E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisma e Greqisë: Shqipëria në BE brenda vitit 2014



Greqia ndërmerr një nismë që synon përfshirjen e Shqipërisë në BE brenda vitit 2014, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit. Sipas zëvendësministrit të Jashtëm grek, Dimitris Droutsas: “Mesazhi i thjeshtë i Greqisë është që e ardhmja e afërt e Ballkanit do të jetë BE-ja dhe Greqia do të jetë në ballë të kësaj përpjekjeje”.

Athina zyrtare kërkon avancim të mëtejshëm të ecurisë integruese të Ballkanit Perëndimor me synimin e qartë për të ardhmen e afërt evropiane të Shqipërisë, e cila në bazë të një nisme greke, synohet të përfshihet në BE brenda vitit 2014, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit. Për këtë ide të re politike foli dje në Tiranë ministri plotësues i Punëve të Jashtme të shtetit grek, Dimitris Droutsas, i cili gjatë takimit me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, pohoi angazhimin e shtetit fqinj për integrim në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor në 2014-n. Një afat i zgjedhur jo pa qëllim nga Kryeministri Papandreu, hartues i planit që mban emrin e tij. Sipas Droutsas, ky vit shënon 100 vjet nga fillimi i Luftës së Parë Botërore dhe Evropa, si simbol i paqes, duhet të japë shembullin duke integruar vendet e Ballkanit Perëndimor. ”Kryeministri Papandreu do të prezantojë së shpejti një propozim të ri për afrimin e Ballkanit me Bashkimin Evropian, që ajo të kulmojë me anëtarësimin e tyre në vitin 2014. Ideja e kësaj nisme ka në thelb të saj paqen, pasi në vizionin e saj Greqia vlerëson se Ballkani është një rajon historik dhe i pashkëputshëm i BE-së. Mesazhi i thjeshtë i Greqisë është që e ardhmja e afërt e Ballkanit do të jetë Bashkimi Evropian dhe Greqia do të jetë në ballë të kësaj përpjekjeje”, - tha z. Droutsas. Ai vuri në dukje se Shqipëria ka ecur përpara dhe na lejon ta shohim të ardhmen tonë të përbashkët në BE. Pas një takimi që zgjati të paktën 1 orë, ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, tha se angazhimi i Greqisë në proceset integruese të Shqipërisë, por dhe gjithë rajonit daton prej samitit të Selanikut. Meta vlerësoi se Greqia ka treguar të jetë për Shqipërinë një partner i shkëlqyer dhe mbështetës i fortë politik. Vizitën e tij në Tiranë, ministri grek ftoi të lexohet si mbështetje e garantuar e shtetit fqinj, për integrimin evropian të Shqipërisë. “Tashmë në Greqi është një qeveri e re, e Kryeministrit Papandreu e cila ka promovuar një axhendë tepër të rëndësishme për të përshpejtuar integrimin dhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2014 që përkon jo rastësisht me 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore”, - theksoi ministri i Jashtëm, Ilir Meta.

Kufiri detar, Droutsas: Në interes të dy vendeve tona

Greqia, shteti ynë fqinj, beson se marrëveshja me Shqipërinë për ujërat detare është rruga e duhur e qeverisë së Tiranës për të çuar vendin drejt BE-së. Zëvendësministri i Jashtëm grek, Dimitris Droutsas, bëri dje të qartë në Tiranë se marrëveshja detare mes Shqipërisë dhe Greqisë është në interes të të dy vendeve dhe ka të bëjë me marrëdhënien e fqinjësisë së mirë. Sipas tij, marrëveshja është në interesin e përbashkët të të dyja vendeve.

“Pakti përbën një hap të mirë në përpjekjet që po bën Shqipëria drejt perspektivës evropiane", - tha Droutsas. Në përgjigje të interesit të gazetarëve, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, dhe diplomati grek, Droutsas, risqaruan pozicionin e palëve lidhur me marrëveshjen që përcakton ndarjen e ujërave detare mes dy vendeve. Ministri Ilir Meta vuri në dukje se është hedhur baltë mbi marrëveshjen dhe është dezinformuar opinioni publik, në një kohë kur qeveria ka ofruar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për transparencë të plotë për procesin. Meta dhe Droutsas biseduan për një stad të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve. Rëndësi e posaçme do të vijojë t’i kushtohet bashkëpunimit ekonomik, për këtë qëllim javën që vjen do të zhvillohet në Tiranë forumi ekonomik shqiptaro-grek, i parë si mundësi për rritjen e pranisë së investitorëve grekë në Shqipëri.

Droutsas-Berisha: Garë fisnike për arritjen e standardeve të BE-së

Greqia siguron Kryeministrin Sali Berisha për mbështetjen e plotë të qeverisë greke dhe të vendit të tij ndaj Shqipërisë për hapat e mëtejshëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, por edhe të mbarë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Kryeministri Berisha priti dje ministrin e Jashtëm Plotësues të Greqisë, z. Dimitris P. Droutsas. Ky i fundit vuri në dukje se Greqia mbetet një ndër përkrahëset më të fuqishme të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë në hapësirat evropiane. Në këtë kontekst ministri Droutsas i bëri me dije Kryeministrit Berisha vizionin tashmë të shpalosur nga Kryeministri Papandreu dhe qeveria e tij, për një nxitje të re të objektivave të axhendës së Selanikut, duke kërkuar që BE-ja të përcaktojë një limit kohor sa më të shpejtë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, në përputhje me axhendën e Selanikut, duke sugjeruar vitin 2014 si afatin maksimal për përmbylljen e këtij procesi. Duke folur për këtë çështje, si dhe duke e cilësuar procesin e integrimit në BE, si një garë fisnike për arritjen e standardeve më të larta të demokracisë dhe prosperitetit, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë për këtë nismë të Kryeministrit Papandreu, e cila synon që në përputhje me axhendën e Selanikut, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor të përfundojë në kohën më të shpejtë të mundshme. Kryeministri Berisha ripohoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të adresuar me seriozitetin më të madh pyetësorin që po përgatit Komisioni Evropian dhe për të marrë çdo reformë për të përshpejtuar hapat e mëtejshëm për këtë projekt madhor kombëtar. Në të njëjtën kohë, Kryeministri Berisha i shprehu ministrit Droutsas vendosmërinë dhe angazhimin e tij dhe të qeverisë shqiptare për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë e re të Kryeministrit Papandreu, për të konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore mes të dy vendeve. Në takim u diskutua gjithashtu edhe për marrëveshjet e rëndësishme të nënshkruara mes dy vendeve, të cilat kanë krijuar një kuadër ligjor të shkëlqyer bashkëpunimi. Në takim u diskutua gjithashtu edhe për zhvillimet në rajonin e Evropës Juglindore, në veçanti mbi çështjen e Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›