E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Topi: PD-PS janë përgjegjëse për dështimin

Bamir Topi

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi një ditë pas publikimit të progres-raportit të Komisionit Evropian u ka drejtuar një mesazh partive politike në vend. Topi duke bërë përgjegjëse dy partitë kryesore për dështimin në marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në BE, ka bërë thirrje për një sjellje ndryshe nga ajo që është para në tre vitet e fundit.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një aspiratë me interes kombëtar për Shqipërinë, ndaj edhe në momente të tilla, qytetarët dhe publiku kanë të drejtë të ndihen të braktisur nga klasa e tyre politike. Në radhë të parë 12 rekomandimet e BE-së iu adresuan qeverisë dhe opozitës, dhe sot kur bilanci tërësor mbetet negativ, përgjegjësia direkte bie pikërisht mbi këto palë politike, tha Topi duke shtuar se palët politike nuk pranuan asnjë përgjegjësi konkrete, por fajësuan palën kundërshtare.

Presidenti tha se Shqipëria ka nevojë për një vizion të ri politik, për qëndrime e politika të përgjegjshme, jashtë retorikave personale. Në këtë mënyrë ai apeloi të marrin përgjegjësitë dhe të dalin mbi interesat.

Politika nuk ka vlerë nëse ajo kufizohet vetëm në fushata elektorale dhe rivalitet personal; para së gjithash ajo matet me rezultatet konkrete në interes qytetar e publik. Kur politikanët nuk e përmbushin këtë mision, atëherë ata humbasin bazën morale për të përfaqësuar qytetarët. Sot politika shqiptare ka nevojë për një reflektim të thellë moral e përfaqësues, për të fituar sa më shpejt kohën e humbur ose të paktën, për të mos u bërë më pengesë e procesit të evropianizimit të Shqipërisë, ka përfunduar Topi.

Florenc Stafa

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›