Islanda, Johannesdottir: Absurd dhe jonormal bojkoti i PS-së
Absurd dhe jo normal e quajti dje në Tiranë kryeparlamentarja islandeze, znj. Asta Johannesdottir, bojkotin e opozitës ndaj Kuvendit. Gjatë takimit dje me Kryeministrin Sali Berisha u diskutua për situatën paszgjedhore dhe vendimin e opozitës për të bojkotuar institucionet demokratike. Kryeparlamentarja Asta Johannesdottir dhe deputetët e tjerë të Parlamentit e konsideruan vendimin e opozitës për bojkot si një akt jonormal e absurd për një vend demokratik. Gjithashtu, duke iu referuar kërkesës së opozitës për rinumërim të votave u theksua se në asnjë rast nuk mund të ndërhyhet politikisht për të ndryshuar vendimet e gjykatave. Deputetët e Parlament të Islandës theksuan se në këtë stad të zhvillimit të vendit, kur Shqipëria ka hedhur një hap të madh e jashtëzakonisht të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE, pas vendimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së për të pranuar kërkesën për statusin e vendit kandidat, vendimi për bojkot është i gabuar dhe uruan që qytetarët shqiptarë të mos ndikohen nga qëndrime të tilla të një individi të vetëm, por të mbështesin rrugën e reformave evropianizuese dhe institucionet demokratike në përpjekjet e tyre për të përafruar sa më shpejt vendin me BE-në. Kryeparlamentarja theksoi se bojkoti i institucioneve demokratike është një akt që zhgënjen dhe dëmton besimin e qytetarëve shqiptarë që votuan që deputetët e tyre t’i përfaqësojnë ata në Parlament, prandaj opozita duhet të shkojë në Parlament.