E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Lamtumirë Elton!”

19/04/2005  Qytetarët shkodranë, të afërmit e shokët, përcjellin studentin në banesën e fundit

SHKODËR – Është zhvilluar dje, në qytetin e Shkodrës, ceremonia mortore e studentit të Akademisë Ushtarake në Tiranë, 22-vjeçarit Elton Agim Elbasani, të vrarë me thikë, dy ditë më parë nga shoferi i taksisë furgon, Ardian Dini, pas një konflikti për biletën e udhëtimit. Në këtë ceremoni tepër të dhimbshme, kishin ardhur për t’i bërë nderimet e fundit të gjithë shokët dhe shoqet e brigadës së shkollës, ku ai studionte. Përveç tyre kishin ardhur të ngushëllonin familjen e të ndjerit dhe t’i bënin homazhet e fundit, të gjithë pedagogët e kësaj shkolle, pa përjashtim, si dhe drejtuesit e lartë të Korpusit ushtarak të Shkodrës. Nga ana tjetër, trupi i pajetë i studentit 22-vjeçar, përveçse familjarëve dhe të afërmve të tij, u përcoll me plot nderim dhe respekt nga mijëra qytetarë të Shkodrës, që kishin ardhur për të ngushëlluar familjen, për humbjen e djalit të ri, për të cilin të gjithë e kishin marrë vesh se kishte qenë një student model. Ceremonia mortore u mbyll nën batarenë e armëve, që u bë në shenjë respekti për studentin. Sjellja e tij e mrekullueshme sipas ish-pedagogëve të të riut, të vrarë dy ditë më parë, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Akademinë Ushtarake dhe do të kujtohet gjithmonë si një model, që e ka nderuar jo vetëm këtë Akademi, por edhe qytetin me tradita të Shkodrës, nga ai vinte. Për të ngushëlluar familjen e të ndjerit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Pëllumb Qazimi, kishte dërguar një telegram, ku shprehte jo vetëm ngushëllimet, por edhe dhimbjen e madhe për humbjen e një njeriu të dashur, një studenti të zgjuar, të sjellshëm, të disiplinuar e një oficeri të nderuar.

Flet shoku i ngushtë i Akademisë, Gëzim Mufali

“Eltoni na mësoi të këndonim këngë shkodrane e vargjet e ‘Lahutës’”

SHKODËR - Dhembja për humbjen e shokut lexohet qartë në sytë e përlotur të bashkëstudentëve të Akademisë Ushtarake. Është e vështirë që të flasësh me ta në ditën e ndarjes me shokun e tyre, Eltonin. Shoku i ngushtë i të ndjerit, studenti nga qyteti i Elbasanit, Gëzim Mufali, ka shprehur dhembjen për shokun e humbur dhe cilësitë që e karakterizonin atë.

Si u ndjetë në momentet e para kur morët vesh lajmin e hidhur?

Nuk më besohej, nuk e imagjinoja se mund të kisha humbur shokun tim të ngushtë, në një moshë kaq të re. Po kështu edhe të tjerët, sepse Eltoni nuk ishte vetëm shok i imi, por ishte shok i të gjithëve, ishim si të shokuar. Pyesnim se ndoshta ishte bërë ndonjë gabim, besonim në ndonjë ngatërrim emri, por çdo gjë ishte e përfunduar.

Çfarë marrëdhëniesh kishte me shokët e shoqet?

Duke qenë se ishte një tip i qetë dhe plot humor, që siç thoshte edhe vetë e kishte të trashëguar nga qyteti i tij, ai kishte marrëdhënie të mrekullueshme, jo vetëm me shokët dhe shoqet, por edhe me të gjthë pedagogët. Kur kishim ndonjë mërzi, mundohej të na e kalonte me humor. Për mua, personalisht, por edhe për të tjerët, pa diskutim, ai ishte si një vëlla i madh, tek i cili kërkonim të na jepte mendim për çdo problem, sepse Eltoni ishte me të vërtetë një djalë mjaft i pjekur, një djalë që s’e bën më nëna.

Student i çfarë niveli ishte?

Përveçse ishte korrekt në çdo drejtim, Eltoni ishte një student i shkëlqyer në të gjitha lëndët. Pasioni që kishte për t’u bërë oficer shoqërohej me studim të pandërprerë, por do të veçoja pasionin që kishte ai për lëndët e historisë dhe të gjeografisë, që ranë sy edhe të pedagogëve tanë. Duke qenë një njohës i mirë i gjuhës angleze, ai vazhdimisht shfletonte literaturë që i përkiste fushave të ndryshme e veçanërisht atyre të histori-gjeografisë. Ishte një lexues i rregullt i letërsisë botërore, por për sa i përket literaturës shqipe, ishte i apasionuar veçanërisht për “Lahutën e Malësisë”, saqë na e mësoi edhe neve.

