E Shtunë, 31 Tetor 2026

Institucionet e pavarura, kundër shkurtimeve në buxhet

Kushtetuesja: Po cenoni pavarësinë e institucioneve. Paratë që na jepni nuk dalin as për të paguar energjinë elektrike


TIRANË - "Shkurtimet në buxhet nuk na lejojnë të kryejmë punën tonë. Paratë që na jepen nga qeveria mjaftojnë vetëm për të paguar faturat". Me këtë deklaratë kanë dalë dje Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Gjykata Kushtetuese.


Përfaqësuesit e këtyre institucioneve u shprehën se me reduktimin e fondeve të parashikuara për gjashtëmujorin e dytë, cenohet rëndë puna. Nga shkurtimet e fondeve, sipas deklaratës së përfaqësuesve të KLD-së, ILDKP-së dhe të Gjykatës Kushtetuese, këto institucione nuk do të munden që të paguajnë dietat dhe shpenzimet e tjera operative të nevojshme për funksionimin me kapacitet të plotë.


Gjykata Kushtetuese ishte në prej institucioneve që kundërshtoi më shumë shkurtimin e buxhetit duke e cilësuar si shkelje të pavarësisë së saj. Përfaqësuesi i institucionit, Kujtim Osmani deklaroi se nuk mund të bëhen shkurtime, sidomos në zërin e pagave për shoferët, pasi është ndërhyrje në pavarësinë e gjykatave dhe për këtë ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese.


Sipas sekretarit të përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese, ngërçi i krijuar për këtë institucion lidhet me shkurtimin e 11 punonjësve "Drejtoresha e buxhetit, gojarisht, e ka dhënë përkrahjen, por zyrtarisht nuk është bërë gjë.

Para këtij komisioni kërkojmë ndihmë që të na zgjidhet një ngërç i tillë, pasi është i krijuar artificialisht mes Gjykatës Kushtetuese dhe Ministrisë së Financave", - theksoi Osmani. Por një fakt i tillë u kundërshtua nga përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, e cila u shpreh se në buxhetin e rishikuar nuk ka asnjë shkurtim personeli. "Shkurtimi i personelit të Gjykatës Kushtetuese është i ligjit origjinal të vitit 2010.


Ky projekt nuk ka asnjë shkurtim të ri. Është numri që ju keni miratuar në nëntor 2009, shkurtimet janë efekte të ligjit të transportit që u miratua bashkë me buxhetin e vitit 2010", tha Mimoza Dhëmbi.


Ndërsa Kujtim Osmani sqaroi se problemi i shkurtimit të punonjësve e ka burimin tek vendimi i Kushtetueses për shfuqizimin e ligjit për transportin publik. Vendimi në fjalë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, por qeveria nuk e mori parasysh dhe në hartimin e buxhetit përdori strukturën e vjetër.


"Menduam se gabimisht është bërë reduktimi pa pasur parasysh këtë detyrim ligjor që rrjedh nga ligji organik që është miratuar me 3/5 dhe ky reduktim bëhet me një ligj që miratohet me shumicë të thjeshtë. Edhe pse vendimi i Kushtetueses e ka shfuqizuar ligjin në pikat përkatëse, nuk ka gjetur zbatim", - theksoi Osmani.


Një tjetër problem i ngritur nga sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese lidhet edhe me shkurtimin e shpenzimeve operative që, sipas tij, do të krijojë vështirësi për pagesat e shpenzimeve bazë, energji elektrike, ujë e shpenzime administrative.


"Nëse ne nuk paguajmë këto detyrime që kemi varet nga KESH nëse do na e presë energjinë apo jo", theksoi sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese. Por një deklaratë e tillë ndezi edhe debatet në Komisionin e Ligjeve.


Deputeti socialist, Pandeli Majko, akuzoi qeverinë se po godet institucionet e pavarura. "Në qoftë se ka një institucion të rëndësishëm që ka siguresat e funksionimit të ligjit dhe Kushtetutës në Republikën e Shqipërisë, është Gjykata Kushtetuese, ku përplasen valët edhe majtas edhe djathtas. A mund të më jepni një shpjegim zonja drejtoreshë e thesarit, çdo të thotë t'i shkurtosh një institucioni 20 e ca për qind personel dhe 20 e ca për qind buxhet? Po godisni autoritetin e Gjykatës Kushtetuese", - u shpreh deputeti Majko.

Presidenca


Gjatë seancës dëgjimore me përfaqësuesit e institucioneve, të cilave është parashikuar që t'u shkurtohen fondet, munguan përfaqësuesit e presidencës. Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, e cilësoi si të paarsyeshme mungesën e tyre në një kohë kur qeveria i ka shkurtuar paratë. Në total presidencës i janë shkurtuar fondet në masën 10 për qind.

Ministria e Drejtësisë


Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, deklaron se shkurtimet në buxhet nuk prekin punën e institucionit që ai drejton. "Nga analiza që sistemi i Ministrisë së Drejtësisë ka kryer në kuadër të shkurtimeve në buxhetin e vitit 2010, rezulton se këto ndryshime nuk prekin funksionimin normal të institucioneve si për zërin e pagave dhe të sigurimeve shoqërore ashtu edhe për zërin e shpenzimeve kapitale. Numri total i personave të shkurtuar është 103 njerëz", - tha dje Nishani.

