E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë-Butrint, punimet pa sinjalistikë



SARANDE - Që të shkosh në Ksamil apo Butrint nëpërmjet rrugës që është në rikonstruksion dhe zgjerim të saj, përveç vonesave në kohë që të dalin përpara, ndeshesh edhe me mungesën e sinjalistikës. Mospasja e shenjave që tregojnë për vendet ku po kryhen punime është bërë shpesh burim aksidentesh. Punimet për zgjerimin e rrugës Sarandë Butrint, të cilat kanë nisur para disa muajsh, me gjithë motin e keq të këtij viti që ka penguar ecurinë normale, vazhdojnë me intensitet për përfundimin e saj para sezonit veror. Por krahas zhvillimit të punimeve në këtë rrugë vihet re një fenomen që duket se ka ngelur jashtë vëmendjes. Mungesa e elementëve të sigurisë gjatë lëvizjes së automjeteve në këtë rruge regjistroi një aksident dy ditë më parë. Një makinë “Benz” me targa të Sarandës, në kohën kur po udhëtonte drejt qytezës së Ksamilit ka përfunduar në një kanal të hapur që do të shërbejë për vendosjen e tombinave kulluese. Fatmirësisht ka pasur vetëm dëmtime të lehta të udhëtarëve që ndodheshin në të. Drejtuesit e mjeteve që kalojnë nëpër këtë rrugë shprehen se vendosja e tabelave gjatë kohës që po kryhen punime do të shmangin aksidentet me pasoja për jetën e njerëzve. Rruga që lidh Sarandën me Ksamilin e më tej me Butrintin është quajtur më parë si “rruga e vdekjes”, për shkak të aksidenteve të shumta të ndodhura. Ngushtësia e aksit provokonte përplasjen ose daljen e mjeteve nga rruga, sidomos në periudhën e sezonit turistik. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›