E Diel, 1 Nëntor 2026

Inter-Porto, shansi i fundit

15/03/2005  Skuadra zikaltër shpreson të sigurojë me çdo kusht kualifikimin për në çerekfinale

Inter dhe Porto, krejt ndryshe nga rivalët e tyre nëpër kampionatet respektive, janë duke u përgatitur për një javë mjaft të ngarkuar fizikisht. Bëhet fjalë pikërisht për takimin e prapambetur të Ligës së Kampioneve, që do të zhvillohet sot në mbrëmje në “San Siro”. Ndeshja e parë në Portugali ka pëfunduar në barazim me shifrat 1-1. Zikaltërit vijnë në këtë përballje pas barazimit të 17-të në Serinë A, rezultat të cilin e kanë arritur të shtunën në mbrëmje kundër Lacios, në Romë. Më e rëndë paraqitet situata për skuadrën e Portos, e cila ka pësuar një humbje të turpshme në shtëpi kundër Nacionalit me rezultatin 4-0. Kjo ishte humbja më e rëndë për këtë skuadër gjatë 30 viteve të fundit. Tashmë trajnerit Hoze Kuseiro, i cili ka zënë vendin e të shkarkuarit Viktor Fernandez, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të përgatisë skuadrën e tij që ta harrojë këtë humbje të hidhur. Kompeticioni i Ligës së Kampioneve shihet nga të dyja skuadrat si rruga e shpëtimit prej formës jo të qëndrueshme treguar nëpër kampionatet respektive. “Ne pa dyshim që duhet të luajmë më mirë se sa në takimin kundër Lacios, ka thënë trajneri zikaltër Roberto Mançini. Mendoj se do të shihni një Inter krejt ndryshe, sepse kjo për ne është një ndeshje të cilën e vlerësojmë shumë”. Duket sikur gjithë energjitë e Interit janë përqendruar në sfidën e sotme. Tashmë interistët janë jashtë luftës për titull në Serinë A pasi gjenden plot 16 pikë diferencë larg kryesuesve të Milanit. Megjithatë në Evropë skuadra e Mançinit ka treguar vlerat e saj më të mirë, gjë të cilën kërkon ta përsërisë edhe në përballjen me Porton. Goli i shënuar në “Dragao”, nga ana e nigerianit Obafemi Martins, i ka qetësuar më shumë zikaltërit, por gjithësesi pritet që të mos nënvlerësohet Porto. “Ndeshjet në Ligën e Kampioneve janë krejt ndryshe nga ato të kampionatit dhe prandaj ne do të luajmë kundër Portos po njësoj sikur të ishim në një finale të madhe” - ka thënë mesfushori i Interit, Huan Veron. Në problemet e mbrojtjes për skuadrën e Mançinit renditen skualifikimi i kolumbianit Ivan Kordoba dhe Xhuzepe Favalit. Po ashtu, trajneri zikaltër pret që të rekuperohet sa më shpejt Marko Materaci, i cili pësoi një dëmtim të lehtë gjatë takimit me Lacion, ndërsa serbi Sinisha Mihajloviç do të luajë që nga minuta e parë, duke u pozicionuar në qendër të mbrojtjes. Në vijën e parë të sulmit pritet të luajnë Adriano dhe Martins, kurse Kristian Vieri do ta nisë takimin i ulur në pankinë. Nga ana tjetër, trajneri i Portos, Hoze Kuseiro vazhdon të ruajë optimizmin e tij, ndonëse skuadra e tij ka zbritur në vendin e dytë në kampionat, me tre pikë diferencë prej Benfikës. “Ka ardhur momenti që të ngrejmë kokat lart dhe të luftojmë për të fituar kohën e humbur, ka thënë Kouseiro. Do të përballemi me Interin dhe unë shpresoj që Porto të jetë në gjendje për të reaguar dhe për të siguruar një rezultat pozitiv”. Për skuadrën portugeze do të rikthehen në formacionin titullar kapiteni Horge Kosta si dhe fantazisti Diego. Ndërsa Luis Fabiano nuk do të udhëtojë së bashku me skuadrën e tij, për shkak të problemeve personale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›