Vetëhelmimi në Maliq, babai:E kujtova të dehur tim bir
KORçE/ GEZIM ASHIMI
I ati i djalit 28-vjeçar, i vetëhelmuar bashkë me gruan me të cilën bashkëjetonte, ka menduar fillimisht se i biri ishte i dehur. I riu ka hapur derën për t’i treguar se ishte keq, vetëm në momentet kur bari i miut ka dhënë shenjat e para. Por, prej atij momenti të së dielës, çifti nga fshati Maliqi i Korçës nuk ka mundur të dalë nga gjendja e komës.
Misteri vazhdon të mbulojë tentativën e vetëvrasjes dyfishe të A.M.-së, 28 vjeç dhe 34-vjeçares E.B., pasi gjendja e tyre është akoma kritike. Mjekët e spitalit të Korçës, të cilët mbajtën nën mbikëqyrje për rreth 24 orë dy personat thanë dje se gjendja e djalit është rënduar së tepërmi në orët e vona të mbrëmjes. Ai është nisur me urgjencë drejt spitalit të Tiranës për ndërhyrje të specializuar. Ndërsa gruaja me të cilën bashkëjetonte dje ndodhej ende në reanimacion, ndonëse sipas mjekëve jo në gjendje rreziku për jetën. Sasia e helmit e konsumuar prej tyre konsiderohet në sasi të mëdha, pasi efekti ka qenë i menjëhershëm tek çifti, i cili ka rënë në gjendje kome, pavarësisht shpejtësisë së dhënies së ndihmës mjekësore.
Dalja e tyre nga rreziku pritet që të hedhë dritë mbi hetimet e kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila ka mbetur ende e pazbardhur nga grupi hetimor. Përfaqësues të policisë e prokurorisë kanë marrë në pyetje familjarë të djalit, të cilët ndodheshin në shtëpi në momentet e vetëhelmimit. Por, ata janë shprehur se nuk dinin asgjë për këtë veprim të vendosur nga vetë çifti. Sipas tyre, djali ishte njohur vetë me 34-vjeçaren dhe kishte pranuar të jetonte me të, ndonëse më vonë ka mësuar faktin se kishte dy fëmijë. Njërin prej tyre, djalin e mitur gruaja e ka marrë me vete, ndërsa vajza rritej nga ish-bashkëshorti. Burime të policisë thanë se ata kanë marrë dëshminë e të atit të 28-vjeçarit. Ai u ka treguar se djalin e ka parë në gjendje të rënduar, duke menduar se kishte pirë alkool. Por, fjalët e të birit se bashkë me gruan kishte pirë helm, e kishin tronditur. “Nuk dimë të kenë pasur ndonjë sherr. Vendimin e kanë marrë të dy në dhomë. Ne nuk pikasëm asgjë më parë për t’i ndalur në kohë, para se të pinin helm”, është shprehur ai. Megjithatë, familjarët nuk kanë dashur të japin dyshimet e tyre mbi ngjarjen, duke treguar se prej një viti djali jetonte me gruan nga Grabovica e Pogradecit. Diferenca e moshës prej 6 vitesh, fakti që gruaja kishte pasur një martesë të mëparshme si dhe kushtet ekonomike janë pistat kryesore ku janë përqendruar hetimet paraprake të policisë. Versioni më i mundshëm mendohet të jetë helmimi për shkak të opinionit në fshat për lidhjen e djalit me një grua me fëmijë. Këto pista do të përcaktohen nga vetë dy protagonistët. Të vetmet prova që kanë në dorë deri tani hetuesit janë dy filxhanët e kafesë, të cilët janë dërguar për në laborator me qëllim ekspertize. Nga këqyrja e parë rezulton që ato të kenë pasur të njëjtën lëndë helmuese brenda, e llojit fostoksinë.