E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tevez kthehet tek Manchester Siti

Sulmuesi Karlos Tevez është paraqitur në qendrën stërvitore të Mançester Sitit në Karrington të martën, vetëm pak orë pasi u kthye në Angli nga Argjentina.
Tevez ishte larguar nga Mbretëria e Bashkuar prej muajit nëntor, pas përplasjeve me trajnerin Roberto Mançini. Tashmë, ai do ti nënshtrohet një serie testesh fizike, përpara rikthimit të mundshëm në skuadër.
Por, mbetet për t’u parë nëse vërtetë drejtuesi i stolit të “sitizëns” do të mbështetet te sulmuesi 28-vjeçari, pasi vetëm pak orë pas paqes së arritur mes tyre, në një intervistë Tevez kishte deklaruar se Mançini e kishte “trajtuar si qen”.
Tevez nuk ka luajtur për Mançester Sitin që prej muajit shtator, kur ai refuzoi të hynte në fushë si zëvendësues, në takimin që skuadra humbi në Champions League përballë Bajernit të Mynihut.
Lojtari është shprehur i gatshëm që të luajë sërish për skuadrën e drejtuar nga Mançini dhe synon të rifitojë tifozët në “Istlends”, që vetëm pak kohë më parë dogjën fanellat me emrin e tij, për shkak se ishin të zemëruar me sjelljen e Tevez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›