Shesh apo përshesh?
Edmond Tupja Vazhdoj të kaloj me biçikletë nëpër sheshin Skënderbej dhe gropat janë po aty, dhe biçikleta ime kërcet e rënkon, dhe fundi i shpinës sime, që nuk quhet më shpinë, më dhemb dhe unë pres prej shekujsh të rregullohet sheshi kryesor i kryeqytetit tim të lindjes (e, me shumë gjasë, të vdekjes), që të paktën gropat të rrafshohen e unë, ndoshta bashkë me ty, o lexues i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, të kaloj me biçikletë pa u troshitur e pa u nervozuar, qoftë edhe heshtas. Por, me sa duket, do të presim që të dy gjatë, shumë gjatë.Do të presim gjatë, shumë gjatë, sepse sheshi është bërë aq përshesh, sa rrezik që pritja jonë të shkojë për lesh (ngaqë për pambuk, mëndafsh apo ndonjë tjetër fibër tekstili as nuk bëhet fjalë!). Sepse që të rregullohet sheshi, do të duhet të hapen kutitë e votimit; jo vetëm kaq, por me t'u hapur këto kuti, do të bjerë menjëherë niveli i ujit që ka përmbytur Shkodrën, gjendja në ujëvarën e Drinit, në Bunë e në liqenin e Shkodrës do të normalizohet sa të hapësh e të mbyllësh sytë, hundët, gojën e të gjitha vrimat e tjera të trupit, si me magji do të pushojë shkrirja e akujve në polet e Veriut e të Jugut, efekti serrë do të dobësohet, kriza botërore dhe gripi i derrave do të zhduken pa lënë gjurmë, Shqipëria do të futet aty për aty në Bashkimin Evropian, ku do të marrë në çast kryesinë e radhës dhe fonde, fonde për zhvillim do të vërshojnë pa mbarim në ekonominë fatlume shqiptare, dhe personalitetet më të shquara të Partisë Socialiste do të marrin drejtimin krenar të organizmave të tilla si NATO, Këshilli Evropian, Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, FMN, Banka Botërore etj., etj. Por më kryesorja do të jetë se parashikimet e frikshme të kalendarit Maja për fundin e pashmangshëm të botës, pas dy-tri vitesh do të dalin të rreme.Vetëm pas këtyre mrekullive në shkallë planetare, do t'i vijë radha sheshit Skënderbej që unë dhe ti, o lexues i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, të mos lëndohemi nga vithet, kur të kalojmë nëpër të biçikletisht të ngazëllyer. Sigurisht, që nivelimi përfundimtar i gropave të sheshit në fjalë do të realizohet nga firmat e huaja tashmë të njohura (franceze, belge, marsiane, jupiteriane e ku di unë se ç'firmë tjetër e lavdishme ndërplanetare!) dhe për këtë garanton kreu i Bashkisë së Tiranës. Ditën kur do të realizohet ëndrra e vitheve tona, e vitheve të të gjithë biçiklistëve të Tiranës, Shqipërisë, Ballkanit, Evropës, rruzullit mbarë, do zhvillohen pikërisht nën hundën e kalit të Skënderbeut, Turi i Francës dhe Xhiroja e Italisë, pa folur për rrethet çiklistike të vendeve të tjera me traditë në këtë lloj veprimtarie sportive: "çiklistë të të gjitha vendeve bashkohuni!" - do të thërrisnin Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini, Mao Ce Duni dhe Enver Hoxha po të çoheshin nga varri për të përuruar jo vetëm sheshin Skënderbej, të rindërtuar nën duartrokitjet e parfumuara të vitheve të çiklistëve, por edhe gjithë veprat e reja të panumërta të konceptuara e të realizuara për mirëqenien e pareshtur të vitheve jo vetëm të çiklistëve, por edhe të atyre që, me vetmohim, u rregullojnë atyre biçikletat, sidomos shalat më në fund të lumtura nga pesha e nga ngrohtësia e vitheve të pajtuara me sheshin horizontalisht paqësor për to.Mirëpo këtë perspektivë të shkëlqyer të sheshit Skënderbej e të atyre që e përshkojnë atë çdo ditë me biçikletë, e errëson kokëfortësia e Kryeministrit Berisha, që nuk dëshiron t'i hapë kutitë. Përballë këtij fakti, çiklistët vitherozë që përshkojnë rregullisht sheshin Skënderbej kanë vendosur të dalin në protestë pikërisht në atë shesh gropa-gropa, gunga-gunga, gropa-gunga e gunga-gropa, për t'u zvarrisur atje vithazi e bythazi, deri sa t'u dalë gjak nga të ndenjurat e për ta akuzuar Kryeministrin për vithocid. Por, në kundërshtim të plotë me ta, çiklistët vitheblu kanë vendosur që, ditën e protestës së homologëve të tyre vitherozë, t'ua hipin biçikletave të braktisura prej këtyre të fundit, pasi të jenë dendur me fasule pllaqi; do të gjëmojë atëherë fuqishëm e parfumshëm kori i vitheve të tyre, aq sa kali i Skënderbeut do të hingëllijë pa asnjë kompleks nga lart e nga poshtë dhe patkonjtë tij do të nxjerrin xixa, duhet rrahur kalldrëmin e sheshit mejdan betejash historiko-çiklistike, ndërsa Skënderbeu i entuziazmuar do të vringëllijë shpatën e tij në një spektakël madhështor, të financuar nga tërë pasardhësit e sulltanëve të Turqisë kudo që të jenë nëpër botë.