E Hënë, 2 Nëntor 2026

Te gjitha llojet e sigurimit per makinat

23/03/2005  Sigurimi TPL

Eshtë sigurimi i detyrueshëm për të gjitha llojet e automjeteve që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë. Me këtë lloj siguracioni mbulohen dëmet e palës së tretë, ç’ka do të thotë se në rast se një person i siguruar i shkakton një dëm një të treti, atëherë kompania ku ai ka prerë sigurimin është e detyruar të rimbursojë dëmin. Ky lloj sigurimi quhet i detyrueshëm dhe pronarët e makinave duhet të jenë të siguruar gjatë gjithë vitit, në të kundërt ligji parashikon penalitete të rënda deri në konfiskim të makinës. Çmimi i primit të sigurimit të detyrueshëm TPL është 87 mijë lekë të vjetra.

Sigurimi kasko

Eshtë sigurim i plotë jo i detyrueshëm, i cili e siguron pronarin e automjetit nga të gjitha llojet e dëmeve. Këtu hyjnë jo vetëm dëmet që mund t’i shkaktohen makinës nga përplasjet, por dhe ato që mund të vijnë nga vjedhja, zjarri nga dëmtimet e pjesshme. Sigurimi kasko nënkupton që gjatë një përplasje, kompania ku ke prerë sigurimin mbulon jo vetëm dëmet e të tretëve, por dhe ato të personit të siguruar. Duke patur parasysh nivelin e lartë të riskut që ka ky sigurim, primi për të është vendosur në masën 1 deri në 4 për qind të vlerës së makinës së siguruar.

Polica kufitare

Eshtë lloji i sigurimit që pritet në kufi nga të gjitha automjetet me targa të huaja që vijnë në Shqipëri dhe qëndrojnë për një periudhë provizore. Ky siguracion pritet për automjetet me targa të huaja që qëndrojnë për një kohë të caktuar në territorin shqiptar dhe është i detyrueshëm. Autoveturat që hyjnë në pikat doganore për të qëndruar për një afat të shkurtër në Shqipëri, janë të detyruara të presin një kontratë kufitare pranë një shoqërie siguruese, për aq ditë sa do të qëndrojnë në Shqipëri. Tarifat e kontratave kufitare janë 34 euro për 15 ditë, deri në 62 euro për 45 ditë.

Kartoni jeshil

Eshtë polica anologe që presin pronarët shqiptarë të automjeteve kur dalin jashtë kufirit. Edhe ky lloj sigurimi është i detyrueshëm dhe të gjithë pronarët e automjeteve nuk lejohet të kalojnë kufirin pa këtë lloj sigurimi. Kartoni jeshil është i detyrueshëm të pritet për sa kohë automjeti do të qëndrojë jashtë kufirit. Për këtë ka disa tarifa, të cilat variojnë nga 40 euro që është minimali deri në 2500 euro, që është për një kohë të gjatë qëndrimi, por dhe për automjetet e rënda, të cilat kanë tarifa më të larta se automjetet e vogla.

Siguracionet, të gjitha llojet e sigurimit për makinat

Sigurime provizore për makinat që vijnë nga importi deri te sigurimet kasko për të gjitha dëmet

