E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi i rekordeve negative

Interi është në gjendje të rëndë. Skuadra që deri para disa muajsh kujtohej për sukses të madh, tani është sinonim i rekordeve negative. Gjiganti milanez të premten u mposht në shtëpi 0-3 nga Bologna, disfata e tyre e dhjetë këtë sezon në Serie A. Trajneri Claudio Ranieri refuzon të japë dorëheqje, kurse tifozët kërkojnë rikthimin e Jose Mourinhos.

Deri para disa muajsh flitej për një Inter i cili rrëzonte një rekord pas tjetrit, skuadër e cila kishte fituar pesë Scudetto të njëpasnjëshme.

Ekip që kompletoi ‘tripletën’ e që edhe vitin e kaluar kishte rrëmbyer tre tituj: Superkupën e Italisë, Kupën e Italisë dhe Kampionatin botëror të klubeve. Por, sot është një Inter tjerët i rekordeve, atyre negative. Pas 24 xhirosh në Serie A, skuadra e Claudio Ranierit të premten pësoi humbjen e dhjetë në ligë, (0-3 nga Bologna).

Kjo është hera e dytë në historinë e klubit dhe e para nga stinori i largët 1946/1947 që skuadra ka pësuar 10 e më tepër humbje. Atë edicion ajo kishte pësuar 15 disfata nga 38 ndeshje dhe përfundoi në pozitën e 10-të.

Në gjashtë sezonet e fundit nga 2005/06 deri më 2010/11, Inter kishte humbur pesë herë në shtëpi nga 114 ndeshje, kurse këtë edicion, në 13 përballjet e deritashme të Serie A në Giuseppe Meazza, ekipi ka pësuar pesë disfata, e që realisht janë shtatë nëse llogaritim edhe dy në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Statistika rekorde, negative, të epokës së Massimo Morattit. Duhet të kthehemi prapa në edicionin 1994/95, muaji shkurt, kur Nerazzurrët kishin humbur pesë ndeshje kampionale në shtëpi, sikurse tani, e që u kishte ndodhur edhe më 1954/55, 1946/47, dhe 1941/42.

Një tjetër humbje në shtëpi në Serie A, do të bënte që skuadra aktuale të barazojë rekordin më negativ në histori të klubit, prej gjashtë disfatave në shtëpi, të shënuar më 1955/56.

Ranieri nuk jep dorëheqje

Claudio Ranieri i ka kërkuar falje presidentit Massimo Moratti dhe tifozëve të Interit, pas humbjes 3-0 nga Bologna, të premten. Në një veprim të pazakonshëm, Moratti u largua nga tribunat, pasi skuadra e tij ishte në disavantazh 2-0.

“Ne të gjithë e pranojmë se jemi duke kaluar nëpër një periudhë të vështirë. Ne duhet të marrim përgjegjësi dhe t’i kërkojmë falje presidentit dhe tifozëve. Ata u munduan të na përkrahin e më pas sigurisht, goli i tretë zgjoi mllefin e tyre”, deklaroi Ranieri. Inter viziton Olympique Marseillen në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve të mërkurën.

Tifozët thërrasin Mourinhon

Tifozët protestuan gjatë humbjes 3-0 dhe brohoritën për rikthimin e Jose Mourinhos në bankinën e Nerazzurrëve.

“Mourinho la gjurmë të fuqishme në Inter dhe ne fituam shumë me të, por në këtë periudhë ekzistojnë gjëra të tjera për të cilat duhet menduar dhe duhet qëndruar të bashkuar, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo situatë”, tha kapiteni i Interit, Javier Zanetti.

Ikona e Nerazzurrëve komentoi edhe largimin e Morattit. “Është normale që është shumë i dëshpëruar, pasi ne nuk jemi duke i dhënë gjithçka që ai pret dhe meriton”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›