E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektori i Berishës

Në Teatrin Profesionist të Gjilanit jepet premiera e shfaqjes ‘UN Inspektori’ e autorit David Farr dhe në regji të Fatos Berishës, e cila është një adaptim i dramës ‘Revizori’ të Gogolit. Kjo farsë apo komedi politike pritet t’i ngacmojë pushtetarët tanë. Nga Alfred Beka më 15 qershor 2011 në ora 13:06

Një shfaqje e gjilanasve, në Gjilan, por jo vetëm për gjilanasit. Shfaqja ‘UN Inspektori’ e autorit David Farr dhe në regji të Fatos Berishës, e cila do të jepet premierë në Teatrin Profesionist të qytetit të Gjilanit, të ënjtën në ora 20:00, nuk e shtjellon një tematikë që është aktuale vetëm për Gjilanin por për tërë Kosovën.

“Aktualiteti i tekstit është tmerrësisht i madh, ku ngacmohet lakmia njerëzore dhe korrupsioni”, u shpreh Fatos Berisha, regjisor i shfaqjes, në konferencën që u mbajt të martën në restorantin Rings në Prishtinë.

Ai tregoi se është hera e parë që po punon në Gjilan, ku ka gjetur një trupë të madhe dhe, siç u shpreh ai, shumë të mirë të aktorëve.

“E gjithë trupa jemi gjilanas. Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë. Është një shfaqje relativisht e madhe edhe sa i përket trupës së aktorëve, edhe sa i përket shfaqjes në aspektin e kohëzgjatjes, por edhe si investim kohor dhe financiar”, u shpreh Berisha.

Shfaqja ‘UN Inspektori’ është adaptim i David Farr nga ‘Revizori’ i Gogolit.

Punëtorët qeveritarë e gabojnë identitetin e biznesmenit anglez Martin Gamon për inspektorin e Kombeve të Bashkuara, që pritet të vijë në një shtet të imagjinuar të ish Bashkimit Sovjetik. Gamoni shfrytëzon këtë gabim dhe panikun e Presidentit dhe qeverisë për përfitime personale, gjersa gjithë establishmenti shpalos natyrën e tij të vërtetë korruptive dhe lakminë njerëzore.

Fatkeqësisht apo fatmirësisht, Berisha tha se situata e jonë politike dhe sociale na jep shumë mundësi për komedi, sidomos për komedi politike dhe farsë.

Ai shtoi se vetë teksti ia ka imponuar një formë ku përveç lojës konvencionale të aktorëve në skenë, që thyhet ai muri i katërt dhe aktorët komunikojnë direkt me publikun. “Autori i tekstit e ka shkruar ashtu dhe unë i jam përmbajt kësaj sepse më ka pëlqyer, është thyerje e shablloneve ose formave të teatrit edhepse edhe kjo është një formë në vete e teatrit. Është diçka që besoj se është shumë e mirë, është freskuese dhe ngacmuese”, tha regjisori Berisha.

Ndërkaq, producenti i shfaqjes Shkëlzen Berisha tha se kjo është konferenca e parë që Teatri i Gjilanit e bën në Prishtinë. Ai tregoi se premiera e kësaj shfaqjeje do të jepet më 16 qershor në ora 20:00 dhe do të pasohet me dy repriza më 17 dhe 18 qershor.

Përpos trupës së aktorëve, të cilët janë të gjithë nga Gjilani, Berisha tregoi se skenografinë e shfaqjes e ka bërë një holandez, Nico De Rooij, i cili ka ardhur enkas për këtë shfaqje, me ndihmë të ambasadës holandeze. Berisha shtoi se ‘UN Inspektori’ është një tekst mjaft rezonues në aktualitetin politik dhe social të Kosovës.

“Është një prurje në kohë jashtëzakonisht e mirë. Një prej arsyeve të përzgjedhjes së kësaj ka qenë zhanri i saj farsë me elemente të satirës politike, por njëkohësisht edhe mjaft argëtuese për publikun”, tha Berisha.

Ai tregoi po ashtu se këtë shfaqje, e cila e arrin shumën deri në 17 mijë euro, e ka sponsorizuar kryesisht Komuna e Gjilanit.

David Farr
është dramaturg, skenarist dhe regjisor, dramat e të cilit janë luajtur në gjithë botën. Kohët e fundit është duke punuar për film dhe televizion.

Ishte drejtor artistik i Gate Theatre në Londër dhe Bristol Old Vic. Gjatë kohës së punës në Bristol fitoi shpërblimin TMA për regjisorin më të mirë me shfaqjen “Ëndrra e një nate vere” të Shakespeare-it.

Më 2005 David Farr merr postin e drejtorit artistik në London Lyric’s Theatre, ndërsa momentalisht kryen funksionin e bashkëdrejtuesit të Royal Shakespeare Company.
Është autor dhe regjisor i një numri të madh të dramave. Teksti i tij ‘UN Inspector’ (adaptim i lirë i ‘Revizori’ të Gogolit) për herë të parë është vënë në skenë më 2005 në Teatrin Kombëtar në Londër.

Fatos Berisha
ka diplomuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, dega e Regjisë, ku kreu edhe magjistraturën për regji teatrore.

Ka punuar për teatër dhe televizion. Shfaqjet e tij të fundit ‘Beselam pse më flijojnë’ nga Rexhep Qosja dhe ‘Vdekja dhe vasha’ nga Ariel Dorfman fituan shpërblime në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit ‘Kosova in fest’ në Prishtinë, Festivalin Ndërkombëtar të Aktrimit në Fier të Shqipërisë, Festivalin Kombëtar në Dibër të Maqedonisë dhe Festivalin e Dramës Kombëtare ‘Flaka e Talias’ në Gjilan.

Fatos Berisha është bashkëthemelues i Teatrit Urban dhe Festivalit Ndërkombëtar të Filmit ‘PriFilmFest’. Berisha po ashtu ka, për disa vite, ka bërë regjinë e serisë televizive ‘Familja Moderne’.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›