Runi dhe Jang fundosin Totenhemin
Mançester Siti godet, kushërinjtë e Junajtid u përgjigjen me të njëjtën monedhë 24 orë më pas, duke e çuar sërish në -2 distancën me kreun. Tregohen cinikë dhe nuk i lejojnë Totenhemit të thyejnë mallkimin e 11 viteve pa fituar (plot 26 ndeshje). Fitojnë në “White Hart Lane” me rezultatin 3-1 dhe tregojnë se, kur nuk janë në ditën e tyre më të mirë, cinizmi dhe eksperienca ua shpërblejnë mundin. Nëse dueli i kreut do të vazhdojë kështu, zor se Premier Liga do të ketë një fitues deri më 13 maj. Londinezët përpiqen të marrin frenat e lojës në dorë, kur Adebajor i shpëton mbrojtjes mike, por gjen De Gean në shtyllën e dytë. Sidoqoftë, sulmuesi e mposhti spanjollin në minutën e 37-të, por arbitri e vlerëson devijimin e gjuajtjes së Sahas si prekje me dorë nga togolezi. Goli i anulohet padrejtësisht. Por, Spërsat s’i kanë bërë llogaritë mirë me Runin. Në përfundim të pjesës së parë, bomberi anglez shfrytëzon goditjen e këndit të De Geas për të mposhtur Fridëllin me kokë. Totenhemi reagon në pjesën e dytë dhe De Gea devijon fillimisht një gjuajte të Livërmor e prekur nga Saha. Dominojnë djemtë e Rekdnap, por nuk kanë fat kur dhe godasin traversën pas goditjes së dënimit të Asu-Ekotos. Në minutën e 60-të, në një ndërhyrje në akrobaci, Jang gjen këndin e largët të portës pas një pasimi të Nanit. E njëjta situatë përsëritet 9 minuta më vonë. E djathta e tij nga jashtë zone gjen sërish rrjetën. Totenhemi merr goditjen finale, por gjen forcat për të shënuar dhe një gol nderi me Defonë, që shfrytëzon një gabim të Gigsit.
Çelsi shkarkon trajnerin Vilas Boas
Andre Vilas Boas ka drejtuar Çelsin për herë të fundit në ndeshjen me Uest Bromuiç, pasi të dielën në mesditë ai ka mësuar lajmin e shkarkimit të tij. Një mision që duhet të zgjaste 3 vjet, por që përfundoi si një aventurë e shkurtër 8-mujore. Një tjetër faturë e kushtueshme i shtohet Roman Abramoviçit në bllokun e çeqeve të tij. Bosi rus “pret kokën” e trajnerit të 7-të në 9 vite. “Andre Vilas Boas nuk është më trajner i klubit të Çelsit. Bordi dëshiron t’i shprehë mirënjohjen për punën gjatë këtyre 8 muajve dhe zhgënjimin që kjo marrëdhënie përfundoi kaq herët.