Shalke poker Klauternit, djajtë vedosin rekord negativ
Shalke 04 ka kryer detyrën më së miri edhe në transfertë kundër Kaizerslauternit. Pas triumfit në Ligën e Europës kundër Tuentes, blutë nga Gelzenkirshe, ashtu si ndaj holandezëve, kanë mundur me të njëjtin rezultat edhe “djajtë e kuq” në Bundesligë. Edhe pse vendësit kaluan në avantazh që në minutën e 3-të me anë të Rodnei, miqtë nga Gelzenkirshe kanë përmbysur rezultatin që në pjesën e parë me anë të Holtbi dhe Huntelar. Ndërsa në pjesën e dytë, serinë e golave e vazhduan Raul dhe Farfan, duke mbyllur fatin e takimit 4-1. Me këtë trepikësh, Shalke vazhdon të qëndrojë në vend të katërt në tabelë, një pikë më pak se Gladbahu. Ndërsa Kaizerslauterni ka harruar të fitojë duke u zhytur në krizë dhe rrezikuar rënien në Bundesligën 2. Ekipi i drejtuar nga trajneri Kurc ka arritur rekordin negativ të sezonit 1967-1968, duke mos fituar asnjë prej 16 ndeshjeve të fundit. Në ndeshjen tjetër të luajtur dje, Hanoveri ka mundur 4-1 Këlnin falë golave të Lars Stindl në minutën e 19-të, Jan Shlaudraf në të 62′-tën, Mame Biram Diouf në të 67′-n dhe në 83′-tën. Për Këlnin barazoi përkohësisht Kevin Peconi në minutën e 43-të. Bundesliga vazhdon të kryesohet nga Borusia e Dortmundit me 59 pikë, e ndjekur nga Bajern i Mynihut me 54 pikë.