E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, zbardhet vendimi për garantimin e depozitave

 

Fabiola Çela

Qeveria rrit pragun e garantimit të depozitave të qytetarëve në banka. Deri tani niveli që merrnin përsipër bankat të paguanin në rast falimentimi ishte shuma prej 700 mijë lekësh, ndërkohë që me hyrjen në fuqi të vendimit të ri, bankat dhe qeveria do të garantojnë deri në 2.5 milionë lekë. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, qeveria miratoi projektvendimin e ri “për sigurimin e depozitave”. Në fakt, marrja e një vendimi të tillë u mor pas kërkesës zyrtare të bërë nga Banka e Shqipërisë. Kjo kërkesë e Bankës së Shqipërisë erdhi pas vendimit të marrë nga shumë banka evropiane, të cilat si pasojë e krizës rritën kufirin e sigurimit të depozitave të klientëve. Gjatë vitit të kaluar shumë klientë të frikësuar nga kriza botërore u drejtuan drejt bankave për të tërhequr paratë e tyre. Një fakt i tillë është pranuar edhe nga vetë drejtuesit e Bankës së Shqipërisë, gjatë deklaratës së politikës monetare për 6-mujorin e dytë të 2008-ës. Megjithatë, sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë, këto tërheqje parash nuk ishin në shuma të konsiderueshme.
Projektvendimi
Sipas të dhënave më të fundit, gati 50 për qind e depozitave të individëve janë nën vlerën e 2.5 milionë lekëve, ndërkohë që si numër, zotëruesit e këtyre depozitave përbëjnë rreth 96 për qind të numrit të depozituesve individë. Ndërkohë, skema e kompensimit aktual nuk është rishikuar, që prej krijimit të saj në vitin 2002 dhe nisur nga kjo strukturë depozitash qeveria e pa si të domosdoshme, që të rishikohej skema e sigurimit të depozitave, me qëllim mbulimin e një pjesë domethënëse të vlerës së depozitave. Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave depozitat deri në 2.5 milionë lekë do të garantohen 100 për qind, në rast se banka falimenton. Ndërkohë sipas skemës së mëparshme në rast falimentimi bankat garantonin deri në 700 mijë lekë të vlerës së depozitës. Por me ndryshimet e bëra ky prag është rritur. Sipas ndryshimeve të bëra në skemën e sigurimit të depozitave përfshihen edhe shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre. Gjithashtu është shkurtuar afati për fillimin dhe kryerjen e procesit të kompensimit të depozitave. Sipas ndryshimeve të bëra agjencia e sigurimit të depozitave (ASD), mund të financohet nga buxheti i shtetit në rast se një bankë falimenton dhe ASD duhet t’u kompensojë klientëve depozitat. Këshilli i Ministrave ka vendosur gjithashtu, që agjencia të përjashtohet nga të gjitha taksat dhe tatimet qofshin ato të drejtpërdrejta apo jo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›