Të jesh i siguruar për të mbrojtur jetën nga rreziqet është një mundësi, por jo një veprim i detyrueshëm për të gjithë. Por për një automjet, sigurimi është i detyrueshëm dhe pronari i mjetit nuk mund të qarkullojë pa patur sigurimin me vete. Në tregun e sigurimeve një gjë është e sigurtë. Rreth 250 mijë automjete që qarkullojnë në Shqipëri do të drejtohen patjetër në sportelet e tetë kompanive të sigurimit, për të patur sigurimin e detyrueshëm kur qarkullojnë në rrugë, pasi për aksidentin më të vogël, policia mund t’ju konfiskojë makinën. Duket se për sigurimin e automjeteve, bota e sigurimeve ka mundësi pa fund. “’Sigal’ ka në dispozion të pronarëve të automjeteve rreth- polica sigurimi”, thotë Avni Ponari, drejor i kompanisë “Sigal”. Por, ndërkaq, duket se sigurimet më të frekuentuara nga pronarët e automjeteve janë sigurimet e detyrueshme, për të cilat ligji nuk lë asnjë shteg. Por për ata që duan të kenë sigurinë e plotë kur qarkullojnë në rrugë apo duan të jenë të mbrojtur nga të gjitha llojet e rreziqeve, kompanitë e sigurimeve kanë dhe sigurimin ‘kasko’, për të cilin pronarët duhet të paguajnë rreth 4 për qind të vlerës së makinës në vit. “Me këtë lloj sigurimi, pronarët janë të mbrojtur nga të gjitha llojet e rreziqeve, nga vjedhjet apo nga zjarri, nga një thyerje xhami deri te shkatërrimi i plotë i makinës nga një përplasje”, thotë Ponari. Për ta prerë këtë siguracion, duhet vetëm të drejtohesh pranë njërës prej shoqërive siguruese, kundrejt një çmimi të caktuar. Janë tetë kompani, të cilat konkurrojnë në tregun e sigurimeve: Atlantik, INSIG, Intersig, Sigma, Sigal, Dukagjini, Interalbanien dhe Albsig. Për siguracionin e automjeteve, këto shoqëri ofrojnë siguracione të llojeve të ndryshme, kundrejt një çmimi të parapaguar (primi i sigurimit) që varet nga lloji i sigurimit, si dhe nga vlera e automjetit. Kështu, në raste aksidentesh, shoqëritë e sigurimit janë të detyruara të dëmshpërblejnë siguruesit. Ky dëmshpërblim varet nga lloji i kontratës së sigurimit që është lidhur, si dhe primit të paguar. Në raste të dëmtimit të mjetit, verifikimet bëhen nga zyra e trajtimit të dëmit, që ndodhet pranë shoqërisë siguruese. Kjo zyrë, që në shumicën e rasteve përbëhet nga dy inxhinierë mekanikë dhe një jurist, vlerëson dëmin e shkaktuar dhe i paraqet të dëmtuarit mundësitë e zhdëmtimit. Më pas, në varësi të sigurimit që pronari i automjetit ka prerë, bëhet dhe pagimi i dëmit nga ana e kompanisë së sigurimit ku je siguruar. Ndërkaq sigurimet e detyrueshme mund të jenë provizore dhe priten nga pronarët e makinave të huaja, që qëndrojnë përkohësisht në Shqipëri, ashtu sikurse dhe nga pronarët shqiptarë të makinave që dalin me automjetet e tyre jashtë shtetit.

Sigurimi provizor është në vetvete një dëmshpërblim ndaj palës së tretë, në rast se i shkaktohet një dëm për faj të automjetit të siguruar. Ky lloj siguracioni pritet ndaj automjeteve me targa të huaja, të cilat kërkojnë të pajisen me dokumente shqiptare. Ky lloj siguracioni ka fuqi nga momenti i hyrjes në territorin shqiptar deri në momentin e pajisjes së mjetit me dokumente, por gjithmonë jo më shumë se afati i parashikuar në kontratën e sigurimit, që në përgjithësi është 15 ditë. Në këtë siguracion, primi i sigurimit është 1.400 lekë.

Ponari, tregu i sigurimeve i kërcënuar

Tetë kompani sigurimesh në treg dhe përcaktimi sipas qejfit i primeve të sigurimit, po shkaktojnë kaotizëm në këtë treg. Drejtori i kompanisë “Sigal”, kompania e parë private e sigurimit në vend, Avni Ponari, shprehet i shqetësuar për rrëmujën e krijuar në tregun e sigurimeve dhe për përcaktim pa asnjë lloj kriteri të çmimeve. “Kompanitë nuk konkurrojnë në treg me lloje sigurimi, por me ulje në mënyrë fiktive të çmimit, duke shkaktuar çoroditje dhe pasoja për të ardhmen e këtij tregu”, thotë Avni Ponari. Kështu para disa kohësh kompanitë e sigurimeve protestuan për aplikimin e sistemit bonus-malus nga kompania “INSIG”, e cila kishte aplikuar çmime në treg, që thyenin në mënyrë të hapur konkurrencën. Bëhet fjalë për aplikimin e sistemit bonus malus, që është pjesë e primit të sigurimit për të gjitha mjetet motorike, për përgjegjësinë që kanë ndaj personave të tretë. Aktualisht, Shqipëria nuk ka një ligj dhe një data base të posaçëm për zbatimin e këtij tipi sigurimi dhe, kjo i ka penguar të gjitha kompanitë e sigurimeve ta hedhin në treg këtë lloj produkti. “Sistemi bonus–malus nuk mund të aplikohet në kushtet e Shqipërisë, kur nuk ka një sistem të përgatitur të dhënash, mungon energjia elektrike dhe nuk ka infrastructure”, ka deklaruar në lidhje me këtë çështje, Avni Ponari, presidenti i kompanisë SIGAL. Por, kjo nuk është e vetmja çështje që ka thyer konkurrencën në treg. Vendosja e çmimeve nga kompanitë e reja që kanë hyrë në këtë treg dhe miratimi i çmimeve nga ana e ministrit të Financave, ka shkaktuar një konfuzion të vërtetë në treg dhe ka cënuar financat e kompanive më të vjetra.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›