E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, LSI: Është koha për bashkëpunim

TIRANË Në një kohë kur mbetet më pak se një muaj nga shpallja e progres-raportit të Brukselit për Shqipërinë, Lëvizja Socialiste për Integrim, shprehet se nuk ka më kohë për të humbur. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, ka deklaruar dje se qytetarët shqiptarë dhe interesat evropiane të vendit kanë nevojë për bashkëpunim politik. “Reforma zgjedhore dhe e gjithë paketa që vjen si kusht për tërë procesin e integrimit evropian të vendit është ajo që duhet të dominojë dhe që duhet të na bashkojë të gjithëve në qëndrimin që mbajmë. Nuk ka kohë për të humbur. Nuk ka kohë për kundërvënie për shkak të interesave partiake, por ajo ç’ka është e rëndësishme, është që duhet të gjithë të kontribuojmë pozitivisht. Lëvizja Socialiste për Integrim shpreson dhe beson dhe një herë që edhe lidershipi i Partisë Socialiste më në fund ta kuptojë që edhe interesat e qytetarëve, të votuesve dhe të simpatizantëve të Partisë Socialiste janë një me interesat evropiane të vendit”, - tha dje Rama. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së kërkoi që PS-ja të ridimensionojë rolin e saj. “Lëvizja Socialiste për Integrim, siç është shprehur gjithnjë, ka qenë dhe mbetet e gatshme të kontribuojë pozitivisht, jo vetëm për të përshpejtuar ritmet e integrimit evropian të vendit, por edhe duke ofruar projekte dhe drafte konstruktive, në përputhje me interesat evropiane të vendit, reformën zgjedhore dhe në tërësi të gjitha kushtet që kërkon procesi i integrimit evropian të vendit”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›