E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesi përzgjidhet "Lojtari më i Mirë" për sezonin 2008/‘09

Lionel Mesi është përzgjedhur si "Lojtari më i Mirë" i kampionatit spanjoll për sezonin 2008/‘09. Gjatë kësaj periudhe, sulmuesi argjentinas fitoi Champions League, Kupën e Mbretit dhe u shpall kampion i La Ligas me Barcelonën. Nga Liga e Futbollit Profesionist (LFP), "Pleshti" mori edhe çmimin si sulmuesi më i mirë, ndërkohë që Pep Guardiola u shpall "Trajneri i Vitit" në gadishullin Iberik. Për t‘u theksuar ishte edhe dominimi absolut i lojtarëve "blaugrana" në çmimet e tjera të shpërndara. Nga nëntë vlerësime, Barça fitoi shtatë. Çmimi i "Portierit më të Mirë" iu dha "gardianit" të Realit të Madridit, Iker Kasiljas, ndërsa Huan Karlos Valeron, i Deportivo La Korunjas fitoi çmimin "fair-play". Daniel Alvesh ishte "Mbrojtësi më i Mirë", Ksavi u shpall "Mesfushori më i Mirë", Andres Iniesta fitoi çmimin "Mesfushori më i Mirë Sulmues", ndërsa Serxho Busket ishte "Zbulimi i Sezonit". Pas ceremonisë Mesi deklaroi: "Do të ishte shumë bukur nëse tani do të fitoja edhe ‘Topin e Artë‘ dhe çmimin ‘Lojtari më i Mirë në Botë‘".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›