E Diel, 1 Nëntor 2026

Institucionet paralele, si praktika të dështuara

Prof. As. Dr. Ardjan TURKU Dhe çudirat nuk kanë të sosur. Ishte kjo gjëja e parë që më erdhi në mend, posa pashë lajmin e krijimit të një shoqate të re, Shoqatës ...për Autonominë e Pushtetit Vendor, që ndodhi disa javë më parë, duke u ndarë nga mëma e saj. Sepse nuk mund ta quaj ndryshe. E kisha dëgjuar se mund të ndodhte, por nuk e kisha besuar. Sepse duhet të jesh tepër iracional që ta mendosh e jo më të veprosh në një mënyrë të tillë. Desha të reagoj publikisht, që në ato ditë. Por se bëra. Vendosa ta bëj tani, të shpreh opinionin tim. Dhe shtysa tashmë vjen nga ajo që po ndodh në praktikë. Në rastin e nevojës për solidaritet e ndihmë që kanë simotrat e njësive vendore në qarqet e Lezhës dhe Shkodrës. Duke parë ombrellat e partive që vijnë jo në të njëjtën linjë me solidaritetin popullor dhe logjikën e rasteve të tilla.Deri më tani ka pasur dhe ka një shoqatë të mirënjohur që quhet "Shoqata e Bashkive të Shqipërisë" (SHBSH), e cila prej 16 vitesh është iniciuar, përballur me vështirësi dhe rritur, duke arkivuar një histori suksesi. Kjo është arritur në sajë të anëtarësisë së saj, në radhë të parë të kryetarëve të bashkive në vite, të majtë dhe të djathtë, të bashkive të mëdha e të vogla. Në sajë të dëshirës dhe përkushtimit të tyre që Pushteti Vendor të rritet në kapacitete, që bashkitë të bashkëpunojnë pasi problemet dhe interesat i kanë të përbashkëta, por edhe në mbrojtje të interesave specifike të të gjitha bashkive apo grupbashkish të veçanta, sipas rastit.Si ish-kryetar bashkie (2003-2007) kujtoj me nostalgji atmosferën pozitive, klimën bashkëpunuese, takimet mujore periodike, sipas një plani pune të miratuar bashkërisht, aktivitetet e ndryshme me partnerë, shkëmbimet e ndryshme të eksperiencave reciproke iniciuar nga shoqata etj... Një klimë e aktivitet që na shkëpuste nga sfilitja e përditshme në qytetet tona, për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të përgëzuar njëri-tjetrin, të gjithë, të majtë e të djathtë. Ka qënë një periudhë e jashtëzakonshme kur në përgjithësi, ndikimet politike sipas krahëve politikë ishin minimizuar, kur respekti për të zgjedhurit vendorë nga këndvështrimi i imponimit politik ishte maksimal. Nga të dy krahët.    Duke parë këtë që po ndodh, dhe se kush është iniciatori, nuk ka se si (me dhimbje, e theksoj - me dhimbje) të mos kthej kokën e rifreskoj gjëra që i kam prekur vetë nga afër, me qëllimin për të kuptuar më mirë atë që po ndodh.Diku në fund të vitit 2003 u bë konstituimi SHBSH, për mandatin e ri në Pushtetin Lokal të atëhershëm. Bazuar në numrin e bashkive të fituara, vendi i kryetarit i takonte të majtës. Dhe a dini çfarë? Ish-kryetari i shoqatës, për mandatin 2000-2003, i cili drejtoi edhe mbledhjen nga fillimi në fund, deklaroi: kryetari do të jem përsëri unë, tani të votojmë një nënkryetar nga e majta dhe një nga e djathta. Dhe ashtu u bë, ndryshe nga sa statuti kërkonte, qoftë edhe një votim formal, qoftë edhe vetëm me një emër të propozuar nga e majta për kryetarin.Filloi një veprimtari intensive e shoqatës, me shumë dëshirë, me aktivitete të ngjeshura mujore. Për hir të së vërtetës mbaj mend që kryetari i atëhershëm, për gjatë gjithë atij mandati vetëm tre herë është bashkuar me ne, për gjatë vitit të parë (njëherë në Komisionin e Ekonomisë në Parlament për projektbuxhetin, së dyti në Vlorë me z. Nano, për decentralizimin në arsim dhe së treti, në një hotel në kryeqytet, për një plan mujor të punës së shoqatës).Për çdo muaj ishin nënkryetarët dhe kryesia që planifikonin dhe punonin. Madje edhe plani vjetor i aktiviteteve mbështetej në punën e lavdërueshme të stafit teknik, drejtorit ekzekutiv dhe dy nënkryetarëve të zgjedhur, përkatësisht