte si një shkëmb në mes të mbrojtjes kundër Barçës, dhe i tillë pritet të jetë edhe kundër Chelsea.
ÇELSI - Portieri i Çelsit, Petr Cech vlerësohet si një nga portierët më të mirë në botë dhe ai ka plot talent në linjën e pasme. Edhe pse pësoi tre gola në dy ndeshjet gjysmëfinale kundër Liverpulit, të gjithë besojnë se ai do të jetë shumë përcaktues me ndërhyrjet e tij. Xhon Terri është “spiranca” e mbrojtjes. Edhe pse ai pati një dëmtim në krah në ndeshjen e fundit në kampionat, nuk ka asnjë dyshim se kapiteni i Çelsit do të jetë fushë. Ndërda Terri është një lojtar i fuqishëm me cilësi të dukshme fizike, Rikardo Karvahlo e kompleton atë në qëndër të mbrojtjes si një lojtar me shumë aftësi. Mbrojtësi i majtë Eshli Kol, njihet për inkursionet sulmuese, ndërkohë që menaxheri i Çelsit, Avram Grant mund të vendosë Michael Esien në krahun tjetër, për t’i dhënë më shumë forcë mbrojtjes. Dy ekipet fituan takimet respektive në shtëpitë e tyre: Junaitid fitoi 2-0 në “Old Traford” dhe Çelsi fitoi 2-1 në “Stamford Bridge”.
SULMUESIT
MANÇESTER - Me këto cilësi të larta në mbrojtje, duket se goli nuk mund të shënohet kurrë, por dy ekipet kanë sulmues të aftë për të bërë gjëra të jashtëzakonshme individuale për të shënuar e hapur lojën. Kristiano Ronaldo është një golashënues i lindur. Anësori portugez shihet gjerësisht si lojtari më i mirë në botë pasi shënoi 41 gola në të gjitha kompeticionet, por të mërkurën në mbrëmje ai duhet të tregojë se është ai aftë të bëjë një kapërcim të madh, të kthehet në legjendë.
Ujeni Runi dhe Karlos Tevez janë dy sulmues të talentuar, por duhet parë nëse menaxheri Sër Aleks Ferguson do të vendosë të luajë më të dy, apo do të zgjedhë skemën një sulmues.
ÇELSI - Drogba ka qenë shumë i paqëndrueshëm gjatë këtij sezoni, por ai ka bërë ta kujtojnë sesa i rrezikshëm ai mund të jetë duke shënuar dy gola në fitoren e Çelsit kundër Liverpulit, që ndihmoi edhe ekipin e tij për të mbërritur në finale.
Mesfushori gjerman Mikael Balak është duke shijuar momentin e tij më të mirë qysh kur ai erdhi te Çelsi, duke shënuar të dy golat në fitoren 2-1 kundër “Djajve të kuq” në muajin prill. Frenk Lampard është kritikuar për lojën e tij të varfër me Anglinë, por ai ka bërë gjëra të jashtëzakonshme për Çelsin, dhe së bashku edhe me Balak ata mund të formojnë dyshen më të fuqishme në mesfushë. Pasi humbi betejën në kampionat, Çelsi beson se i ka të gjitha mundësitë për të hedhur poshtë shpresat e Fergusonit për fitimin edhe të Ligës së Kampioneve. Sulmuesi i Çelsit, Nikolas Anelka thotë: “Ne luajmë kundër Mançester Junaitid dhe ne i njohim ata, kështu që do të jetë shumë e vështirë, por unë mendoj se do t’ia arrijmë pasi kemi lojtarë të mëdhenj, të cilët janë të mësuar me këto lloj ndeshjesh. Çelsi është një nga ekipet më të mira në botë dhe kur ju shikoni emrat bindeni për këtë”. Ndeshja e së mërkurës vlerësohet si më e rëndësishmja në historinë 103-vjeçare të klubit të Roman Abramoviçit. Çelsi arrin për herë të parë në finale dhe synon njëherësh edhe trofeun më të rëndësishëm për klubet në Europë.
Liga e Kampioneve
FINALJA
21 maj, Moskë
Mançester Jun.-Çelsi
Ora 20:45
Direkt më Vizion Plus
Bastet
Bwin
Mançester Jun.-Çelsi
2.40 3.05 2.90
Mishel, bilbili i finales
Gjyqtari sllovak Ljubos Mishel është edhe arbitri që do të gjykojë finalen e Ligës së Kampioneve midis Mançester Junaitid e Çelsit (ora 20:45) në stadiumin “Luzhniki” të Moskës. Roman Sysko e Martin Balko janë ndihmësit e tij. Gjyqtari 40-vjeçar, një ish-mësues shkolle flet një anglishte dhe rusishte të përsosur.
