Kuvendi: Duam komunikatat ditore të predhave në Gërdec
Bledar HOTI
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, deklaroi se për të gjithë procesin e demontimit të ndodhur ka qenë në dijeni edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha. Sipas tij, çdo vendim për demontimin është bërë nëpërmjet konsultave mes drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha. Në marrjen në pyetje përpara Këshillit të Imunitetit, Mediu e cilësoi mbi të gjitha tendencioze moskërkesën me shumë vonesë për heqjen e imunitetit, si dhe mospërfshirjen e shefit të Shtabit të Përgjithshëm në këtë proces. Mediu ka shkuar më larg, duke deklaruar se për proceset operacionale ushtarake për demontimin është njoftuar edhe Presidenti i Republikës. "Transporti ka qenë ditor dhe qendra operacionale pranë Shtabit të Përgjithshëm bën një raport ditor të klasifikuar për çdo lëvizje që ndodh në Forcat e Armatosura, pra qoftë edhe për gjëra krejt të thjeshta dhe në raportet ditore janë pasqyruar lëvizjet e municioneve drejt Gërdecit, janë të pasqyruara. Këto janë informacione të klasifikuara, të cilat u shkojnë autoriteteve edhe më të larta ushtarake dhe autoriteteve sipas zinxhirit të komandimit. Sipas dijenisë sime, autoritetet që marrin këtë informacion janë: Drejtori i shtabit; zëvendësshefi dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ministri i Mbrojtjes, zëvendësministri, Presidenti i Republikës", deklaroi Mediu në komision. Ish-ministri shtoi se, vetë shefi i shtabit, Hoxha në mbledhjen e këshillit të sigurimit është shprehur se, "në Gërdec gjithçka ishte si një farmaci dhe funksiononte si çakmak". Mediu theksoi se, Shtabi i Përgjithshëm ka pasur një proces të kontrollit siç thashë apo të negocimit të palëve të MEICO-s dhe të SAC-it si dy palë të autorizuara me propozim të Shtabit të Përgjithshëm. Për më tej dua t'ju them që kanë qenë disa vende ku janë vizituar të paktën sipas informacioneve që marr ku ka pasur edhe përfaqësuesi ushtarake. Ndërsa anëtarët e këshillit kanë ngritur shqetësimin se pse nuk është vënë në dispozicion i gjithë materiali. Deputeti i PD-së, Astrit Bushati, kërkoi që në komision të sillen komunikatat e përditshme nga qendra operacionale mbi sasinë e municionit që ka kaluar në Gërdec. Ndërsa Topalli ka akuzuar Prokurorinë e Përgjithshme për fshehje të dokumenteve. "Siç e shikoni z. Mediu ka sjelle material voluminoz dokumentesh që kerkojnë kohë për t'u shqyrtuar. Dokumente që mesa duke i janë mbajtur fshehur Parlamentit", u shpreh Topalli.
deklaratat e mediut
Në përgjigje të pyetjes së bërë nga deputeti Madhi, nëse ka qenë në dijeni Shtabi i Përgjithshëm për Gërdecin, Mediu tha:
"Absolutisht që po, sepse ka pasur një proces të kontrollit siç thashë apo të negocimit të palëve të MEICO-s dhe të SAC-it si dy palë të autorizuara me propozim të Shtabit të Përgjithshëm. Për më tej dua t'ju them që kanë qenë disa vende ku janë vizituar të paktën sipas informacioneve që marr ku ka pasur edhe përfaqësuesi ushtarake. Nga ana tjetër është vënë në dijeni Shtabi i Përgjithshëm që në datën 26. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka përcaktuar Gërdecin për demontim.
Fatmir Mediu për dokumentet
Unë do ju vë në dispozicion 8 volume me shkresa dhe dokumentacione, pjesa më e madhe e të cilave nuk ardhur nga Prokuroria, nuk i ka sjellë Prokuroria për t'i vënë në dispozicion të Parlamentit, i janë i fshehur Parlamentit. Unë do të kërkoja kohë edhe për t'i fotokopjuar sepse aty mund të jenë rreth 5 mijë faqe dhe ju do t'i lexoni në mënyrë që kur të filloj bërja e raportit të dini të gjykoni drejt.
Fatmir Mediu për informacionin ditor
Këta janë njerëzit që e marrin këtë informacion ditor, i cili flet për një seri problemesh që kanë të bëjnë nga pikëpamja e sovranitetit dhe nga pikëpamja e veprimeve brenda Forcave të Armatosura edhe për gjera shumë të detajuara dhe specifike, apo qoftë edhe që mund të konsiderohen të pavlefshme dhe rutinë, që nuk zënë ndonjë peshë në gjykimin e përgjithshëm."