Ndalohen me ligj ndërtimet në periferi të qyteteve
Ndërtimi i banesave apo çdo aktiviteti në një tokë bujqësore, tani e tutje do të jetë i pamundur. Këshilli i Ministrave ka dërguar në Kuvend një ligj të ri për mbrojtjen e tokës bujqësore, duke përcaktuar se vetëm me ligj nga Kuvendi apo me vendim të Këshillit të Ministrave, ndryshohet destinacioni i tokës bujqësore për të bërë ndërtime. Deri në ditën e sotme, në periferitë e qyteteve, buzë rrugëve nacionale, në qendrat e komunat etj., ku realisht kanë qenë toka bujqësore, janë ngritur ndërtime të shumta, duke prishur tokën. Një rast tipik është periferia e kryeqytetit, ku komunat përreth kanë dhënë leje ndërtimi pa fund në toka bujqësore apo buzë autostradave, por që me këtë ligj lejet nuk do të mund të jepen më. Tashmë, me këtë ligj të ri, komunat e kanë të pamundur të japin leje ndërtimi, nëse në atë tokë nuk ka një vendim qeverie që e lejon apo një ligj nga Kuvendi.
Ndërtimet
Sipas projektligjit të qeverisë, përcaktohet se ndryshimi i destinacionit të një toke bujqësore mund të jetë e drejtë vetëm e Kuvendit dhe e qeverisë. Kështu, në tokat bujqësore deri në kategorinë 4 të bonitetit, miratimi i kalimit të sipërfaqeve për ndërtime bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave vetëm në rastet kur ndërtohen objekte të rëndësisë së veçantë infrastrukturore. Në këto toka, komunat nuk kanë të drejtë të japin leje ndërtimi dhe nëse e bëjnë një gjë të tillë, objekti prishet dhe komuna gjobitet financiarisht. Nga ana tjetër, në tokat me bonitet mbi 5, mund të lejohen ndërtime vetëm nëse këtë gjë e miraton qeveria ose Kuvendi me ligj. Kështu, për toka bujqësore nën 30 hektarë mund të ndërtohet vetëm nëse qeveria merr vendim, ndërsa mbi këtë sipërfaqe duhet ligj nga Kuvendi. Kalimi i tokave bujqësore në pyje, kullota, livadhe dhe anasjellash bëhet nën 1 hektar nga ministrisë që i administrojnë dhe mbi 1 hektar bëhet nga Këshilli i Ministrave. Kalimi i tokës bujqësore në kategori të tokës së pafrytshme bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave nën 30 hektarë dhe mbi 30 hektarë bëhet me ligj në Kuvend
Penalitetet
Projektligjit parashikon ngritjen e një strukture të veçantë në formën e një inspektorati, i cili do të bëjë kontrolle të vazhdueshme. Kështu, çdo subjekt që bën ndërtim në tokë bujqësore, gjobitet nga 5 mijë lekë deri në 50 mijë lekë të reja, ndërsa punonjësi i komunës gjobitet nga 1 mijë deri në 10 mijë lekë të reja. Edhe strukturat e menaxhimit të tokës në Ministrinë e Bujqësisë mund të vendosin gjoba që nga 10 mijë deri në 20 mijë lekë të reja. Kundravajtësi në momentin që merr gjobën, brenda 5 ditëve ka mundësi të ankohet tek kryetari i Këshillit të Qarkut, i cili ka për detyrë që për 10 ditë të kthejë përgjigje.
Ndryshimi i destinacionit të tokës bujqësore
Në tokat bujqësore deri në kategorinë 4 të bonitetit, miratimi i kalimit të sipërfaqeve për ndërtime bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave vetëm në rastet kur ndërtohen:
1-Rrugë kombëtare e rurale
2-Hekurudha, aeroporte dhe porte detare
3-Sipërfaqet për shpim për kërkim nafte e gazi
4-Hidrocentralet
5-Sipërfaqet për varreza publike
6-Në funksion të mbrojtjes kombëtare
7-Shtesat e sipërfaqeve në territore pranë objekteve ekzistuese jo më shumë se 3 hektarë
Në tokat bujqësore deri në kategorinë nga 5 në 10 të bonitetit bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave nën 30 hektarë dhe mbi 30 hektarë bëhet me ligj në Kuvend
Kalimi i tokave bujqësore në pyje, kullota, livadhe dhe anasjellash bëhet nën 1 hektar nga ministrisë që i administrojnë dhe mbi 1 hektar bëhet nga Këshilli i Ministrave.
Kalimi i tokës bujqësore në kategori të tokës së pafrytshme bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave nën 30 hektarë dhe mbi 30 hektarë bëhet me ligj në Kuvend