E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Sequi: Përgjegjshmëri! Wollfarth: Besim!

 Në fjalën e saj, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, theksoi se integrimit i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet qëllim kombëtar i vendit.

Për zonjën Topalli, statusi i vendit kandidat do të merret pavarësisht qëllimit bllokues të opozitës. “Uroj që Shqipëria të mund ta marrë statusin e vendit kandidat. Nuk ka qenë një rrugë e thjeshtë, ka pasur pengesa, por asnjë forcë politike nuk mund t’i ikë këtij objektivi kombëtar që bashkon të gjithë shqiptarët”, u shpreh ajo, duke shtuar se ky proces nuk mund të ndalet.

Për të, integrimi në BE shihet si një proces rritjesh standardesh, në ekonomi, legjislacion, edukim dhe në fushën e të drejtave. “Ne e ndjejmë veten evropianë ne qëndrojmë në mes të Evropës, Kohët e fundit kemi bërë progres për reformat, është në proces reforma parlamentare dhe ajo zgjedhore. Besoj që deputetët e parlamentit kanë vullnetin për ta cuar më tej procesin”, vijoi.

Sequi: integrimi, duhet të ketë përgjegjshmëri

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sekui e vë theksin tek përmbushja e 12 rekomandimeve, dhe sigurisht as në këtë rast nuk harroi të bënte apelin e kamotshëm për politikën shqiptare, atë të bashkëpunimit. “Integrimi është proces përgjegjshmërie, duhet bashkëpunim. 12 prioritetet kusht për të ecur para drejt integrimit. Veprimtaritë e Komisioni i Integrimit, me rëndësi.  Lista e 12 prioritetet është kusht për integrimin, si proces që bazohet te meritat”, thotë Sekui, duke shtuar se nuk kanë munguar përpjekjet, por mbeten ende shumë gjëra për t’u bërë.  “Kërkohet angazhim i plotë, i sinqertë dhe bashkëpunim. Intensifikoni dialogun me takime të ngjashme dhe bëni përparime në rrugën tuaj”, u shpreh gjithashtu.

Wolfarth: Reforma zgjedhore me rëndësi për demokracinë

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, përqendrohet tek reforma zgjedhore, institucioni i të cilit asiston Shqipërinë në këtë drejtim. Ai kërkon gjithashtu edhe besim midis aktorëve politikë. “Theksoj domosdoshmërinë e reformës elektorale, që është një nga çështjet që OSBE e ka më shumë për zemër dhe ju jeni të gjithë të njohur. Një reformë zgjedhore përbën reformën më të rëndësishme për të çuar më tej zhvillimin demokratik, proces që kërkon kuptimshmëri të lartë në nivelin politik dhe të tjera, e jam i kënaqur që puna vijon. Inkurajoj aktorët të ndërtojnë një praktikë pozitive, dëshira politike, besimi i ndërsjellë i aktorëve është i rëndësishëm që reforma të finalizohet në mënyrën dhe kohën e duhur”, shprehet Wollfarth.

Ai shton se edhe reforma në drejtësi është element me rëndësi për integrimin dhe demokracinë. “Është mbresëlënëse se orientimi i qartë i qeverisë dhe kuvendit për miratimin e legjislacionit në përputhje me rekomandimet dhe ju inkurajoj të mishëroni vlerat e BE duke i përdorur ato në praktikat e përditshme”, shton.

Një tjetër shqetësim për përfaqësuesin e OSBE-së në Tiranë, edhe zgjidhja e çështjes së pronave. “Legjislacioni konfliktual ka çuar në ndalimin e zbatimit të ligjeve dhe procese gjyqësore të vonuara dhe cenimin e sigurisë ligjore. Qeveria duhet të falenderohet për draftin e strategjisë për pronat dhe shpresojmë që kjo të hapë dritën jeshile për miratimin e ligjeve përkatëse”, vijon. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-03-09 10:36
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›