E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-Çitaku: Angazhim për njohjen e Kosovës

Qeveria shqiptare mbetet e përkushtuar për avancimin e procesit të njohjes së shtetit të Kosovës. Këtë siguri i dha dje zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zëvendësministres së Jashtme të Kosovës, Vlora Çitaku, gjatë takimit të djeshëm në Tiranë. Zhvillimet në Kosovë e rajon, ecuria e procesit të njohjes së Kosovës, ndihma dhe mbështetja për konsolidimin e institucioneve të saj, proceset integruese evropiane e euroatlantike dhe marrëdhëniet dypalëshe ishin temat kryesore që u trajtuan në takim. Lidhur me procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, Meta i rikonfirmoi Çitakut përkushtimin e plotë të qeverisë shqiptare. Duke nxjerrë në pah rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, ministri Meta shprehu gatishmërinë për të bërë të gjitha përpjekjet e duhura për të siguruar pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha forumet dhe projektet e bashkëpunimit rajonal. Meta vlerësoi se “Republika e Kosovës ka përshkuar në një kohë shumë të shkurtër një rrugë e cila ka lënë gjurmë të forta në themelet e këtij shteti dhe që është reflektuar edhe në njohjen ndërkombëtare dhe në progresin e institucioneve të Kosovës”. Në planin konkret të bashkëpunimit, Meta dhe Çitaku konstatuan nivelin e shkëlqyeshëm të marrëdhënieve midis Shqipërisë e Kosovës dhe shprehën angazhimin për intensifikimin e bashkëpunimit në fushat e infrastrukturës, energjitikës, tregtisë, turizmit, arsimit e kulturës dhe investimeve të përbashkëta në këta sektorë.

Drejt krijimit Partia e Grekëve të Shqipërisë

Listës së gjatë të partive politike në vend i shtohet së shpejti edhe Partia e re e Grekëve të Shqipërisë. Në një takim të zhvilluar para disa ditësh në Sarandë, u formësua programi dhe statuti i saj. Përmes një deklarate të shpërndarë dje për mediat, mësohet se nismëtarë të Partisë së Grekëve është shumica e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të OMONIA-s, të deklaruar para disa muajve, të cilët kishin kërkuar me ngulm thirrjen e Këshillit të Përgjithshëm të Organizatës me qëllim reformimin e plotë të saj me atribute të një partie politike, pasi bashkëpunimi me PBDNJ-në e z. Vangjel Dule nuk ka më të ardhme, përderisa u shndërrua në artificë të PS-së së Edi Ramës. Pra, bëhet fjalë për vazhdimësinë e OMONIA-s me atribute të pastra politike dhe elektorale. Lëvizjes për krijimin e Partisë së Grekëve, përveç shumicës së anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të OMONIA-s, i janë bashkuar ish-kryetarët e organizatës, Zarballa, Qirjazati dhe Llabovitiadhi, ish-deputetë dhe deputetë (Thoma Miço, Ziso Lluci, Kristo Goci, Ligoraq Karamelo), ish-kryetarë dhe kryetarë komunash (Petro Bereti, Vangjel Anagnosti, Panteli Toli, Andrea Zoto, Ziso Lluci, Koço Kosta, Dhimitër Mejdi, Fredo Berberi, Fredi Xhomo), ish-kryetarë dhe kryetarë bashkish e rrethesh (Vasil Cako, Llambi Gjati, Ilia Seferi), dhjetëra te zgjedhur në organet e pushtetit lokal, intelektualë të MEG.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›