Inter-Roma, plasin polemikat mes Murinjos e Ranierit
Interi dhe Roma janë përfshirë nga polemikat pas barazimit 1-1 të marrë të dielën në mbrëmje në “San Siro”. Të dy trajnerët, si Murinjo ashtu edhe Ranieri, kanë akuzuar arbitrin dhe kanë lëshuar fjalë të ashpra karshi njëri-tjetrit në fund të kësaj ndeshje. “Gjyqtari fishkëlleu mbi 50 faulla gjatë ndeshjes dhe në fund dha vetëm 3 minuta shtesë. Duket që atij i pëlqen shumë të fishkëllejë”, deklaroi Murinjo pas ndeshjes. Më pas portugezi, sulmoi edhe Ranierin, një nga “armiqtë” e tij të vjetër. “Ai është një trajner që gjithnjë qahet. Nëse ai shkon i lumtur në shtëpi pas një ndeshje të tillë, atëherë nuk e ka qejf futbollin. Është e qartë që Roma luajti vetëm për barazim”. Ndërkohë, ka qenë i menjëhershëm reagimi i trajnerit të Romës. “Murinjo është i madh, sepse i sjell gjërat siç ka dëshirë vetë”, tha Ranieri. “Interi në fushë ishte një skuadër shumë e keqe dhe që luajti shumë rëndë. Në fushë dukej sikur po na rrihnin dhe duheshin nxjerrë të paktën 2 kartona të kuq”, shtoi tekniku i Romës, referuar ndërhyrjeve të Tiago Motës apo protestave të Muntarit. Takimi Inter-Roma ishte i fundit për javën e 12-të të Serisë A. Barazimi i çoi zikaltërit në kuotën e 29 pikëve, 5 më shumë se Juventusi i vendit të dytë.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)