Artan Haxhi (atëherë kryetar i Bashkisë Shkodër) dhe z. Artur Kurti (atëherë, por edhe sot, Kryetar i Bashkisë Kuçovë)Kujtoj se ndryshe nga më parë, që nga zgjedhja si kryetar i PS, z. Rama asnjëherë nuk komunikoi më me shoqatën, në të kundërt, filloi të akuzonte në distancë homologët e djathtë, si të urdhëruar nga lidershipi i djathtë për gjëra që kurrë nuk ishim thirrur e aq më tepër urdhëruar. Dhe kjo tregon se ndryshe nga lidershipi i mëparshëm i së majtës, nga i cili nuk kishim ndjerë trysni, por me raste edhe mbështetje, ndaj nesh tashmë filloi trysnia nga distanca. Gjithashtu për hir të së vërtetës duhet të them se në gjashtë vite të angazhimit tim në Pushtetin Lokal, lidershipi i djathtë, as mua personalisht e as kryetarë te tjerë të së djathtës nuk na ka përdorur si mekanizma presioni apo shtojca partiake. Takimet me të kanë qenë kryesisht takime pune, në kuadër të detyrave dhe problematikave të Pushtetit Lokal, aspak me kontekst partiak. Ndërsa në takimet në kuadrin e strukturave të PD kemi qenë pjesëmarrës si gjithë anëtarët e tjerë të këtyre strukturave.Nisur nga akuzat e atëhershme nga distanca ndaj nesh dhe shkëputjes de fakto nga shoqata të Kryetarit të SHBSH, që tashmë ishte edhe Kryetar i Partisë Socialiste, disa herë kemi diskutuar me kryetarët e tjerë të bashkive të majta, për një iniciativë shkarkimi të tij si kryetar shoqate. Pasi po prodhonte politikë nga pozicioni i ri i tij si kryetar i PS. Sepse kjo jo vetëm cënonte respektin reciprok, por shkatërronte edhe bazën e vetë themelimit të kësaj shoqate. E kuptonim pozicionin e vështirë të kolegëve të majtë dhe në emër të atmosferës dhe respektit, nuk e ndërmorëm kurrë këtë hap që na mundësonte edhe ne të prodhonim politikë.Opozita e sotme pretendon se shoqatën e aktivitetin e saj, sistematikisht e ka prishur maxhoranca e ardhur në pushtet në vitin 2005. Pretendim që e hedh poshtë vetë ecuria e procesit të decentralizimit dhe rritjes së buxhetit lokal, në një analizë të shtrirë katërvjeçare. Në të kundërt, SHBSH vazhdonte të funksiononte normalisht por besoj se lidershipi i majtë, me fitimin e disa bashkive kryesore në zgjedhjet lokale të vitit 2007, duke u orientuar fuqishëm në fitimin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, kishte humbur çdo interes dhe nuk ishte më në dijeni të aktiviteteve që zhvilloheshin. Në të kundërt, herë pas here, problematikat lokale të përbashkëta i ka trajtuar thjeshtë si probleme partiake dhe në funksion të politikës së majtë.Asnjëherë lidershipi i djathtë nuk na ka thirrur si drejtues lokalë, për të na urdhëruar për iniciativa politike, përveçse për t'u konsultuar në raste të ndryshme. Asnjëherë nuk na ka urdhëruar që të përdorim shoqatën për luftë politike, asnjëherë nuk na ka rreshtuar para mediave për të na turpëruar e jo më për të firmosur trotuareve, me tavolina që rëndom te tregu mbushen çakmakët. Janë gjetje origjinale, por jo dinjitoze.Në fakt ngjarjet e muajve të fundit vërtetojnë të kundërtën. Nuk dua të analizoj daljet publike të deritanishme të kryetarëve të bashkive të krahut të majtë, por nuk ka se si të mos evidentoj që këto dalje nuk kanë të bëjnë me ndonjë program të kësaj shoqate të re apo me ndonjë kalendar aktivitetesh të saj. Në formë e përmbajtje nuk është se ndryshojnë nga sfondi i sipërmarrjeve të tjera politike të së majtës. Dhe për hir të së vërtetës nuk shoh në fytyrat e tyre energjinë dhe besimin që karakterizon një kauzë të drejtë, gjithpërfshirëse, të mbështetur në mjete e taktika demokratike e transparente. Sepse ajo çka pretendohet nuk i takon vetëm së majtës. Duket qartazi që aktiviteti i tyre i deritanishëm është pjesë e strategjisë së opozitës dhe e diktuar politikisht nga ajo për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme. Aktivitetet