Strasburgu nuk mbështet Ramën
Tentativa e Edi Ramës për të përdorur ndonjë deklaratë të përfaqësuesve të Parlamentit Evropian në interes të tij si alibi për t’i vënë kushte tryezës së pritshme me Kryeministrin Berisha, ka dështuar. Strasburgu foli dje qartë kundër vazhdimit të bojkotit, ndërsa zv.presidenti i PE-së ka shprehur keqardhje për keqinterpretimin e deklaratave të tij në takimin me Ramën. Sqarimin e qëndrimit të PE-së për çështjen e bojkotit dhe kërkesës për hapjen e kutive e bëri europarlamentarja Doris Pack, një njohëse e mirë e çështjeve shqiptare ndër vite. Ajo tha dje se askush nuk mund të dalë kundër rezolutës së Parlamentit Evropian të miratuar vitin që shkoi, e cila dënonte bojkotin. “Fola personalisht me zëvendëspresidentin e PE-së, zotin Libor Roucek dhe ai shpreh keqardhje për keqinterpretimin e deklaratës së tij. Parlamenti Evropian ka dhënë një përgjigje shumë të qartë me votën e tij, mbi situatën në Shqipëri kur adaptoi raportin mbi strategjinë e zgjedhjeve të BE-së më 26 nëntor 2009”, - tha dje Pack nga selia e PE-së në Strasburg. Në raportin e këtij institucioni thuhet qartë në nenin 27 se “PE i bën thirrje opozitës t'i japë fund bojkotit të Parlamentit dhe i bën thirrje të kryejë detyrën e saj në Parlament, duke përfaqësuar votuesit, i bën thirrje qeverisë dhe opozitës të gjejnë një kompromis”.
Sipas Pack, “konform me këtë rezolutë dhe duke reflektuar mazhorancën në PE, zoti Roucek i ka kërkuar zotit Rama t'i japë fund bojkotit të Parlamentit”. Në fakt u duk si paradoksal interpretimi i bërë dje nga PS i deklaratave të Roucek, i cili vetëm dy javë më parë në një tjetër takim me deputetët socialistë të LMN-së u shpreh se bojkoti është një veprim antidemokratik. Ndërkaq më tej europarlamentarja shprehet se “lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, nuk i takon qeverisë të hapë kutitë e votimit, por gjykatës”. Sipas saj, “çdo ankesë e zotit Rama, lidhur me përmbajtjen e kutive të votimit duhet t'i drejtohet gjykatave përkatëse”. Duke analizuar atë çfarë ndodhi në zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe pretendimet që ngre PS-ja, Pack, këshillon Ramën që të kthejë partinë në jetën parlamentare. “Meqë vetë vëzhguesit socialistë në zgjedhjet e qershorit, rezultati i të cilave, u njoh nga vëzhguesit ndërkombëtarë, nuk patën apo ngritën asnjë kundërshtim lidhur me numërimin e votave, zoti Rama dhe kolegët e tij, këshillohen që të bëjnë atë që Parlamenti Evropian u ka kërkuar të bëjnë edhe vitin e kaluar: Të kthehen në Parlament, e të fillojnë punën në interes dhe përfitim të qytetarëve shqiptarë. Veprimet e socialistëve po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë e si pasojë vënë në rrezik procesin e liberalizimit të vizave”, - theksoi Pack.