ILDKP:

Po na hiqni paratë për të hetuar pasuritë e politikanëve

Edhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive shprehet kundër shkurtimit të fondeve. Përfaqësuesja e ILDKP-së u shpreh se shkurtimi do të kishte impakt negativ në punën e këtij institucioni dhe do të pengonte hetimin e pasurisë së politikanëve.


"Propozimi i Ministrisë së Financave për shkurtime në vlerën e 5.7 milionë lekë në shpenzimet operative do të jepte goxha impakt për vetë faktin se duke parë politikat që ka institucioni jonë, prioritet i është dhënë verifikimit dhe hetimit administrativ të pasurive dhe njëkohësisht edhe kontrollit të pasurive në vend.


Institucioni ynë po përballet me një volum të madh subjektesh, 4700, të cilat janë të shpërndara në të gjithë vendin dhe nëse do të realizohej ky shkurtim kjo do të sillte edhe një impakt negativ", - theksoi përfaqësuesja e ILDKP-së.


Në raportin e paraqitur para anëtarëve thuhet se shkurtimet në buxhet do të bëjnë të pamundur verifikimin e personave në konflikt interesi ku vetëm për gjashtëmujorin e parë janë 30 zyrtarë që kanë shkelur ligjin.


KLD: Nuk kemi para për dietat

Kontrolli i Lartë i Shtetit është një tjetër institucion që kundërshton shkurtimin e fondeve. Përfaqësuesja e KLD-së, Shpresa Kekezi, shprehet se shkurtimet e parashikuara nuk do të lejojnë kontrollet në rrethet e largëta si Tropoja apo Kukësi.


"Duke marrë parasysh se kanë mbetur edhe pesë muaj ku do kryhet një punë shumë e madhe në drejtim të verifikimit të pagesave, të inspektimit të gjykata, grumbullimit të të dhënave, do të rritet edhe pjesa e zërit të dietave.


Kur kontrolli do bëhet në gjykata shumë të largëta, dieta do të rëndohet. Duke hequr edhe dietat, sasia e parave është shumë e vogël gjë që e bën të pamundur realizmin e detyrave të vazhdueshme. Ne kërkojmë të rishikohet shkurtimi në masën 22%", - sqaroi Kekezi.


Avokati i Popullit


Prokuroria


Prokuroria e Përgjithshme, duke konfirmuar edhe qëndrimin e saj apatik kundrejt politikës shqiptare ka pranuar dje pa bërë asnjë kërkesë shkurtimin e buxhetit të saj. Pandi Madhi, sekretar i përgjithshëm i prokurorisë u shpreh: "Ne kemi rënë dakord për shifrat e dhëna në këtë projektbuxhet.


Kemi bërë disa ndryshime në akte nënligjore dhe kemi mundur të evitojmë disa pagesa, veçanërisht me shpenzimet operative dhe veçanërisht për inspektimet mjeko-ligjore apo për mbrojtjen ndaj zjarrit.


Pra, janë pagesa që bëhen nga ne dhe kalojnë në buxhet. Në kuadër këtyre ndryshimeve ne si prokurori nuk kemi vërejtje". Kjo ka sjellë edhe acarimin e deputetëve të opozitës, të cilët e akuzuan prokurorinë si institucionin më të dobët për realizimin e investimeve.


"Është institucioni më i dobët në realizimin e investimeve, nga 167.8 milionë investime janë realizuar vetëm 7.3 milionë. Cila është arsyeja që prokuroria nuk ka pranuar të përdorë paratë që i janë dhënë për të kryer investime?", tha deputeti i PS, Bashkim Fino.


SHISH kundër shkurtimeve, M.M dhe M.B i pranojnë

TIRANË - Komisioni i Sigurisë miratoi dje nen për nen projektligjin për buxhetin, ku të pranishëm ishin përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ i Shtetit. Vetëm SHISH ka kundërshtuar buxhetin që i është lënë për periudhën e mbetur të vitit, ndërsa dy përfaqësuesit e tjerë pranuan me qetësi ndryshimet. Përfaqësuesit e SHISH kërkuan më shumë fonde, pasi në rast të shkurtimit të shpenzimeve, ky institucion nuk mund të realizojë detyrat.


Shqetësimi i ngritur nga përfaqësuesit e SHISH lidhet edhe me pagat e punonjësve. Deputeti socialist Ilir Gjoni tha: Është qesharake se si Ministria e Mbrojtjes dhe e Brendshme i mirëpresin shkurtimet duke bërë dallimin nga SHISH, i cili ende mbetet një nga institucionet e pavarura të këtij shteti dhe që shprehin një shqetësim real. Sipas tij, shqetësuese është edhe mospërmbushja e kriterit nga vendi ynë për buxhetin, 2% të GDP për ushtrinë duke qenë se është edhe një detyrim që buron nga anëtarësimi në NATO.


Vonesa


TIRANË - Mbledhja e Komisionit të Sigurisë, edhe pse ishte caktuar për në orën 11:00, nisi me vonesë, pasi i pranishëm nga deputetët e mazhorancës ishte vetëm kryetari i komisionit, Leonard Demi.


Kjo ka bërë që deputetët e opozitës të dalin në mënyrë demonstrative. "U detyruam të presim 15 minuta dhe në shenjë proteste u larguam nga salla duke i bërë me dije kryetarit se kjo është një mungesë serioziteti nga ana e mazhorancës. Mungesa e seriozitetit u vu re edhe në seancën plenare kur mungoi kryeministri dhe kryetarja e kuvendit", - tha deputeti Ilir Gjoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›