e kësaj shoqate të re të deklaruar, janë pjesë e "masterplanit", për të përfshirë sa më shumë institucione që i bashkëngjiten idesë dhe praktikës iracionale të bojkotit dhe rrëzimit të maxhorancës. Për mua kjo është e dhimbshme, pasi në gjashtëmbëdhjetë vite ekzistence të SHBSH, karakterizuar nga tentativa sporadike ndër vite, për ta keqpërdorur politikisht apo ndikuar, është rasti i parë ekstrem, kur krejt politikisht jepet goditje shumë e rëndë. Autonomia e Pushtetit Vendor ka të bëjë me shumë elementë dhe në fakt lufta midis Pushtetit Vendor dhe atij Lokal, pikërisht për shkallën e autonomisë, është diçka që ka qënë, është dhe do të mbetet. Dhe jo vetëm në Shqipëri. është një pjesë dhe tregues i rëndësishëm i demokracisë dhe zhvillimit të saj. Por institucionalizimi i kësaj lufte, referuar të gjitha eksperiencave demokratike, bëhet vetëm nga shoqatat përkatëse, jashtë dallimeve partiake. Të godasësh një shoqatë si SHBSH, duke krijuar një shoqatë vetëm të të majtëve, zbukuruar me termin autonomi në emërtim, do të thotë të godasësh vetë autonominë. Sepse duhet të jesh i çartur të mendosh se shoqata e të majtëve do të arrijë suksese, të cilat do t'ua servirë në pjatën e argjendtë pushtetarëve lokalë të djathtë, që qenkan bërë për t'i qarë hallin opozita politike. Ndërkohë që e djathta është në maxhorancë.Unë kam respekt për të zgjedhurit vendorë të çdo krahu. Kanë marrë besimin e komuniteteve të tyre, pavarësisht sa të mëdhenj a të vegjël janë ato. Më vjen keq të shoh të zgjedhur vendorë të rropaten në rrugë me forma jo institucionale, si të ishin kuaj të vjedhur. Për më tepër me shirit në qafë. Për hir të Zotit, lidershipi ka nevojë për to e jo kryetarët e bashkive për lidershipin. Veç momentit kur merret vendimi për rikandidim. • Unë e di që këto kryetarë janë të majtë konsekuentë dhe kjo është normale. Siç kemi qenë dhe jemi edhe ne të djathtët. Një pjesë prej tyre i kam pasur e do t'i kem miq. Dhe i vlerësoj për atë që janë dhe që kanë bërë për komunitetet e tyre. • Unë e di se Pushteti Lokal ka njëmijë e një halle, dhe se për këtë do t'i duhet të përplaset me qeverisjen qendrore. E di se për këtë do t'i duhet mbështetje, edhe nga ne që kemi ngjitur shkallët duke e nisur nga Pushteti Lokal. E di se do t'i duhet lobim. • Por gjithashtu di se kjo nuk mund të bëhet pa racionalitet, apo me praktika që për hir të së vërtetës, edhe ne të djathtëve, ish-pushtetarë lokale na heqin jo vetëm mundësinë, por edhe dëshirën për të ndërmarrë angazhime konkrete në mbështetje të Pushtetit Lokal.Nuk kam të drejtë dhe nuk është në natyrën time të provokoj, cënoj sedrën apo bëj thirrje publike, por hapur po i them miqve të mi, pushtetarë lokalë të majtë, se mendoj se për aq sa kam parë të demonstrojnë deri tani, përfshirë dhe aktin e shkëputjes nga shoqata, po cenojnë identitetin dhe integritetin e Pushtetit Lokal. Sepse, formëzuar kështu, nuk besoj se i pranon kush si partnerë të besueshëm. Personalisht, më shumë kjo shoqatë më ngjason me një departament të Pushtetit Lokal pranë PS, duke e ndihmuar formalisht këtë të fundit, por me koston e një dëmi shumë të madh të vetvetes, kompromentimin e përpjekjeve për autonominë e Pushtetit Lokal dhe interesave të vërteta të tij. Nuk pretendoj se kam ekskluzivitetin e së vërtetës absolute në atë çka po them. Por thjeshtë kështu mendoj. Dhe nuk di se sa të besueshëm e të pranueshëm do të jenë në sytë e të tjerëve, edhe nëse do të arrijnë të zgjidhin problemet e vërteta. Nuk jemi vendi i parë që ndodh ky fenomen. Ekziston një eksperiencë e ngjashme në Hungari dhe Moldavi, ku u krijuan shoqata mbi baza partiake. Dhe rezultati atje ishte mosnjohja dhe izolimi e për rrjedhojë, jeta e shkurtër e tyre. Mosnjohje nga të gjithë partnerët, sidomos ato ndërkombëtare. Natyrisht e kam të vështirë të bëj parashikime për më tej. Në fakt kam shumë pikëpyetje:"    Nuk e di nëse u kërkuan kontakte institucionale me Qeverinë, nëpërmjet shoqatës dhe iu refuzuan.