E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kurbani” i Ramës, Berisha: Libri i vajeve për humbjen e bashkisë

Komenti i Berishës për librin e Ramës: “Libri hapet me epitafin ‘Mbeçë more shokë mbeçë, te dera e bashkisë, mbeçë’. ‘Nuk ma ka fajin partia, fajin ma ka babëzia, sepse më iku bashkia’”

TIRANË Libri “Kurbani” i shkruar nga kryetari i PS-së, Edi Rama, ka zënë një kohë të konsiderueshme të qëndrimit që kryeministri Sali Berisha mbajti dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së. Rrëfimi i Edi Ramës që pritet të përfshijë emra njerëzish të njohur, politikanë, familjarë, gazetarë, ambasadorë, personazhe historike etj. është ironizuar dje nga kreu i ekzekutivit, Berisha. Duke marrë spunto nga titulli “Kurbani”, që, siç është shprehur Rama, është nxitur nga therja e qengjit në derë të Bashkisë së Tiranës me rastin e zgjedhjes së kryebashkiakut Lulëzim Basha, kryeministri Berisha tha dje se një libër i tillë meritonte një tjetër titull: “Kur hidheshin themelet e korrupsionit”. Ende pa u botuar, Kryeministri shtoi se ky do të jetë libri i vajeve për humbjen e Bashkisë së Tiranës. ”Ndërsa ne përpiqemi për të promovuar reformat, ai (Rama) paska qenë i mbyllur duke shkruar një libër. Kjo është një histori shumë interesante. Libri që në të vërtetë meriton titullin: “Kur hidheshin themelet e korrupsionit”, e ka gjithnjë një kthim te libri ”Kur lindi partia”, tek idhulli i tij, pra në vend që të kishte këtë titull “Kur hidheshin themelet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, libri rezulton që është i tëri një vaje për Bashkinë e Tiranës. Libri i vajeve për humbjen e Bashkisë së Tiranës. Dhe në mënyrën më interesante për ta shndërruar atë totalisht në vaje, vendos në epiqendër kurbanin, viktimën”, - tha Berisha. Por Kryeministri nuk e ka mbyllur me kaq komentin e tij. “Libri hapet me epitafin ‘Mbeçë more shokë mbeçë, te dera e bashkisë, mbeçë’. ‘Nuk ma ka fajin partia, fajin ma ka babëzia, sepse më iku bashkia’. Tani të shohim sesi do të shkruajë vëllimin tjetër, ky zotëri”,- tha ai. Berisha shkoi tej, teksa hodhi si hipotezë faktin se Rama mund ta ketë shkruar këtë libër për të rivalizuar Ben Blushin, i cili këtë javë pritet të nxjerrë librin e tij më të fundit. “Njëherë mendova se mos ndoshta ky do të rivalizojë me Blushin. Por është një marrëzi të tentosh të rivalizosh me Blushin, i cili ka arkivin e gjyshit të tij, sa kjo dhomë, që edhe po t’i kishte Blushi tri jetë, nuk i del dot në fund. Dikush më tha se ka marrë vesh që do të finalizojë këtë librin për Enverin, sepse për Enverin - thotë ai - shkruajnë , -‘ndërsa për mua nuk shkruan kush, ndaj dhe do të shkruaj unë për veten time’. Të bëjë ç’të dojë, unë e ftoj për reforma, ai pastaj le të vazhdojë me libra, “’Mbeçë more shokë mbeçë , te dera e bashkisë, mbeçë’. Këtë zgjodhi ai për epitaf”, - tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›