Interesi i eurobondit, Berisha: Të ulim borxhin
Ka qenë direkt, edhe pse pa shifra, pranimi i djeshëm i Kryeministrit për reduktimin e buxhetit të vendit. Para deputetëve, në fjalën publike, Berisha ka kërkuar mirëkuptimin e tyre, për ndryshimin, apo shkurtim drastik të buxhetit të shtetit për vitin në vazhdim. Në fakt, duke përdorur gjysmën e të vërtetës që nuk prek direkt qeverinë, Berisha, ka theksuar se ulja e borxhit publik, është një kusht për vlerësimin e ekonomisë shqiptare dhe e biznesit. “ç’është e vërteta qeveria ka vendosur të adaptojë një regjim ashpërsie, kursimi, apo si mund ta quani. Parashikimet që ka bërë Ministria e Financave do të përmbahen plotësisht. Ne në këtë vit do të shënojmë pa cenuar aspak interesat e qytetarëve shqiptarë duhet të shënojmë një kthesë të vërtetë në përpjekjen tonë për të ngushtuar deficitin buxhetor dhe për të ecur në drejtim të bllokimit të borxhit. Nuk është se unë personalisht ndaj ndonjë shqetësim serioz për borxhin, se kur je borxhli i mirë, nuk ke pse i druhesh borxhit dhe ne jemi borxhlinj të mirë, jemi kualifikuar të tillë. Mirëpo ka një problem, përqindja e borxhit ndaj prodhimit të brendshëm është një nga treguesit që kompanitë e retingut të sistemit financiar dhe bankar të vendit e përdorin më shumë. Retingu në vetvete apo klasifikimi ka rëndësi shumë të madhe për sektorin privat edhe për qeverinë ka por qeveria është më pak problematike, pasi rëndësi të madhe ka sektori privat, i cili do të detyrohet, që në një reting të pafavorshëm të marrë hua me interesa të pafavorshme. Ndaj edhe kjo politikë ashpërsie që ndërmerr qeveria frymëzohet dhe udhëhiqet para së gjithash nga interesat e mëdha të sektorit privat, të nxitjes së investimeve të huaja, të nxitjes së punësimit dhe të fuqizimit të ekonomisë së tregut.” Në fakt, retingu, apo vlerësimi i stabilitetit ekonomik të vendit, më shumë se sa biznesit vendas apo të huaj, i duhet në këto momente qeverisë. Berisha tentoi ti largohej kësaj përgjegjësie, por vlerësimi që po i bëhet aktualisht financave shqiptare, është kushti mbi të cilin do të vendoset norma e eurobondit, prej më shumë se 300 milionë euro, që do të shesë qeveria. Në rast se borxhi buxhetor, pra paratë që shteti merr hua për të balancuar shpenzimet me të ardhurat, është i lartë, atëherë edhe vlerësimi, apo retingu, do të jetë negativ. Mbi këtë vlerësim, bankat ndërkombëtare do të vendosin edhe normën e interesit. Kuptohet, që ky vlerësim, mund ta bëjë më të vështirë investimin e huaj të bizneseve, por në radhë të parë dhe aktualisht, i nevojitet më shumë qeverisë. Kjo është arsyeja që Berisha dje tha vetëm gjysmën e të vërtetës.
Pagat, pensionet dhe investimet
Sidoqoftë, pak më shumë optimist se sa shifrat, kryeministri siguroi dje se nga shkurtimi i borxhit nuk do të preken investimet dhe pagat e pensionet. “Ne kemi përcaktuar si përparësi, nuk do të prekim investimet në infrastrukturë, në moshën dixhitale dhe tek burimet njerëzore, rrogat dhe pensionet do të rriten, siç kanë qenë të parashikuara.” Nuk dihet se ku do të gjendet paratë për investimet e mëdha, pasi aktualisht të ardhurat nga tatimet e doganat, në variantin optimist, janë sa një vit më parë. Ndërkohë që rritja e pensioneve he pagave, do të shtojë më tej shpenzimet korente. Por duket se paratë që financohen nga jashtë do të mund të mbajnë në një nivel të lartë investimet në zonat jourbane. Berisha nënvizoi se në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, janë disponibël 400 milionë dollarë. “Shumë shpejt do të jemi në Berat, t’ju paraqesim qytetarëve të Beratit projektin për Boshtin e Jugut, një projekt tashmë i përfunduar, projekt që shkurton vetëm në 42 kilometra distancën Memaliaj - Berat, pra në më pak se gjysmë ore dhe që është i përllogaritur me kosto dhe me të gjitha shpenzimet.