E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meidani: Në vend të Topit do firmosja për referendumin

Presidenti që dekretoi Kushtetutën e vitit 1998, pas referendumit popullor, Rexhep Meidani, shpjegon firmën e tij në kërkesën për referendum. Nëse do të ishte në pozicionin e Bamir Topit, Meidani thotë se do të kishte hedhur firmën në këtë kërkesë. 

Aristir Lumezi

Sipas tij, amendamentet e fundit kushtetuese shfaqin një shqetësim real për sot dhe për nesër për demokracinë duke parë emrat e përveçëm në "lojën e pushtetit".
Ju keni firmosur dje, për nevojën e kryerjes së referendumit popullor për ndryshimet kushtetuese. Si ish-garant i Kushtetutës në rolin e presidentit, sa mendoni se është cenuar Kushtetuta e 1998?
Fillimisht, vlen të theksohet se kjo firmosje, edhe nga ana ime është fare normale. Ekziston një procedurë mjaft standarde në të gjitha vendet demokratike, që për ndryshimet kushtetuese, të organizohet referendum popullor. Madje, në mjaft raste një gjë e tillë konsiderohet dhe tepër parimore. Mund t'iu kujtoj, p.sh., që para disa vjetësh në Francë, vetëm për të ndryshuar mandatin kohor të Presidentit të Republikës nga 7 vjet në 5 vjet u organizua referendumi popullor përkatës. Kjo edhe pse presidenti i asaj kohe, Shirak, ishte plotësisht dakord me këtë ndryshim.  Në rastin tonë, kjo bëhet akoma më e arsyeshme, madje detyruese, duke pasur parasysh që dhe Kushtetuta e vitit 1998, pas aprovimit në Kuvend, u miratua përfundimisht me një referendum popullor. Aq më shumë që ndryshimet e fundit nuk janë më të karakterit thjesht "numerik", si në rastin e parë të shtesës së numrit të anëtarëve të KQZ-së, por të një karakteri parimor. Ato kanë të bëjnë me dy mekanizma bazë të ekuilibrit demokratik, atë kontroll-balancimit dhe të ndarjes së pushteteve.
Ka një debat në lidhje me skadencën e afatit ligjor për dërgimin e kërkesës për referendum në KQZ, nga ana e përfaqësuesve të Partisë Socialiste. A mund të përbëjë kjo një pengesë në miratimin e kërkesës së Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës?
Nuk mund të ketë pengesa ndaj një kërkese për referendum, që lidhet me ndryshime kushtetuese. Kjo edhe për faktin që ka dy kolona të hierarkisë së lartë në demokraci, që nuk mund të shmangen. Njëra ka të bëjë me mundësinë reale të shprehjes së vullnetit të popullit, jo thjesht dhe vetëm në një proces të rregullt zgjedhor, por dhe në përballje të tjera masive, siç janë referendumet, dhe e dyta që për këtë shprehje nuk mund të ketë kufizime të pakuptimta apo të shfrytëzohen receta tepër të ngurta kohore. Përndryshe mund të preket rëndë sovraniteti i popullit, qoftë dhe kur ai vetëm pjesërisht dhe për një kohë të përcaktuar delegohet tek përfaqësuesit e tij. Ka shumë mundësi që këtu e ka origjinën dhe gabimi në "interpretim". Disa deputetë (më shumë "ushtarë") e gjykojnë apo e propagandojnë delegimin e përfaqësimit në mënyrë absolute("universale"), kur, praktikisht, ky përfaqësim ka thjesht një karakter relativ("individual").
Çfarë rrezikshmërie për demokracinë kanë amendamentet kushtetuese në lidhje me mënyrën e zgjedhjes së presidentit dhe çështjen e mocionit të mosbesimit ndaj kryeministrit?
Krahas ndryshimit të baraspeshës së kolonave themelore të shtetit apo prekjes së "kandarit" të drejtpeshimit në lidhje me pushtetet kryesore, të mishëruar në Kushtetutën e vitit 1998, një problem në vete, madje një rrezikshmëri shumë më të lartë, përmban aspekti konkret e praktik. D.m.th., kur kalohet nga ana parimore, filozofike-ligjore e problemit në atë njëemërore. Parë dhe emrat e përveçëm në "lojën e pushtetit", këto amendamente mund të shfaqin një shqetësim real, për sot dhe nesër, qoftë në mbarëvajtjen e proceseve demokratike, qoftë në konsolidimin e shtetit të së drejtës. Aq më tepër që demokracia shqiptare është ende mjaft e brishtë, ndërsa emancipimi shoqëror jo aq i sigurt dhe opinioni publik jo aq i fuqishëm, në përballjen me lajthitjet e politikës.
Si e konsideroni dhënien e firmës për referendum nga ana e pasardhësit tuaj, zoti Alfred Moisiu, por dhe të shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli?
Manifestim konkret të një shpirti realisht të lirë e demokratik, sepse kështu, duhet kuptuar për mendimin tim, çdo kërkesë për mendim dhe vendimmarrje nga sovrani, apo me gjuhën poetike të Dritëroit, nga burimi origjinë apo "gurra popullore". Kjo sepse dhe uji i burimit, në rrjedhjen e tij të mëtejshme, mund të turbullohet dhe të humbasë cilësitë fillestare! E pse ky proces natyror mos përfshijë dhe atë të përfaqësimit! Bile, për shumë arsye!...Po ashtu, gjykoj, se zbatimi i demokracisë së drejtpërdrejtë, në lidhje me formulimin e formësimin e kolonave bazë të shtetit, është dhe pjesë e ndijimit të tyre institucional, e kuptimit demokratik dhe serioz, e kulturës dhe seriozitetit mbi vetë shtetin, ndërtesën e tij.
