Statusi i minatorit, ministria fton palët
Ftesë të hapur palëve të interesit lidhur me diskutimin e Statusit të Minatorit. Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali ka dalë dje në një konferencë për shtyp për të konfirmuar edhe një herë krijimin e grupit të punës. Ai vuri në dukje se grupi i punës do të nisë takimet me sindikatat, në mënyrë që ligji të plotësojë problematikat madje ky grup është i hapur edhe për partitë, opozitare ose jo, që të bëjnë oponencën e tyre. “Ky grup është ngritur në përputhje me urdhrin e dhënë nga Kryeministri Berisha për këtë qëllim dhe ka nisur nga puna me legjislacionin për çështjen e Statusit të Minatorit, një ligj ky tepër i rëndësishëm për vendin tonë” u shpreh Alibali. Ai theksoi se është e rëndësishme që të gjendet bashkëpunim me palët e interesit në mënyrë që të arrihet në kompromis dhe që Statusi i Minatorit të jetë një ligj në përputhje me ligjet e vendit tonë, Kushtetutën, por edhe me standardet e Bashkimit Evropian.