Finalistët, borxhet 1.9 milardë euro
Chelsea e Manchester United, du finalistet e Champions League, janë të zhytura në borxhe që shkojnë deri në 1.9 miliardë euro. Gazeta britanike “The Guardian”, që ka bërë edhe llogaritë ën xhep dy klubeve shkruan se “Blutë” kanë në “vrimë” prej 736 milionë sterlina (935 milionë euro). Akoma më e rëndë është situata e debitit te “Djajtë e kuq”, që shkon deri te 764 milionë sterlina (960 milionë euro).
Abramoviç, 1 miliard rubla për lavdinë
Pronari karizmatik i Çelsit, rusi Roman Abramoviç ëndërron të përjetojë në kryeqytetin e atdheut të tij, një nga fitoret e tij më të mëdha qysh kurse bleu klubin më prestigjioz londinez. Miliarderi rus, njeriu më i pasur në Angli, ka shpenzuar rreth 1 miliardë rubla për të blerë “Çelskin” e ndodhur në moment kolapsi e për ta shndërruar në një fuqi britanike e europiane. Pikërisht, më 21 maj 2008, guvernatori i Çukotkës kërkon kompensimin moral.
ATMSOFERA MOSKOVITE
Luhet finalja e Ligës së Kampioneve. Sheshi i Kuq është shndërruar në një sallë të madhe lojërash, duke u transfomuar në një spot gjigant në prag të ndeshjes Manchester United-Chelsea, sfidës nga ku do të dalë edhe kampionia e re e Europës, pikërsiht në Moskë. Fantazia e organizatorëve nuk ka kufi: një fushë minifutbolli me bar sintetik në zemër të sheshit, ku luajnë fëmijë. Ekrane gjigantë japin momentet më magjike të Ligës së Kampioneve. Një mega-top, billboarde të Ligës së Kampioneve dhe mijëra turistë që nuk rreshtin së pushuari së bëri foto, pranë posterave që paraqesin Kristiano Ronaldon dhe Didier Drogbanë.
Altporlantët shpërndajnë në ajërin moskovit muzikën e Ligës së Kampioneve, por edhe muzikë trendi, për të joshur të adolishentët.
Lampard, pas finales te Interi
Për shtypin britanik “çështja Lampard” është e mbyllur. Mesfushori i Çelsit do të luajë kundër Manchester United në finalen e Ligës së Kampioneve edhe ndeshjen e tij të fundit me fanellën e klubit londinez. Tabloidët britanikë konfirmojnë nga burime italiane, por dhe nga drejtues të klubit të “Stamford Bridge” se kalimi i tij te Interi është thjesht një çështje kohe. Kontrata aktuale e Lampard skadon në vitin 2009, ndërkohë që lojtari pas takimit kundër Manchester United do të firmosë një kontratë katërvjeçare me një pagese vjetore prej 6 milionë euro. Blerja e kartonit ndërkombëtar nga Çelsi, Interit do t’i kushtojë 10 milionë euro.
Trofeu vlen 7 milionë euro
Fituesi i Ligës së Kampioneve, Çelsi apo Mançesteri, përveçse do të ngrejë lart “kupën me veshë” e do të hyjë në histori, do të marrë edhe një “zarf”, ku ndodhen jo pak, por 7 milionë euro. Në kundërt, ekipi humbës do të përfitojë 4 milionë euro.
Po sa marrin ekipet? UEFA vlerëson se të ardhurat nga Liga e Kampioneve për sezonin 2007-2008 do të jenë 824.5 milionë euro të ardhura nga të drejtat televizive dhe komerciale të kontraktuara nga UEFA. 75 për qind e tyre, ose 530 milionë euro, do t’u shpërndahen 32 ekipeve që morën pjesë në fazën e grupeve. 25 për qind e të ardhurave do të përdoren nga administrata e UEFA-s për të mbuluar shpenzimet administrative, pagesa për federatat (përfshirë edhe atë shqiptare) dhe klubet. Secili nga 32 klubet që merr pjesë në fazën e grupeve merr një bonus prej 3 milionë eurosh. Për çdo ndeshje që do të luajë merr një shtesë prej 400 mijë eurosh. Kësaj i shtohet një shumë prej 600 mijë eurosh nëse ekipi fiton, ose 300 mijë euro në rast barazim në fazën e grupeve. Çdo ekip që arrin në fazën e dytë, pra atë 16 ekipeve, merr një shumë shtesë prej 2.2 milionë eurosh. Tetë ekipet çerekfinaliste marrin shtesë një bonus prej 2.5 milionë eurosh secili. Gjysmëfinalistët përfitojnë edhe një shtesë prej 3 milionë eurosh secili. Fituesi i Ligës së Kampioneve merr së bashku me “kupën me veshë” edhe një shumë prej 7 milionë eurosh, ndërsa ekipi humbës i finales përfiton 4 milionë euro.
21 Maj 2008