E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sekuestrohet anija shqiptare me 150 kile heroinë

19/04/2005  Arrestohen 10 marinarë, parandalohet vrasja e Asllanaj nga e shoqja

TIRANË- Italianët të detyruar nga parandalimi i një skene horror, ku gruaja do vriste burrin, bllokuan para kohe 150 kg heroinë të fshehur në anijen "Plava" dhe vënë nën pranga 10 shqiptarët dhe një italian që organizonin trafikun e kësaj linje. Ky operacion me përmasa gjigante, angazhoi me qindra uniforma blu të shtetit italian, ndërsa një oficer shqiptar ishte i infiltruar në këtë rrjet. "Aktros" ishte kodi i operacionit dhe Guardia di Financa mbylli linjën më të madhe Durrës-Bari, të zbuluar deri më sot. Plot 150 kg heroinë turke janë transportuar nga organizata përmes anijes durrsake "Plava" me kapacitet 400 tonë, anije që në dukje dhe me licensa ligjore transportonte materiale ndërtimi. Çifti Valbona dhe Dajlan Asllanaj, përkatësisht 34 e 39 vjeç, janë dy nga emrat e parë të publikuar, për shkak të gjendjes së rënduar që ishte krijuar mes tyre. Gurdia Di Financa e ndërpreu operacionin, pasi kishte informacion se gruaja nga Tirana kërkonte nga i dashuri i saj italian që të eliminonte bashkëshortin Asllan Dajlanaj nga Durrësi. Sipas agjencisë së lajmeve italiane "Ansa", operacioni "Aktros" u krye mes Milanos e Barit, nga grupi operativ i antidrogës së Guardia di Financës, i koordinuar edhe nga prokurori milanez Marcelo Muso. Gjatë operacionit, policia ka arritur të sekuestrojë përveç 150 kg heroinë në 9 muaj nga 24 korrierë droge dhe mijëra euro.

Vrasja në tentativë

Prokurori Muso është shprehur se ka qenë e nevojshme ndalimi i 10 personave, për të ndaluar edhe planin gjakderdhës. Valbona Asllanaj, me banim në Mola të Barit, kishte paguar 4000 euro për vrasjen e bashkëshortit dhe do të paguante 4 mijë të tjera, pasi të vritej. Droga që vinte nga Shqipëria, zbarkohej në Bari e më pas shkarkohej në qytetet italiane, nga Rimini në provincën e Ravenës, si dhe nga Milano në Padova. Gjithë operacioni është kryer në fshehtësi të madhe nga Guardia Di Financia dhe të arrestuarit janë transferuar nga Bari në Milano. Ky operacion konsiderohet më i madhi i kryer kohët e fundit për trafikun e heroinës nga Shqipëria drejt Italisë. Gjithçka është bërë e ditur në një konferencë për shtyp nga Gurdia di Financa, paraditen e djeshme në Milano.

Rendi: Po verifikohen asetet ekonomike të trafikantëve në Shqipëri

TIRANË- Ministra e Rendit pohon arrestimin e 11 shqiptarëve. Në një njoftim për shtyp, zëdhënësi i dikasterit blu, Florion Serjani tha se, në datën 18.04.2005, sipas informacioneve të marra nga oficeri shqiptar i kontaktit në Itali, mësohet se në kuadër të operacionit “ACTROS”, policia italiane ka marrë masën e arrestit për 11 shtetas shqiptarë, të cilët prej disa kohësh kanë qenë nën hetim nga policia italiane. Aksioni për arrestimin e këtyre shtetasve shqiptarë është organizuar nga Guardia di Financa e Milanos, në bashkëpunim me Guardia di Financën e Barit dhe Bolonjës. Gjatë hetimeve që kanë zgjatur më shumë se një vit, në periudha të ndryshme kohore dhe në vende të ndryshme, pjesëtarëve të këtij grupi kriminal i është sekuestruar në total rreth 150 kg lëndë narkotike e tipit heroinë. Në përfundim të hetimeve ka rezultuar se, që në vitin 2004, për transportin e lëndës narkotike është përdour edhe anija “Plava”. Në këto kushte, policia italiane ka vendosur masën e sekuestrimit ndaj anijes “Plava”, e cila prej mëse dy muajsh ka qenë e bllokuar në portin e “Barit” për arësye të tjera, përpara se të vendosej sekuestrimi. Gjatë periudhës 1-vjeçare të zhvillimit të hetimeve dhe ndjekjes së pjesëtarëve të këtij grupi kriminal, policia shqiptare ka shkëmbyer informacion të vazhdueshëm me policinë italiane nëpërmjet Zyrës së Ndërlidhjes Interforcë. Ndërkaq vazhdon bashkëpunimi dypalësh për të identifikuar lidhje të mundshme të këtij grupi me elementë kriminalë në Shqipëri, apo edhe asete të mundshme ekonomike të tyre këtu.

