E Hënë, 2 Nëntor 2026

Niset për të punuar arën gjendet e mbytur në rezervuar

19/04/2005  Dëshmitarët dyshojnë për vetëmbytje, policia për aksident

ELBASAN – Vetëmbytja e dytë e grave, brenda dy ditëve, është regjistruar dje në një fshat të Elbasanit. Këtë herë është gjendur e mbytur në ujin e rezervuarit të fshatit Dëshiran, 27- vjeçarja Dhurata Bejzati, nënë e dy fëmijëve.

Banorët

Janë banorët që këmbëngulin te varianti i vetëmbytjes së 27-vjeçares. Fillimisht kanë qenë banorët e zonës, të cilët kanë parë trupin e pajetë të gruas dhe pasi janë munduar ta nxjerrin nga uji kanë parë se ai i përkiste bashkëfshatares së tyre.

Sipas dëshmive të bashkëfshatarëve, mësohet se 27-vjeçarja Dhurata Bejzati mësohet të ketë qenë duke punuar arën në afërsi të rezervuarit. Sipas tyre, në vendin ku u gjet e mbytura, nuk ka asnjë mundësi që ajo të ketë rrëshqitur. Megjithatë, në momentin e rëndë, nuk ka patur asnjë dëshmitar në vendin e ngjares.

Familjarët

Familjarët nuk kanë pranuar të bëjnë asgjë të ditur me motivet apo edhe rrethanat e mbytjes së të afërmes së tyre. Nga ana e tyre, familjarët nuk kanë bërë të ditur asnjë version mbi mbytjen e gruas, e cila nuk ka patur asnjë mundësi shpëtimi nga uji i thellë i rezervuarit.

Sipas familjarëve, mësohet vetëm që Dhurata Bejzati, nënë e dy fëmijëve, ishte nisur mëngjesin e djeshëm në arë, pronë e famijes dhe që prej kësaj kohe, askush nuk di të thotë për ndonjë veprim të saj.

Policia

Variant të ndryshëm nga banorët ka dhënë policia lokale. Burime të policisë së Elbasanit, në konkluzionet e para, ka bërë të ditur se mbytja e gruas ka qenë aksidentale.

Në mbrojtje të këtij argumenti, policia dyshon se mund të ketë qenë një rrëshqitje e gruas, në afërsi të rezervuarit dhe që nuk ka pasur mundësi të shpëtoj.

Megjithatë, të njëjtat burime nga policia, megjithë deklarimet paraprake, bëjnë të ditur se ende po hetohet edhe në një pistë tjetër atë të vetëmbytjes.

Precedenti/ Dy ditë më parë

Vetëmbytet në rezervuar nëna 25-vjeçare

LIBRAZHD - Një nënë 25-vjeçare dyshohet që të jetë vetëmbytur në rezervuarin e fshatit Fushë-Studnës, të komunës Steblevë, mbrëmjen e së shtunës. Mirushe Toçi, nënë e një vajze 18-muajshe, sipas policisë, është mbytur për motive familjare. Po sipas të njëjtave burime, mendohet se ajo i ka dhënë fund jetës pas një konflikti familjar, që e ka burimin në vështirësitë ekonomike. Në mëngjesin e dy ditëve më parë, bashkëshortët Mirushe e Sadik Toçi, banues në fshatin Fushë-Studën, të komunës Steblevë, janë grindur me njëri-tjetrin për probleme familjare. Sipas dëshmive, mësohet se 25-vjeçarja është veshur më së miri, ka puthur vajzën dhe më pas ka dalë nga shtëpia.

Me sa duket, largimi i saj nga banesa nuk është vlerësuar nga bashkëshorti.

Sipas burimeve policore, ka qenë babai i 25-vjeçares, Sulë Kamoqi, ai që ka konstatuar shallin e së bijës dhe ka dhënë alarmin për mbytjen e saj. Policia e Librazhdit ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Mësohet se policia ka shoqëruar në komisarit bashkëshortin e viktimës, 35-vjeçarin Sadik Toçi, për t’u pyetur rreth ngjarjes së rëndë të ndodhur në familjen e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›