E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interit i hyjnë të dridhurat, Roma vetëm një pikë larg

Jo rastësisht e quajnë "Interi i Çmendur". Zikaltërit kanë treguar edhe dje se gabojnë lehtësisht në momentet më vendimtare të sezonit dhe barazimi 2-2 përballë Sienës ka qenë disfata e radhës për skuadrën e drejtuar nga Mançini. Interit i mjaftonte fitorja për të siguruar matematikisht titullin kampion dhe ndeshja me një kundërshtar që kishte siguruar mbijetesën në Serinë A duhej të ishte thjesht spektakël për tifozerinë që kishte ardhur e përgatitur për të festuar në "San Siro". Që në minutën e 11-të, Interi gjen golin e avantazhit me Vieira, i cili devijon me kokë në portë një goditje dënimi të ekzekutuar nga Baloteli. Por Siena nuk dorëzohet dhe në minutën e 30-të vjen goli i barazimit me Makaronen, që shfrytëzon përgjumjen e mbrojtjes zikaltër për të dërguar topin pas krahëve të Hulio Sezar. Por është dyshja Vieira-Baloteli që mendon sërish për të entuziazmuar tifozët zikaltër, pasi në minutën e 45-të, francezi jep një top të artë për sulmuesin që nuk gabon duke kaluar përsëri skuadrën e tij në avantazh. Duket se Interi do ta ketë të thjeshtë, por ngjarjet nuk shkojnë në mënyrën që shpresonin 80 mijë tifozët e pranishëm në stadium. Në minutën e 69-të është Kharja që shfrytëzon një largim të gabuar të Burdisos për të dërguar topin në rrjetë dhe për të vulosur barazimin, duke bërë që i gjithë stadiumi të heshtë. Zikaltërit hidhen të gjithë në sulm, duke kërkuar golin e titullit dhe shansin ua jep gjyqtari Gava që akordon një penallti shumë të dyshimtë. Por Materaci gabon para Maninger, duke e dërguar topin në duart e portierit dhe as sulmet e pareshtura të minutave të fundit nuk mund ta ndryshojnë barazimin 2-2 që rihap titullin një javë para fundit të kampionatit. Me fitoren e Romës 2-1 ndaj Atalantës, zikaltërit janë vetëm 1 pikë para skuadrës kryeqytetase dhe në javën e ardhshme do të ndeshen me Parmën që lufton për mbijetesë. Për sa u përket ndeshjeve të tjera, Fiorentina ka rimarrë vendin e katërt në renditje pas fitores 3-1 pikërisht përballë Parmës. Jashtë zonës së Champions ka përfunduar Milani që është mundur 3-1 nga Napoli, duke vënë në dyshim pjesëmarrjen e tij në turneun më të rëndësishëm për klube në Evropë.

Materaci ka humbur penalltinë që mund t‘i jepte Interit titullin kampion, ndonëse Mançini dëshironte që atë ta gjuante Kruz

Ndeshja e javës së ardhshme mes Parmës dhe Interit do të jetë përcaktuese si për titullin kampion, ashtu edhe për mbijetesën

Premiership

Mançesteri,

përsëri kampion

Mançester Junajtid fitoi 2-0 ndaj Uiganit, duke fituar titullin kampion në javën e fundit. Skuadra e drejtuar nga Aleks Ferguson përfitoi nga një "ndihmë" e gjyqtarit në pjesën e parë të ndeshjes, pasi ky i fundit akordoi një 11-metërsh të dyshimtë, i cili u transformua në gol nga Kristiano Ronaldo. Në pjesën e dytë të takimit, Rajan Gigs vulosi rezultatin përfundimtar me golin e tij, duke bërë që të fillonte festa në stadium. Ky rezultat e bëri të pavlefshme ndeshjen e Çelsit me Boltonin, e cila përfundoi me rezultatin 1-1.

Premiership

Rezultatet

Birmingem-Bllekbërn 4-1

Mërfi 31‘, Xherom 73‘, 89‘, Muamba 90‘ / Pedersen 49‘

Çelsi-Bolton 1-1

Shevçenko 62‘ / Deivis 90‘

Derbi-Riding 0-4

Harper 15‘, Kitson 61‘, Dojl 69‘, Lita 90‘

Everton-Njukasëll 3-1

Jakubu 28‘, 82‘ (11m), Leskot 70‘ / Ouen 47‘ (11m)

M‘sbrou-Man Siti 8-1

Dauning 16‘ (11m), 58‘, Alvesh 37‘, 60‘, 90‘, Xhonson 70‘, Rohembak 80‘, Aliadier 85‘ / Elano 87‘

Portsmuth-Fullhem 0-1

Mërfi 76‘

Sandërlend-Arsenal 0-1

Uollkot 24‘

Totenhem-Liverpul 0-2

Voronin 69‘, Torres 74‘

Uest Hem-A. Vila 2-2

Solano 8‘, Eshton 88‘ / Jang 14‘, Berri 58‘

Uigan-Man Utd 0-2

K. Ronaldo 33‘ (11m), Gigs 80‘

Renditja

Nd. P

Man Utd 38 87

Çelsi 38 85

Arsenal 38 83

Liverpul 38 76

Everton 38 65

A. Vila 38 60

Bllekbërn 38 58

Portsmuth 38 57

Man Siti 38 55

Uest Hem 38 49

Totenhem 38 46

Njukasëll 38 43

M‘sbrou 38 42

Uigan 38 40

Sandërlend 38 39

Bolton 38 37

Fullhem 38 36

Riding 38 36

Birmingem 38 35

Derbi 38 11



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›