Cili duhet të ishte pozicioni i kryetarit aktual të shtetit, zotit Topi, në lidhje me këto ndryshime? Çfarë ju do të  kishit kërkuar në vendin e tij?
Mund t'i drejtoheni me pyetjen tuaj, zotit Topi. Sidoqoftë, përshtypja ime është se zgjidhjet duheshin kërkuar përpara precipitimit. Po ashtu, nuk më duket se puna e presidentit mbyllet me ndonjë fjalim, të përgatitur apo të improvizuar, qoftë dhe me ndonjë deklaratë publike, si kalimthi. Por, tani jemi këtu ku jemi. Personalisht, po të ndodhesha në një pozitë të ngjashme, po të kisha po të njëjtën bindje dhe shqetësim, që kam dhe aktualisht për ndryshimet kushtetuese, sipas analizës time, do t'i bashkohesha iniciativës së referendumit. Apo, të paktën, do ta nxitja e përshpejtoja atë nga ana procedurale. Por bindjet, perceptimet dhe shqetësimet nuk mund të jenë patjetër të ngjashme!...    
Duke gjykuar produktet që ka sjellë pakti për reforma mes PS-së dhe PD-së, sa të kujdesshme duhet të jenë amendamentet e ardhshme apo propozimet për ndryshime në sistemin e drejtësisë apo dhe reformën zgjedhore, e cila është ende në përpunim?
Nuk më pëlqen të merren me komente "eterike" apo paragjykime. Por nëse preket në mënyrë të njëjtë Kushtetuta, do të ishte jo vetëm një papjekuri tjetër politike, por dhe një dëshmi e keqe e seriozitetit (më saktë e mungesës së seriozitetit) të një pjese të politikës, në lidhje me ndryshimet "marathonomake" dhe të "mbyllura" kushtetuese, tashmë të kryera. Madje, dhe sa e drejtë është kërkesa për referendum: Për ta bllokuar këtë "lojë" të pakuptimtë, deri të rrezikshme, apo për të rritur përgjegjësinë e vendimmarrjes politike përfaqësuese. Ndërsa, për hartimin dhe miratimin e përbashkët të disa ligjeve, p.sh., të Kodit Zgjedhor, natyrisht që bashkëpunimi është i nevojshëm dhe i dobishëm. Bile, për këtë kod, sa më i gjerë! Por, ama, pa harruar që praktikisht në Shqipëri, këtë periudhën e fundit, ka ndodhur një akumulim i jashtëzakonshëm i pushtetit në një dorë të vetme, madje, diku dhe me "bekimin", deri naiv, të opozitës apo të ndërkombëtarëve!...
Keni pasur reagime zoti Meidani nga përfaqësues të Partisë Socialiste lidhur me deklarimin tuaj pro mbajtjes së referendumit me firmosjen e kërkesës së djeshme?
Po të kisha konstatuar ndonjë reagim të tillë negativ, do ta konsideroja tepër fyes e hipokrit. Kjo edhe pse krahas disa grupimeve të tjera, ishin socialistët, si udhëheqje e anëtarësi, që i vunë shpatullat referendumit për miratimin e Kushtetutës së vitit 1998. (Pa harruar që futja në fuqi e Kushtetutës është bërë, më 28 Nëntor 1998, me dekretimin e saj nga ana ime!). Le pastaj të kujtojmë sesa me krenari (mjaft të drejtë) e kanë mbrojtur këtë Kushtetutë drejtuesit e PS-së, para popullit apo përfaqësuesve të huaj. I vetmi që ka hedhur pa pushim vrer mbi të ka qenë z. Berisha. Dhe natyrisht dhe pasuesit e tij në PD, që bojkotuan pjesëmarrjen në Komisionin e Kushtetutës apo në referendum...
Gjithnjë brenda diskutimit për reformat, si gjykoni vendosjen nën varësi të kryeministrit të Prokurorit të Përgjithshëm, sipas një projekti që po hartohet nga të dy partitë?
Nuk e di sa e vërtetë është një përpjekje e tillë. Është një diskutim i vjetër, bile i zhvilluar mjaft, gjatë hartimit të Kushtetutës. Zgjidhja e dhënë në Kushtetutë ishte për të shmangur kontrollin apo, më keq, ndërhyrjen e komandimin e drejtpërdrejtë politik, të vënë re qartësisht në vitet e para të tranzicionit, jo vetëm tek organet e investigimit e penalizmit, por dhe ato të gjykimit. Dhe besoj se nuk u bë keq. Të paktën, në këtë periudhë gati 10-vjeçare, u tentua dhe diku u realizua me sukses shmangia e ndërhyrjes politike në këto organe. Personalisht, nuk besoj që në kuadër të luftës kundër korrupsionit e krimit (sidomos atij ekonomik), kalimi i Prokurorisë së Përgjithshme nën "komandën" e ekzekutivit, do ta fuqizonte këtë luftë. Ka shumë mundësi që, nën këtë komandë, në kushtet konkrete të demokracisë shqiptarëve dhe të lojtarëve të saj, ajo të kthehet në një armë për një luftë të pandershme politike, apo në rastin po aq të keq, për të mbuluar një veprimtari të paligjshme të mëparshme, ose dhe korrupsionin qeveritar. Nuk duket aq e vështirë për të "lexuar" dhe "dëshira" të tilla, të shfaqura me teprim muajt e fundit. Prandaj, kjo më duket ende e parakohshme, madje politikisht dhe e rrezikshme!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›