Inspektorati i naftës: OK D1 të prodhuar nga ARMO
Nafta D1 e prodhuar nga kompania ARMO është e një cilësie të lartë, duke i përmbushur kështu të gjitha parametrat e duhura. Ky ka qenë rezultati i analizave të kryera nga Inspektorati Qendror Teknik. Sipas specialistëve të këtij inspektorati, për të kryer analizën është marrë kampion nga rezervuari 51 i Rafinerisë së Ballshit, ku sasia është rreth 1100 tonë. Pas analizës së kryer në laboratorët e inspektoratit, rezulton se përmbajtja e squfurit 132 miligramë për kilogram ose ppm, rezultat ky që është brenda parametrit të lejuar sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për cilësinë e lëndëve djegëse benzinë dhe diezel”. Vetëm pak ditë më parë drejtuesit e kompanisë ARMO deklaruan hedhjen në treg të naftës së cilësisë së lartë eurodiezel apo siç njihet ndryshe D1. Nafta e prodhuar nga kompania ARMO, ka përqindje shumë të vogël squfuri, çka e bën me cilësi më të mirë se ai i importit. Për herë të parë pas 30 vjetësh kompania ARMO arriti të prodhojë eurodiezelin e standardeve. Gjatë një prononcimi për media të dhënë pak ditë më parë drejtori i përgjithshëm i kompanisë ARMO, Rezart Taçi, ka deklaruar se kompanive evropiane për të ndryshuar teknologjinë u është dashur gati 15 vjet, ndërkohë që konsorciumi e ka realizuar atë vetëm tre muaj nga blerja e kompanisë ARMO. “Ky rezultat u arrit jo vetëm falë investimeve të realizuara nga ana e konsorciumit, por dhe punës inovatore të stafit të inxhinierëve dhe përkushtimit të punonjësve të rafinerisë së Ballshit”, tha Taçi. Tenderi për privatizimin e kompanisë së përpunimit të naftës “Armo” u zhvillua në muajin qershor të vitit të kaluar dhe fitues u shpall konsorciumi “Refinery Associates of Texas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group”. Ky konsorcium fitoi kështu të drejtën për privatizimin e 85 për qind të aksioneve të kompanisë së përpunimit të naftës shqiptare “Armo”. Konsorciumi fitoi pikët më të larta të vlerësimit prej 93,14 pikë për blerjen e 85 për qind të aksioneve të “Armo”-s. Privatizimi i kompanisë së naftës “Armo” është cilësuar si një ndër privatizimet më të rëndësishme, duke sjellë kështu një përfitim goxha të madh për qeverinë shqiptare. Çmimi i shitjes së 85 % të aksioneve të “Armo” sh.a., është 128,750,000 euro.