E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi në BE, pyetësor me 4500 pika

Rruga e Shqipërisë drejt Brukselit do të kalojë përmes një pyetësori me 4500 pika. 

 Gjendja social-ekonomike, e rendit dhe politike në vend do të "skanohet" përmes këtij pyetësori, i cili do të pasqyrojë qartë rezultatet e deritanishme. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, mblodhi dje në Durrës sekretarët e përgjithshëm të ministrive, me qëllim përcaktimin e hapave dhe detyrimeve të mëtejshme, të cilat rrjedhin nga ambiciet euro-integruese të vendit tonë. Forcimi i koordinimit ndërinstitucional, i parë si faktor kryesor, suksesi për integrimin e Shqipërisë në BE, ka mbledhur në një takim të nivelit të lartë të vendimmarrjes pjesëtarë të administratës shtetërore. Ata janë ftuar nga Ministria e Integrimit për të dhënë propozime konkrete me qëllim rritjen e kapaciteteve të administratës shqiptare për t'u afruar gjithnjë e më shumë me standardet evropiane. Kjo praktikë është e ngjashme me pyetësorët e Maqedonisë dhe të Kroacisë, vende këto të cilat kanë të njëjtat ambicie integrimi me Shqipërinë. Pyetësori do të shpërndahet në mesin e muajit qershor dhe dhënia e përgjigjeve duhet të kryhet minimalisht brenda katër muajve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›