E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Rama-Berisha po bllokojnë drejtësinë

Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, akuzoi dje kryetarin e Partisë Socialiste se po mbron korrupsionin dhe trafiqet e qeverisë. 

"Në qoftë se këta dy njerëz merren vesh për të penguar drejtësinë, këta dy njerëz merren vesh për të shkatërruar çdo gjë tjetër që është e shenjtë në këtë vend. Prandaj, është niveli i korrupsionit kaq i lartë, prandaj janë trafiqet e drogës dhe trafiqet e tjera kaq të larta. Sepse Sali Berisha e ka nënshtruar Edi Ramën, partinë më të madhe opozitare në Parlamentin shqiptar", tha Prifti. Nënkryetari i LSI-së u shpreh se, "kjo Qeveri është e inkurajuar, sepse kryetari i Partisë Socialiste ka pushuar së bëri opozitë, sepse kryetari i PS-së është bërë nënkontraktor i Qeverisë për të mbrojtur korrupsionin, paaftësinë, trafiqet dhe gjithë të tjerat". I menjëhershëm ka qenë reagimi i PS-së, përmes zëdhënëses së kryesisë, Mimi Kodheli, e cila i ka cilësuar të turpshme akuzat e Priftit. "Edi Rama pa dyshim do t'i shkojë deri në fund kësaj çështjeje dhe e fton Ilir Metën të kontribuojë për heqjen e imunitetit të Bashës, e jo të rrëshqasë në batakun e politikës së vjetër", u shpreh Kodheli. Nënkryetari i LSI-së akuzoi kryeparlamentaren se nuk ka sjellë në Kuvend kërkesën e Gjykatës së Lartë për heqje të imunitetit nga Lulëzim Bashës, pas kallëzimit që Edi Rama i bëri atij për shpifje. Prifti për këtë veprim të kryeparlamentares, kërkon dorëheqjen e saj. Por nënkryetari i LSI-së shpreh habi se përse vetë Edi Rama nuk e kërkon heqjen e imunitetit të Bashës, kur vetë ai ka bërë kallëzim penal ndaj ministrit të Jashtëm për shpifje. "Pse trembet zoti Rama nga kjo akuzë? Pse nuk i ka kërkuar Kuvendit  të merret me këtë akuzë?", vijoi Prifti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›