Çfarë ju bënte përshtypje më tepër tek Eltoni?

Përshtypje të linte çdo fjalë e tij, çdo veprim i tij, çdo dije e tij, por ajo që më bënte përshtypje të jashtëzakonshme ishte një dashuri e madhe për familjen, që nuk e fshihte dot, prandaj nuk linte asnjë javë pa shkuar pranë prindërve dhe motrës së tij. Përshtypje të linte dashuria e madhe për qytetin e tij, Shkodrën, për të cilën thoshte se nuk e ndërronte me asnjë qytet të botës dhe se nuk ka si ai qytet që nuk do ta ndërronte asnjëherë, për asnjë lloj arsyeje.

Përveç profesionit dhe leximit të literaturave të ndryshme, a kishte ndonjë pasion tjetër?

Ishte i apasionuar për muzikën në përgjithësi, por në veçanti për muzikën popullore shkodrane, këngët e së cilës i këndonte vazhdimisht, sa na bëri edhe ne t’i mësonim dhe t’i duam pothuajse njësoj si ai. Eltoni thoshte se kjo muzikë është e pavdekshme dhe të kënaq shpirtin. Një pasion tjetër i tij ishte edhe futbolli dhe sidomos roli i portierit, një rol që e kishte pasur edhe kur kishte luajtur futboll me moshat e reja të ekipit të “Vllaznisë“ së Shkodrës.

Çfarë ëndrrash kishte për të ardhmen?

Duke qenë se ishte një student i shkëlqyer në çdo fushë, ai shprehej se nuk do t’i ndahej studimeve, në mënyrë që të bëhej dikushi në jetë. Përveç profesionit të oficerit, që ishte duke e mbaruar, ai dëshironte që t’i futej më pas studimeve të thella dhe të hollësishme në fushën e tij të preferuar të histori–gjeografisë. Por nuk ishte e thënë që ëndrrat e tija të bëheshin realitet.

Familja e mësoi tragjedinë nga Akademia

Më të rëndë se për çdokënd, dita e djeshme ka qenë për familjarët e Eltonit. Të afërmit e të ndjerit shprehen se Eltoni ishte djali i vetëm i Agim Elbasanit. Dashuria e tij për dy prindërit dhe motrën e tij ishte e jashtëzakonshme, saqë shprehej se për ta ishte gati të sakrifikonte gjithçka. Asnjëherë nuk mungonte në fundjavë pranë familjes. Ishte një tip i qetë dhe i dashur me të gjithë. Asnjëherë nuk kishte pasur probleme me të tjerët. Për sa i përket lajmit, ata shprehen se lajmi i dhimbshëm kishte ardhur nga Akademia, pasi policia kishte gjetur në rrobat e tij kartën e studentit dhe kishte lajmëruar për identifikimin e tij. Humbja ka qenë mjaft e madhe për të gjithë familjen dhe të afërmit, të cilët krenoheshin me 22-vjeçarin.

Arrestimi

Dini, 9 orë arrati deri në vetëdorëzim

SHKODËR - Burimet nga Komisariati i policisë Shkodër, bëjnë të ditur se mbrëmjen e së dielës, rreth orës 01:30, pas dorëzimit të tij në polici, është bërë arrestimi i shtetasit 39-vjeçar Ardian Zija Dini, banues i fshatit Dobraç, të rrethit të Shkodrës. Arrestimi i tij erdhi, pasi ai akuzohej për veprën penale të plagosjes me thikë me pasojë vdekjen e qytetarit shkodran, studentit të Akademisë Ushtarake "Skënderbeg", Elton Altin Elbasani. Përveç kësaj akuze, mbi shtetasin Dini, rëndon edhe akuza e mbajtjes së armës së ftohtë. Burimet policore theksojnë se i arrestuari kishte pasur edhe më parë precedentë penalë, për rrahjen e një personi, për të cilin kishte vuajtur edhe dënimin përkatës. Pas ngjarjes së dy ditëve më parë në zonën e “Pazarit”, ku nisen furgonët e linjave, e ku Ardian Dini vrau me thikë studentin 22-vjeçar, autori ishte larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke marrë drejtimin e zonës së “livadheve” përgjatë bregut të liqenit të Shkodrës. Arratia e tij ka zgjatur më pak se 10 orë derisa është bindur që të vetëdorëzohet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›