Inter sfiton as me Katanian
Interi nuk arrin të fitojë as këtë javë, madje duke rrezikuar seriozisht që të humbiste, pasi shkoi në disavantazh të dy golave. Përballë zikaltërve u shfaq një Katania e motivuar dhe që luajti si e barabartë duke merituar ndoshta më shumë se barazimi. Miqtë nga Siçilia shënuan në minutën e 20-t me anë të Gomez dhe dyfishuan në minutën e 38-të me Izko. Në pjesën e dytë trajneri i Interit ndryshoi të gjitha skemat duke futur në lojë katër sulmues: Milito, Forlan, Pacini e Poli si dhe Shnajderin duke kërkuar me ngulm kthimin e rezultatit. Në fakt Forlan në minutën e 71-të dhe Milito në të 80-t arritën të barazojnë por pa shkuar më tej. Me këtë barazim Inter mban vendin e 7-të me 37 pikë.