E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD emëron magjistratët në 7 gjykata

 

TIRANE - Merr fund protesta e magjistratëve, emërohen në shtatë gjykata. KLD, me anë të një njoftimi zyrtar pohoi se në mble-dhjen plenare të zhvilluar paraditen e djeshme në zbatim të ligjit për Shkollën e Magjistraturës, në unanimitet të anëtarëve të pranishëm, vendosi t'i propozojë Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në cilësinë e kryetarit të Këshillit, emërimin përfundimtar të 10 magjistratëve kandidatë për gjyqtarë, të cilët kanë përfunduar vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës më 2008 në dhjetë vende vakante. Kështu, sipas KLD-së magjistratët Rezarta Mataj dhe Enerjeta Deraj u propozuan për gjyqtarë në Gjykatën e Kavajës; Vojsava Osmanaj dhe Sonjela Voskopi, në Gjykatën e Korçës; Gentian Hamiti dhe Matilda Shalla, në Gjykatën e Fierit; Esmeralda Ceka, në Gjykatën e Lushnjës; Alma Hoxha, në Gjykatën e Krujës; Irida Kacerja, në Gjykatën e Shkodrës; si dhe Ervin Trashi, në Gjykatën e Gjirokastrës. Sipas KLD-së, tashmë pritet dekretimi nga kreu i shtetit për 10 magjistratët, të cilët pak javë më parë reaguan ashpër, duke protestuar me anë të një deklarate publike. Shkak për vonimin e emërimit të tyre u bë përplasja mes ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe anëtarëve të tjerë të KLD-së, për emërimin e magjistratëve në ato institucione, që kishin fituar statusin e "Gjykatave të Karrierës". KLD pohon se vendet e propozuara janë vënë në dispozicion të magjistratëve në mbledhjen e mëparshme të Këshillit më datë 9 mars 2009. Po kështu bëhet e ditur se në paraqitjen e çdo propozimi individual, KLD konsideroi në koherencën më të mirë të mundshme, renditjen e magjistratëve sipas vlerësimit përfundimtar nga Shkolla e Magjistraturës dhe preferencat e shprehura prej tyre, kërkuar nga ana e Këshillit disa ditë më parë. Gjithashtu, sipas tyre, në mbledhjen e djeshme, në vlerësim të rëndësisë së projektvendimit të Këshillit të Ministrave "Për mbrojtjen e veçantë personale, familjare dhe pasurore të gjyqtarëve dhe sigurimit të jetës dhe pasurisë së tyre", Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pohoi se, pasi diskutoi nevojat imediate për vënien në zbatim të garancive ligjore të mbrojtjes së gjykatave dhe gjyqtarëve, vendosi t'i transmetojë Ministrisë së Drejtësisë mendimet e saj mbi këtë akt nënligjor.                                      fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›