Anija “Plava” nisur në shkurt nga porti i Durrësit

DURRËS - Kapiteneria e portit të Durrësit ka deklaruar se anija

e sekuestruar dje nga policia italiane është nisur nga porti i Durrësit disa muaj më parë. Deklarimi është bërë nga kapiteni i portit të Durrësit, Muharrem Trupja. Sipas tij, anija “Plava” në të cilën policia italiane sekuestroi 150 kg heroinë, është larguar nga porti i Durrësit më 8 shkurt të vitit 2005. Pas kësaj kohe, në kapiteneri nuk ka gjithnjë informacion tjetër zyrtar nisur nga pohimet e Trupes, përsa i përket shkaqeve që kanë shtyrë ekuipazhin të qëndrojë gjatë në brigjet italiane. Burime zyrtare të portit bënë të ditur se anija 500 tonëshe “Plava” është nisur drejt portit të vogël të Molfetës, port që gjendet jo shumë larg portit të Barit dhe se destinacioni ka qenë për ngarkesë të mallrave rifuxho. Por, Trupe nuk ka theksuar se çdo të ngarkonte saktësisht anija në fjalë e nisur nga brigjet e Durrësit më 8 shkurt 2005, pasi, sipas tij, të gjithë dokumentet e regjistrit detar janë bllokuar nga Prokuroria e Përgjithshme.

“Prokuroria ka nisur hetimet rreth kontrabandës së shtatë kontenierëve me cigare të sekuestruara në Shkozet, prandaj ne nuk mund të japim saktësisht datën e nisjes dhe as aplikimin e bërë nga pronari për ngarkesën që do të transportonte nga porti Molfetës në Durrës”, ka thënë Trupe. Nga pohimet e kapitenit mësohet se anija “Plava”, prodhim gjerman i vitit 1963 në kantierin SCHIFFSËERFT – H. RAMKE, ndërkohë që ka

bërë të ditur se që nga koha e kalimit në duart e pronarëve shqiptarë në vitin 1999, ka ndërruar disa duar. Burimet zyrtare thonë se anija është pronë e shtetasit nga Durrësi, Mehmet Asllanaj dhe se në drejtim të portit italian është nisur me 6 marinarë, ndërkohë që kapiteni i saj ka qenë Llazar Shyti.

“Ne nuk kemi asnjë njoftim zyrtar për vonesën e saj nga Italia”, tha Trupe, i cili shtoi se autoritetet italiane nuk kanë kërkuar asgjë zyrtare dhe as në mirëbesim rreth destinacionit apo aktivitetit të anijes si dhe të ekuipazhit. Anija ka kaluar në pronësi të shtetasit Mehmet Asllanaj më 20 qershor 2003 dhe duke qenë anije e tonazhit të vogël, ajo ka kryer pak lundrime si dhe importonte mallra kryesisht në portet e Adriatikut. Kapiteni i portit të Durrësit ka theksuar se ka qenë interesimi i tyre për të mësuar se për ç’arsye anija nuk është kthyer në portin e Durrësit dhe, sipas tij, të afërm të pronarit i kanë bërë të ditur se “Plava” ka pësuar defekt në portin italian dhe se do të qëndrojë disa kohë pa saktësuar ndonjë datë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›