OSBE: Reforma parlamentare të jetë hapi i parë
TIRANË Partia Socialiste ka gjetur dje edhe mbështetjen e OSBE-së për nevojën e reformës parlamentare. Kreu i përfaqësisë së kësaj organizate në Tiranë, Eugen Wolfarth, pas një takimi që ka zhvilluar me kreun socialist, Edi Rama, në zyrën e këtij të fundit, ka bërë të ditur për mediat se trajtimi i barabartë i opozitës dhe mazhorancës në Kuvend përbën një çështje primare për demokracinë. Ndaj, ka theksuar ai, është e nevojshme vendosja e rregullave të qarta në rregulloren e parlamentit. “Unë mendoj se është gjithashtu shumë e rëndësishme që të ketë qartësi dhe pozita të barabarta në rregulloren e parlamentit”, - tha ambasadori i OSBE-së Wolfrath në hollin e selisë rozë. Ai ka shkuar edhe më tej, kur ka theksuar se ndoshta duhet të shihet mundësia, që opozita e sotme të trajtohet në të njëjtën mënyrë që e ka trajtuar rregullorja e Kuvendit edhe opozitën e para 2005-ës. “Padyshim, do të ishte shumë mirë që të shihej se si është trajtuar ajo në të shkuarën, dhe që përfaqësuesit e qeverisë dhe të opozitës të jenë në pozicione të barabarta në Kuvend, në mënyrë që procesi të jetë i drejtë”, - u shpreh Wolfarth. Ndërkohë që ai ashtu si edhe opozita ka vlerësuar se ndryshimi i rregullores së Kuvendit duhet të ishte çështja e parë, që duhet të angazhonte palët e përfaqësuara në të, në mënyrë që t’i hapej rruga një bashkëjetese normale në institucion ligjvënës. “Ndoshta ky është një hap themelor, një hap i parë themelor. Ky do të ishte një hap i parë shumë i rëndësishëm”, - u shpreh Wolfath. Kuvendi ka futur ndërkohë në procedurë parlamentare shqyrtimin e propozimeve të paraqitura nga Partia Socialiste për ndryshimin në Rregulloren e Kuvendit.