E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter-Lacio, të shtunënnuk është më një “shëtitje”

ITALI- Treqind e pesëdhjetë e gjashtë ditë më pas, Interi dhe Lacio përballen mes tyre në një ndeshje të vërtetë. Në 2 maj të vitit 2010, në “Olimpiko” të Romës, zikaltërit e drejtuar nga Zhoze Murinjo fitonin 2-0 ndaj bardhekaltërve dhe më pas nisën udhëtimin drejt fitimit të titullit kampion. Me elegancë, Lacio lejoi që të mundej nga Interi, pasi në të kundërt, ishte Roma ajo që fitonte trofeun. “Oh nooo”, ishte një pankartë në stadium atë ditë, duke treguar se edhe vetë tifozët e Lacios kërkonin që të fitonte Interi. Por, nesër dy skuadrat do të përballen mes tyre në një ndeshje që nuk ka shumë lidhje me atë të vjetshmen. Interi kërkon të ruajë vendin e tretë, pasi me eliminimin nga Champions League, ai është objektivi minimal për Masimo Moratin. Shkurt, bota tashmë duket e “përmbysur” për këto dy skuadra, ndonëse në fushë do të jenë 8 nga 11 lojtarët e asaj sfide. Në stol do të jetë sërish Edi Reja edhe pse në ndeshjen e vitit të shkuar ai ishte i skualifikuar. Prokuroria e Tivolit hapi një hetim një ditë pas ndeshjes, pas kërcënimeve të marra nga disa prej futbollistëve të Lacios, por asgjë nuk doli në dritë. Edi Reja këtë herë kërkon vendin e tretë dhe duke parë momentin negativ të Interit, asgjë nuk është e pamundur. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, por skuadra jonë është kompetitive, - tha presidenti Klaudio Lotito. – Uroj që të kemi të njëjtën vendosmëri si në Katania”, shtoi ai. Një vit më parë, pas 33 javësh, Lacio kishte 37 pikë në renditje, ndërsa këtë vit ka 23 më shumë, kështu që është dukshëm një skuadër më e fortë. Lacio nuk do të ketë në Milano rumunin Radu, por edhe Skulin. “I urrej, sepse më braktisën”, thotë Kristian Broki. “Pa Champions, gjërat ndryshojnë”, shton presidenti Lotito.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›