• Nuk di se përse nuk u konsiderua SHBSH si institucion ku kolaudimi i kërkesave bashkë me të djathtët, që paraqitja e tyre, Qeverisë dhe Parlamentit, do të kishte shanse maksimale për zgjidhje. • Nuk di nëse u përpoqën të lobonin dhe nuk u mirëpritën.• Nuk e di nëse pas braktisjes së shoqatës do t'i duhet të mos pinë më as kafe me kolegët e djathtë. Me të cilët nuk i lidhën partitë, por sfidat e përbashkëta.• Nuk e di se ku do të përfundoje më tej, ndoshta sipas kalendarit të diktuar të protestave. • Nuk di se përse të tëra kërkesat u bënë në rrugë, si garniturë e mospranimit të zgjedhjeve të përgjithshme?• Por e di se kjo do të marrë fund, kur të marrë fund iracionaliteti politik i bojkotit apo braktisjes së institucioneve, shoqëruar me përpjekje të dëshpëruara për të krijuar të tjera institucione në rrugë, si mjete për arritjen e qëllimit. • Gjithashtu e di se kur të përfundojë përdorimi si institucion mjet, do të gjendet një pretekst i sheqerosur apo ndërmerret një iniciativë për t'u ribashkuar. Gjë që do të dëshiroja të ndodhte një orë e më parë. Jo si humbje e së majtës apo fitore e së djathtës. Por sepse bashkimi është më i rëndësishëm se pretekstet. është fitore e Pushtetit Lokal, e autonomisë së tij.Disa pyetje të tjera që më lindin dhe po i shpreh, thjeshtë për të nxitur logjikën e ftohtë janë:• A mendoni se do të keni sukses? • A mendoni se do t'ju presin krahëhapur në Kongresin e Autoriteteve Lokale të Këshillit të Evropës, në emër të shoqatës suaj? • A mendoni se do t'ju pranojnë si shoqatë në partneritetet e tjera në CEMR, NALAS, Alda etj.? • A mendoni se do të aplikoni për projekte të ndryshme në ambasadat apo burimet e ndryshme të financimit për Pushtetin Lokal, ne emër të shoqatës suaj? Dhe do të mirëpriteni e mbështeteni?• Po kapacitetet e ngritura me aq mund pranë shoqatës, e që i kanë asistuar bashkive nuk vlejnë më për ju dhe do të krijoni të reja? Gjë që kërkon vite të tëra.• Po lidhjet me partnerë brenda dhe jashtë vendit, lidhje besueshmërie dhe ndihmë reciproke, a do të mund të funksionojnë për ju?• A mendoni se partnerët do të mbështesin projekte veç për të majtët dhe veç për të djathtët?• Po ato projekte në implementim e sipër, a do të vazhdojnë apo, siç ndodh rëndom në të tilla raste, partnerët do t'i ndërpresin apo ngrijnë?Përpiqem t'ju kuptoj dhe sinqerisht ju them se deri diku e kuptoj darën e politikës që ju ka shtrënguar. Sepse të gjithë kemi kaluar eksperienca të ndryshme, për projektligje a qëndrime të veçanta. Por kurrë të këtyre përmasave. Dhe me të tilla pasoja. Do të doja t'ju shihja shumë shpejt, të gjithë bashkë. Duke qarë hallet tuaja dhe punuar për Pushtetin Lokal. Për komunitetet tuaja. Duke qenë lokomotiva të ndryshimeve të qyteteve tuaja, siç kanë qenë në vazhdimësi kryetarët në vitet postkomuniste. Dhe duke lobuar në rrugë institucionale ndaj Qeverisë, brenda shoqatës së vërtetë, ku në fakt do të keni peshë më të madhe sesa të veçuar. Brenda asaj shoqate ku metodat asfiksuese dhe të përdorimit që demonstrohen jo rrallë në politikë, mbeten thjeshtë në periferi, pa arritur të cënojnë thelbin e vërtetë të ekzistencës së saj. E uroj me gjithë shpirt që kjo çudi që ndodhi, të mos zgjasë shumë. Për të marrë fund një praktikë që njihet e dështuar. Ndryshe të gjithë jeni të humbur, i gjithë Pushteti Kokal. Këtë e di me siguri. Ndërsa politika që shtyu urët e këtij zjarri, le t'i bëjë vetë hesapet e përfitimit.Deputet i PD.Zv.kryetar i Parlamentit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›