E Diel, 1 Nëntor 2026

Mançini: Nuk ndihem në rrezik

14/03/2005  Jashtë luftës për titull dhe në garë për një Kupë Italie që nuk mjafton për të shuar “urinë” disa vjeçare të Interit për trofe, ndeshja e sotme ndaj Portos vlen për zikaltrit sa një sezon. Këtë gjë e di mirë edhe trajneri Roberto Mançini, që megjithatë përpiqet të ulë tensionet: “Është një takim i rëndësishëm, por presion kemi mjaft, mos ta shtojmë akoma më shumë. E dimë që duhet të luajmë mirë dhe të fitojmë, por nuk ndihem i rrezikuar. Edhe nëse eleminohemi, do të vazhdoj të drejtoj Interin”. Megjithatë, marrëdhënia me Moratin, pas ecurisë së keqe në kampionat dhe problemeve me Adrianon, mund të përkeqësohet në rast eleminimi: “Unë mendoj vetëm të punoj dhe të jap maksimumin për të arritur rezultatet e duhura. Natyrisht, disa herë kam gabuar edhe unë, por të mendoj për pushim nga puna, është akoma shpejt”, vazhdon Mançini, i cili duhet të vendosë për partnerin e Adrianos në sulm, duke qenë se Vieri është i dëmtuar: “Nuk jam i shqetësuar, sepse Kruz po luan shumë mirë kohët e fundit, ndërkohë që edhe Martins është një garanci”. Ndërkaq, në mbrojtje ka pak alternativa, sepse me Kordobën e Favalin të skualifikuar, do të luajë dyshja qendrore Materaci-Mihajloviç, me Ze Marinë e Havier Zanetin në krahë. “Do të kisha preferuar një skuadër të plotë, por nuk shqetësohem shumë. Materaci e Mihajloviç kanë punuar shumë së bashku, ndaj nuk besoj se do të kenë probleme”, deklaron trajneri zikaltër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›